Në përfundim të vizitës së tij të parë në Shqipëri, zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Bo Li u shpreh se gjatë takimeve të tij zyrtare u kërkoi drejtuesve të institucioneve ekonomike të mbrojnë të varfërit nga kriza e rritjes së çmimeve nëpërmjet mbështetjes së përkohshme fiskale.
“Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Ekziston nevoja për të mbrojtur të pambrojturit nga rritja e kostove të jetesës nëpërmjet mbështetjes fiskale të përkohshme dhe të shënjestruar mirë”.
Ai u shpreh gjithashtu se një pikë e rëndësishme e takimeve të tij me guvernatorin Gent Sejko dhe ministren Delina Ibrahimaj ishte nxitja e potencialit të rritjes së Shqipërisë dhe konvergjenca e të ardhurave me BE-në.
“Ne diskutuam gjithashtu politikat për të nxitur potencialin e rritjes së Shqipërisë dhe konvergjencën e të ardhurave me BE-në dhe u kërkova autoriteteve të vazhdojnë me finalizimin dhe zbatimin e një Strategjie të shëndoshë Afatmesme të të Ardhurave, tha ai.
Zëvendësdrejtori i FMN-së LI, vlerësoi stabilitetin e konsiderueshëm të Shqipërisë përballë sfidave të shumta të viteve të fundit, që sipas tij vjen nga reagimi i shpejtë i autoriteteve.
“Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë sfidave të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar.
Autoritetet i janë përgjigjur me shpejtësi goditjeve me barriera politikave të ndërtuara në të kaluarën,” u shpreh Li./MONITOR