Kryetari i PD, Sali Berisha, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, që vlerësoi Akademinë e Shkencave për punën e saj gjatë komunizmit, tha se, Akademia jo vetëm falsifikoi historinë, por edhe goditi gjuhën shqipe.
“Nuk ishte viktimë vetëm historia jonë kombëtare e Akademisë, po kaq viktimë u bë edhe gjuha shqipe, e cila për paranojën e diktatorit, mori goditjen më të rëndë në tërë ekzistencën e saj në kongresin marksist të drejtshkrimit të vitit 1972.
Në atë kongres, në njëfarë mënyre u ridimensionua famëkeq i Enver Hoxhës që ndaloi publikimet e paraluftës. Aty u vendos arkivimi i punimeve të pavdekshme të rilindësve, Fishtës, Mjedës, Filip Shirokës, shkrimtarëve të Kosovës, vetëm pse duhej të goditej dialekti i zonës armike. Duhej të goditej gjuha liturgjike. Sot, gjuha shqipe vuan pasojat më të rënda të Kongresit marksist të drejtshkrimit të vitit 1972.
Nuk kam asgjë me drejtshkrimin, por nuk mund të pranohet kurrë dënimi që iu bë gjuhës shqipe, dënimi që iu bë formave themelore të kohëve të foljes, dënimi që iu bë për rrjedhojë të gjithë letërsisë së krijuar në trevat nga Elbasani në Prishtinë”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD