Bojkoti i procesit mësimor në Universitete ka vijuar edhe në ditën e dytë të vitit të ri akademik. Pedagogë të Sindikatës së Universiteteve të Shqipërisë, shprehin vendosmërinë se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.
Por, nga ana tjetër në një deklaratë për mediat, kryeministri i Shqipërisë tha se të gjithë pedagogët do të futen në ‘sitën’ e meritokracisë dhe do të punohet më tepër për të rritur cilësinë dhe rankimet karshi universiteteve të tjera të Evropës.
Ky ishte qëndrimi i kreut të qeverisë në një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike sa i përket botës akademike, qëllimeve dhe ecurisë që do të kenë universitetet.
Alta Azizi Haluçi, Doktore Shkencash në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, e ftuar këtë mëngjes në ‘Kafe Sheto’ në Syri Tv, u shpreh se nga takimi i djeshëm ajo ngeli mjaft e zhgënjyer. Për të, është i patolerueshëm fakti që një pedagog të trajtohet në atë mënyrë, teksa pranoi se befasuese dhe zhgënjyese ishte dhe mos ndërhyrja e rektorëve.
“Në Vlorë është gati në heshtje, sindikata ka punuar në mënyrën e vet, dhe tani ka filluar të ndjehet e gjallë. Formularët i kanë plotësuar 70 përqind të pedagogëve por problemi është se janë më pasivë. Kanë njëfarë lloji intimidimi, frik, e që u shfaq dje në fakt dukshëm në takimin që bëri kryeministri. Por gjithsesi që absolutisht kërkesat janë mëse të drejta dhe nuk ka ku të vejë më keq gjendja e pedagogëve.
Rroga jonë është gati me një mësues të shkollës së mesme, dhe jo më kot marrim krahasimin me pedagogët e Kosovës dhe rroga e tyre është gati dyfish më e madhe se rroga jonë. Rrogat janë të ndara në varësi të nivelit të studimeve. Unë si doktore shkencash, që kam njëzet e ca vjet në arsim, po ta mendosh rroga ime nuk vete tek 800 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që një mësues merr 600 e ca mijë, ose 700 mijë lekë.
Unë u ndjeva dje keq, mendo që një pedagog të trajtohet ashtu, do doja që rektorët të reagonin, pas kërcënimeve që u bënë, si ‘do shikohet pasuria’, etj. Dhe mendova që kolegët e mi nuk paskan dhe aq faj që paskan frikë”, u shpreh Haluçi.