Vëllai i komandantit të Gardës merr tenderin 10 milionë dollarë pa garë

Ministria e Kulturës i jep një tender prej 10 milionë dollarësh vëllait të Gramoz Sakos, kreut të Gardës së Republikës. Vëllai i tij, Artan Sako përmes kompanisë “2T”, fitoi pa garë tenderin për ndërtimin e Teatrit të Kukullave. Vëllai i kryegardistit, të emëruar para 9 vitesh nga kryeministri Rama, rezulton të jetë një prej përfituesve kryesorë të tenderave të zhvilluar nga institucionet shtetërore
SYRI TV

Shoqëria “2T” e Artan Sakos është pjesë e një bashkimi kompanish private që kanë fituar pa garë tenderin mbi 10 milionë dollarë të zhvilluar nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e Teatrit të ri të Kukullave.

Rezultatet e tenderit me fond limit 1 miliard e tridhjetë e pesë milionë lekë të reja u shpallën të mërkurën e kësaj jave. Sipas dokumenteve zyrtarë, në garë ka marrë pjesë vetëm një konkurrent, i përbërë nga një bashkim prej 4 operatorësh. Ky konkurrent ka paraqitur ofertën me vlerë pak më shumë se 1 miliard lekë të reja ose rreth 300 mijë dollarë më të ulët se fondi limit.

Teatri i ri i Kukullave dhe Qendra për Fëmijë pritet të ndërtohen në një territor në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial. Në listën e fituesve është edhe kompania e Artan Sakos. Biznesmeni është vëllai i Gramoz Sakos, komandanti jetëgjatë i Gardës së Republikës.

Gramoz Sako është emëruar nga kryeministri Edi Rama që në fillim të mandatit të tij qeverisës, në vitin 2013. Ai është i vetmi drejtues i lartë që nuk ka lëvizur nga posti i tij prej 9 vitesh. Ndërsa vëllai i tij, Artan Sako, rezulton të jetë një prej përfituesve kryesorë të tenderave të zhvilluar nga institucionet shtetërore.

Sipas të dhënave të portalit të specializuar për shpenzimet publike, “Spending data”, kompania “2T” ka përfituar mbi 30 milionë euro fonde qeveritare vetëm në periudhën 2019-2022. Më herët, mbi kompaninë e Sakos ka pasur dyshime se përfshihej në listën e preferuar të kryeministrit Edi Rama, pasi kishte ndërtuar një godinë disakatëshe në pronësi të familjarëve të bashkëshortes së kreut të qeverisë. Megjithatë, për këto dyshime publike nuk rezulton të ketë pasur asnjëherë hetime zyrtare.

About Redaksia

Check Also

Parlameti italian reagon pas ndërhyrjes së Ramës tek RAI: E pajustifikueshme, Italia…

Komisioni parlamentar i medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t, e quan …

Leave a Reply