In memoriam/ Dhjetë vjet pa Hasan Vathin…

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Dhjetë vjet më parë, pasi kishte shërbyer po dhjetë vjet si nënkryetar i Njësisë Bashkiake Nr.11 – Laprakë, u nda nga jeta Hasan Vathi.

Para 10 vjetësh, kur unë dhe miqtë e mi kishim humbur këtë mik të shtrenjtë e të paharruar, me kontribute në proceset demokratike, në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve ligjzbatuese të shtetit shqiptar, siç ishin edhe Njësitë Bashkiake të Tiranës, nisur dhe nga pjesëmarrja masive e qytetarëve në ceremoninë e tij mortore, shkrova dhe botova në shtypin e kohës disa radhë “In memoriam”, me titullin: “Sa shumë qytetarë në lamtumirën e Hasan Vathit!”.

Në raste përcjelljeje miqsh për në botën e përtejme, zakonisht për ta thuhen e shkruhen nekrologji, në përmbajtjen e të cilave, janë vyrtitet më të mira njerëzore. Por në rastin e Hasan Vathit, përcjellja e tij para dhjetë vitesh e tejkalonte këtë rregull. Kjo për faktin se brenda një dekade, Ai, falë aftësive të rralla komunikuese, përvojës organizative dhe drejtuese kishte arritur të miqësohej me shumicën e familjeve të Laprakës. Ndaj dhe ata mijëra shokë, miq, familjarë e të afërm të tij e përcollën Hasanin me të gjitha nderimet që meritonte.

Po. Vërtetë, jo vetëm për familjen, bashkëshorten shembullore Zoje Vathi e dy fëmijët e tij, por për mijëra qytetarë të metropolit shqiptar, kjo ishte një humbje e pabesueshme.

Përvoja tregon se në kohën e humbjes së njerëzve të dashur, nga prindërit, bashkëshortët, fëmijët, kolegët, miqtë e shokët, veprat e mëdha të tyre, janë të vështira për t’u perceptuar. Por Hasan Vathi, edhe në këtë aspekt bënte përjashtim për vetën jetën dhe aktivitetin e tij intensiv në dobi të bashkëqytetarëve.

Hasan Vathi që kishte lindur në Tiranë më 21 janar 1955 u nda nga jeta në moshën 57- vjeçare, më 12 shtator 2012.

Pas kryerjes të të gjitha niveleve të shkollimit me rezultate të shkëlqyera, deri te diplomimi në Fakultetin Gjeologji – Miniera, në harkun kohor të një dekade (1981-1991) do të punonte në ndërmarrjen e Ndërtim-Miniera, në sektorët Tuç e Munellë të rrethit të Pukës dhe në sektorët Golaj dhe Vllahën të rrethit Kukës.

Bashkëkohësit e kujtojnë atë si inxhinierin e talentuar, por dhe si shokun e mikun që ju është gjendur pranë në momente të vëshira të atyre viteve, kur Shqipëria po përjetonte krizën më të thellë të ekzistencës si shtet dhe kur familjet shqiptare ishin në udhëkryqin e mbijetesës.

Si mbështetës dhe një ndër protagonistët e Lëvizjes Demokratike të Dhjetorit ’90, Hasan Vathi, nga viti 1991 – 2002 (sërish për më shumë se një dekadë) jep shembullin e inxhinierit demokrat, me vizion bashkkohor, në Drejtorinë Teknike të Ndërmarrjes Ndërtim Miniera Metalifere, duke mbuluar sektorët e kësaj drejtorie me vendndodhje në Veriun e Shqipërisë. Më pas vijnë dhjetë vitet e tij si nënkryetar i Njësisë Bashkiake nr.11 të Tiranës (Laprakës) kur ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim të jashtëzakonshëm qytetar.

Me qytetari, inteligjencë, mirësi e humanizëm të jashtëzakonshëm, në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e Njësisë, Haki Mustafa, Ai krijoi profilin e kuadrit e pushtetarit lokal të admirueshëm dhe të respektueshëm nga shumica e qytetarëve. Dhe po ashtu, me bashkëshorten shembullore, Zojen, një inxhiniere dhe drejtuese e aftë që ka lënë emër të mirë dhe që gëzon reputacion në të gjitha institucionet ku ka punuar e drejtuar, arritën të krijojnë një familje shembullore.

Ndaj dhe përvjetori i dhjetë i ndarjes së tij nga jeta, nuk është vetëm një ngjarje e vështirë, por edhe një arsye për të kujtuar se si ishte në jetë Hasan Vathi, meritat dhe emrin e mirë që Ai i la familjes, të afërmëve e shoqërisë. Në zemrat dhe mendjet tona Ai do të mbetet i ri, i gëzuar, plot force e vitalitet.
Parajsa qoftë vendbanimi i tij i përjetshëm!

About Redaksia

Check Also

Parlameti italian reagon pas ndërhyrjes së Ramës tek RAI: E pajustifikueshme, Italia…

Komisioni parlamentar i medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t, e quan …

Leave a Reply