Kokëposhtë!

Nga Lutfi DERVISHI

Imagjinoni një vend ku polici ka frikë nga banditi, prokurori ka frikë nga polici, gjyqtari ka frikë nga prokurori dhe politikani nuk ka frikë nga askush. Ky do të quhej realitet distopik (e kundërta e utopisë), pra një shoqëri dhe komunitet jo vetëm i padëshirueshëm, por që të kall datën.

Mjerisht “grimca” të këtij realiteti i shohim gjithnjë e më shpesh dhe ç’është më e keqja na duken më se normale.

Ngjarja e rëndë e Elbasanit në prill të 2021 ku banditët frymëzohen sapo mbërrin në vendngjarje policia dhe arrijnë deri aty sa t’i vendosin edhe pistoletën në kokë oficerit të policisë, është vetëm tregues i fuqisë së banditëve me mbështetje politike. Po në këtë ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gënjen para medias dhe opinionit publik pa u skuqur, pa u zverdhur dhe pa u nxirë. Në një realitet distopik drejtori shpërblehet. Kështu ndodhi realisht. Ai dhe prokurori që gënjyen u shpërblyen me ato që i dimë dhe ato që nuk i dimë.

Efektivë që vrasin dhe policia që fajëson viktimën. Nuk është realitet distopik. Janë raste të përsëritura.

Në kodet penale europiane kur polici rreh, kur polici kontrollon banesën abuzivisht ose kur polici kryen çdo akt tjetër antiligjor në kuadrin dhe atributet e detyrës, dënimi është: Parashikimi i nenit përkatës plus pesë vjet.

Qenia polic është rrethanë rënduese në çdo krim. Në një realitet distopik, vrasja që kryen polici është rrethanë lehtësuese. Kështu ka ndodhur, kështu po ndodh dhe kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Në rastin e fundit kur një 32-vjeçar humbet jetën në duart e policisë, në mes të Tiranës, e vetmja gjë e vërtetë nga komunikata e Agjencisë për Mbrojtjen Policore rezulton të jetë data. Ndërkohë, e vetmja gjë e ndryshme nga ngjarjet e tjera plot mister e dyshime është data dhe inicialet e viktimës pasi çdo gjë tjetër është e ngjashme: Përgjegjësia hidhet tek viktima, tek ai që nuk ka gojë të flasë më!

Çdo fjali është gënjeshtër, madje edhe gramatikisht qysh në ndërtim të krijon përshtypjen e një ngjarje e cila është e kundërta e asaj që po përpiqen të të servirin. Edhe kjo fatkeqësisht dhe paturpësisht nuk është hera e parë.

Kur ndodh krimi, gjykohet si reagohet ndaj tij. Përpjekja e parë mbetet fshehja dhe manipulimi. Këto të fundit kalojnë nga komunikata te media dhe deri te drejtuesit e ekzekutivit që arrijnë deri aty sa flasin për sjellje shembullore të policisë. Në këtë rast, informacioni i shtrembëruar i vendosur nën drita studiosh apo grafika të bukura, besohet edhe nga vetë ideatorët e saj sa përgjegjësia kanalizohet nga dhunuesi te viktima i pagojë. Në një realitet distopik, dhuna e policisë quhet sjellje shembullore.

Po të kishte një prokuror dhe po të bëhej një shembull, nuk do të guxonte më njeri të manipulonte skenën e krimit. Të paktën jo në mënyrë kaq amatoreske, pasi harrojnë që sot jemi në një epokë ku çdo gjë le gjurmë. Për më tepër policët do të merrnin mesazhin që nuk janë ligji, nuk janë mbi ligjin dhe nuk i shpëtojnë ndëshkimit të ligjit.

Por çfarë ndodh me prokurorët tanë?

Në një vend real, prokurori drejton hetimin, ndërsa në një realitet distopik prokurori shkon pa të keq si dekor në konferenca shtypi të policisë.

Në një situatë reale janë prokurorët ata që duhet të jenë violinë e parë dhe që t’i “kallin datën” kujtdo që ka shkelur ligjin. Por duket jo të gjithë prokurorët e dinë që policia është në varësinë e tyre sa i përket realizimit të procesit hetimor.

As në fantazinë më të shfrenuar të realiteteve distopike nuk gjen raste ku arrihet deri aty sa të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për të luftuar krimin mes prokurorisë dhe policisë. Ja, p.sh; Imagjino sikur mjekët të bëjnë memorandum mirëkuptimi me infermierët për të luftuar sëmundjet!

Dhe ky realitet distopik pasqyrohet edhe në media. Figura e prokurorit është krejt e harruar dhe figurat e policëve dhe shefave të policisë heroizohen për të mirë e për të keq. Për dikë kjo mund të konsiderohet si normalitet ligjor kurse për njohësit e rregullave të shtetit, nuk mund të quhet më shumë se MARRËZI!

Gjyqtarë që kanë frikë nga prokurorë! Në një vend ku 95% e vendimeve të prokurorit konfirmohen nga gjykata pyetja retorike është: A na duhen gjyqtarë? Eshtë e qartë se në këtë situatë avokatët dalin pa punë!

Një gjyqtar i mirë e di që ndarja e pushteteve ka lindur si nevojë për t’i vënë fre vullnetit të pakontrolluar të njëshit dhe ekzekutivit, një gjyqtar i mirë e di që mbi ligjin nuk është askush dhe një gjyqtar i mirë e di dallimin mes punës së gjyqtarit dhe të noterit. Kur gjyqtari bëhet noter i prokurorit, prokurorit i mbushet mendja se ai është ligji mbi dhé.

32 vjet pas thirrjeve “Liri-Demokraci”, ndoshta ka ardhur koha të mendohet që policët, prokurorët dhe gjyqtarët të mësojnë disa nocione bazike për demokracinë, për të drejtat e njeriut, për ligjin, për ndarjen e pushteteve, dhe sidomos për kompetancat e veta. Kjo duhet të nisë duke e pranuar fillimisht pa shumë justifikime se ajo çka kemi bërë dhe po bëjmë nuk shkon sepse para se të kemi “Policinë Që Duam” duhet paralelisht të kemi “Prokurorinë dhe Gjykatën Që Duhet”.

About Redaksia

Check Also

Pse nuk u ftuan presidentët në mbledhjen e parlamenteve?!

Nga Enver BYTYÇI Ja më në fund u mblodhën “etërit” e kombit në sallën e …

Leave a Reply

Your email address will not be published.