Nëntori, muaji më i vështirë për Vuçiç

Serbia kërcënohet nga tërheqja e investimeve nga perëndimi, mbyllja e fabrikave, si dhe bllokimi i eksporteve drejt vendeve evropiane.

Presioni ndaj Serbisë nga të gjitha anët po intensifikohet për të thyer politikën “e dy karrigeve” të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Për shkak të vendimit për të mos vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, Serbia është shtyrë në një skutë dhe çdo ditë përballet me kërcënime të reja nga përfaqësuesit perëndimorë për t’iu bashkuar bllokut anti-rus.

Nga ana tjetër, “nuk është miqësor as qëndrimi i Rusisë, e cila tenton të hyjë në luftë me Perëndimin pas shpinës së Serbisë, ndërsa bashkëpunon ekonomikisht me “vendet armike evropiane”, shkruajnë mediat serbe.

Kjo është arsyeja pse nëntori do të jetë muaji më i vështirë për Serbinë. Do të mundohen ta thyejnë nga të gjitha anët, ndërsa presidenti Vuçiq me këmbëngulje mundohet të ruajë politikën e tij “edhe Rusia edhe Perëndimi.

ÇËSHTJA E TABELAVE

Afati për riregjistrimin e veturave të cilat ende i mbajnë targat e lëshuara nga Serbia, dalëngadalë po mbaron. Pala serbe shpreson se afati i dhënë, që është 1 nëntori, mund të zgjatet “për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe për të shmangur përshkallëzimin”, shkruan gazeta pro-qeveritare serbe “Novosti”.

Më 31 korrik, serbët nga veriu i Kosovës ngritën barrikada për të penguar autoritetet e Kosovës që të zbatojnë vendimin për targa dhe të lëshojnë dokumente hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime serbe. –

Ndërkohë, u arrit marrëveshja për letërnjoftimet dhe Beogradi po kërkon “një marrëveshje të mëtejshme”. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka theksuar se afati për riregjistrim skadon më 31 tetor dhe se bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta zgjidhë problemin.

“Nuk është në interesin e askujt që situata të përshkallëzohet”, ka deklaruar Lajçak.

HYRJA E KOSOVËS NË OKB

“Pozicioni ynë për çështjen e Kosovës po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar”, ka pranuar presidenti serb.

“Vendet perëndimore do të mundohen që ta zgjidhin “problemin e Kosovës” me hyrjen e Kosovës në OKB për t’ia hequr këtë argument Vladimir Putinit dhe Rusisë, të cilët po mundohen ta përdorin këtë argument” ka thënë Vuçiqi.

Ai ka theksuar se kjo do të thotë konkretisht se arkitektura e bisedimeve po ndryshon dhe se duhet të flasim dhe të mendojmë për propozimin e Gjermanisë dhe Francës. Nuk mund të flakësh një propozim që vjen nga dy vendet më të fuqishme, por nuk jam i sigurt se do ta pranojmë si të tillë”, ka thënë Vuçiq.

Përndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet sa më shpejtë të arrihet një marrëveshje me Serbinë dhe se është i gatshëm të bëjë përpjekje shtesë për zgjidhjen e çështjes.

Nuk kemi shumë kohë, madje nuk jam i sigurt se kemi edhe dy vjet tjera për të arritur marrëveshje me Serbinë”, ka thënë Kurti për Deutsche Ëelle, përcjell Paparaci.

REGJIMI I VIZAVE PËR QYTETARËT E SERBISË

Politika e vizave ndaj Beogradit ishte cak i kritikave të ashpra në takimin e ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian dhe komisionarja evropiane Ilva Johansson ka thënë se në rast të mosharmonizimit me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, nuk përjashtohet pezullimi i regjimit pa viza për qytetarët e Serbisë.

Gjithashtu, Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të ndajë Perëndimin duke përdorur refugjatët dhe akuzoi Serbinë se ka lejuar një numër të madh emigrantësh pa viza.

“Kjo luftë nuk bëhet vetëm me armë, por edhe me energji, për të cilën kemi gjetur përgjigje. Por ajo udhëhiqet edhe nga përhapja e frikës dhe shkaktimi i ndarjes me anë të refugjatëve, dhe kjo është ajo që duhet ta parandalojmë” ka thënë Baerbock.

Është e qartë se këto kërcënime nuk kanë të bëjnë me emigrantët dhe se shërbejnë si presion shtesë ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

PRESIONI EKONOMIK

Serbia mund të pësojë dëme të mëdha ekonomike sepse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE.

Zyrtarët e Brukselit paralajmërojnë, “jo zyrtarisht”, Serbinë se mund të harrojë fondet e Bashkimit Evropian nëse nuk rreshtohet qartë me frontin perëndimor kundër Federatës Ruse.

Serbia kërcënohet haptas edhe nga tërheqja e investimeve nga perëndimi, mbyllja e fabrikave, si dhe bllokimi i eksporteve drejt vendeve evropiane, transmeton Paparaci.

BISEDA TË VËSHTIRA PËR “JANAF”

Kryeministrja Ana Bërnabiç falënderoi partnerët në Bashkimin Evropian që kontribuuan në shtyrjen deri më 1 dhjetor të vendimit për përjashtimin e mundshëm të Serbisë nga pakoja e tetë e sanksioneve kundër Rusisë, pra ndalimi i importit të naftës ruse përmes naftësjellësit të Adriatikut. (“Janaf”).

“Ne do të vazhdojmë të negociojmë, por do të ishte një vendim katastrofik për qytetarët tanë dhe ekonominë tonë nëse Kroacia vendos të ndërpresë furnizimin e Serbisë nëpërmes të këtij naftësjellësi”, ka deklaruar kryeministrja serbe.

Nëse nuk mund të importohet naftë përmes “Janaf-it”, atëherë në të ardhmen nafta do të jetë 20 për qind më e shtrenjtë, sqaron Bërnabiç.

About Redaksia

Check Also

Gjykata vendos që Julian Assange të mos ekstradohet menjëherë në SHBA

Gjykata e Lartë e Londrës vendosi të martën se Julian Assange nuk mund të ekstradohet …

Leave a Reply