Berisha: Basha e kishte futur PD-në në një labirinth, Rama donte ta mbante peng opozitën

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi në një takim me banorët e Shijakut tha se, Partia Demokratike ishte futur në një labirinth nën udhëheqjen e Lulzim Bashës.

Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama, të cilin e quan dhunues dhe armik të votës së lirë, donte të mbante peng opozitën që të vazhdonte pafundësisht.

“Pse ikin prap. Faktori më kryesor është se njerëzit konstatojnë se ky dhunon votën. Është armik i votës së lirë. Është armik i opozitës, i demokracisë. Ky për sistemin e votave ndërtoi sistemin e patronazhistëve. Ky bëri gjithçka për të shkatërruar, asgjësuar opozitën.

Ju lexuat sot besoj, se në çfarë labirintesh ishim futur ne si PD. Si në filmat e mafias. Dhe ai, bënte gjithçka jo që të bënte hetimin e plotë, por se si të kapte peng opozitën, sepse me një opozitë të marrë peng, ai vazhdonte pafundësisht.

Kohërat kanë ndryshuar. Ka një vetëdije të madhe sot te qytetarët shqiptarë se ky person është realisht një armik i lirive të tyre. Është realisht një hajdut që historia e Shqipërisë nuk e ka pasur kurrë të tillë, të pasurive të tyre. Është një armik i demokracisë.

Është mision i madh për ju, për çdo qytetar, për çdo demokrat që të bëjmë gjithçka për rrëzimin e tij. Ne nuk vijmë në pushtet me dhunë kurrë, por vijmë në pushtet me votën e lirë.

Ne do të jemi misionarë që do ti bëjmë shqiptarët të votojnë të lirë. Nëse këtu votohet si qytetar të lirë, njerëzit mund të lëvizin, por ju garantoj shumë herë më pak seç ndodh tani. Sepse ata që akumulojnë pakënaqësi, rrijnë, presin zgjedhjet, votojnë dhe ndërrojnë qeverinë. Kurse kështu ky do të vrasë shpresën për ndryshimin e qeverisë. A mund ta pranojmë ne këtë, kurrë.

Ndaj dhe këtu nga Shijaku, u bëj thirrje, demokratëve dhe demokrateve të kësaj zone dhe mbarë shqiptarëve, të bëjmë gjithçka në një kohë sa më të shkurtër, të përzëmë Edi Ramën nga pushteti në mënyrë që ai të mos përzëjë shqiptarët nga Shqipëria”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e fortë e Berishës: Sistemi TIMS u sulmua nga hackera qeveritarë, do zhduknin lidhjet e qeverisë dhe të deputetëve me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha lëshoi akuza të forta, duke shtuar se sistemi TIMS …

Leave a Reply

Your email address will not be published.