Kështu vdiq e majta gjermane

1933: Socialdemokracia kishte shpëtuar vendin, por votuesit nuk i qenë mirënjohës. Përçarjet përpara Hitlerit bënë pjesën tjetër.

Qeveria e re e qendrës së djathtë kishte nevojë të dëshpëruar për njohje ndërkombëtare. Llogaritë qenë në të kuqe. Pa kredit, në Europë rrezikohej falimentimi. Kreu i ri i qeverisë njoftoi se do të mbante një fjalim në parlament për ta siguruar Europën. I kërkoi opozitës që t’i jepte një dorë për të zmusuar moskuptimet në rritje në kryeqytetet e huaja. Opozita ishte më e përçarë se kurrë. Vazhdonin të grindeshin midis saktësisht siç kishin bërë më parë, bile më shumë se më parë. Centristët paraqitën një mocion ku miratonin “deklaratat e paqes” të Hitlerit, por i kërkohej Europës “të drejta të barabarta për popullin gjerman”, domethënë të pushonin se marruri me Gjermaninë. Ai që kryesonte seancën ishte numri dy i partisë fituese të zgjedhjeve, Hermann Göring. Nuk pranoi mocione të tjera. Partia kryesore opozitare, SPD (Sozialdemokratische Partei Deutschlands), tashmë ishte e përçarë më dysh. Në ndryshim nga nazistët, nuk kishin një lider, vetëm kryetar grupi parlamentar. Një pjesë kishte zgjedhur tashmë të shkonte jashtë vendit, të themelonte një qendër në ekzil, në Pragë. Ftonin që të bojkotohej seanca. Pjesa tjetër, mahoritare, kishte vendosur se derikur Hitleri dhe nazistët qëndronin në aspektin e kushtetutës republikane, do të duhej të bëhej beteja në parlament. Thanë se qenë të “ekzagjeruara” lajmet e shfaqura në shtypin e huaj rreth arrestimeve, persekutimeve dhe mizorive në dëm të së majtës dhe hebrenjve. Deri kishin dalë nga Internacionalja Socaliste pasi këta nuk reshtnin së kritikuari Gjermaninë naziste. Në këmbim të zyrave të mira të drejtuara Europës, shpresonin që naizistët t’i lironin të gjithë robërit në kampet e përqëndrimit, të lejonin sërish botimin e gazetave partiake, të pezulluara sine die. 22 deputetë të SPD qenë në ekzil, 17 qenë në burg, njëri ishte vrarë, një tjetër kishte kaluar në grupi nazist. Komunistët qenë nxjerrë jashtë ligjit prej kohësh, grupi drejtues ishte strehuar në Moskë, ku do të mendonte Stalini t’i vriste. Prej 65 deputetëve socialdemokratë të pranishëm, 48 votuan në favor të mocionit centrist. Prej deputeteve femra, njëra Toni (Antonia) Pfülf, e dezertoi seancën dhe u vetëvra pak javë më pas.

Kishin rënë me kokë në kurthin politik e ngritur nga Hitleri. U justifikuan duke mbështetur se nuk kishin arësye për të votuar kundër një mocioni “paqësor”. Paqe, por edhe respekt ndërkombëtar për Gjermaninë ka qenë gjithmonë pozicioni ynë, ky qe deklarimi i votës i Paul Löbe, president i ri i Partisë Socialdemokrate. Në përfundim të votimit salla shpërtheu në një duartrokitje të zjarrtë, e udhëhequr nga Hitleri personalisht, “Ishte sikur ne socialdemokratët, gjithmonë të mallkuar si bij të zgjedhur të Gjermanis, për një pakt qenë shtrënguar në gjirin e Mëmëdheut”, do të kujtonte më pas në kujtimet e tij socialdemokrati bavarez Wilhelm Högner. Ndodhte më 17 maj 1933. Hitleri ishte emëruar kancelar më 30 janar. Në politiket e mëparshme NSDAP (Partia Nacionalsocialiste e Punëtorëve Gjermanë) kishte pasur pak më shumë se 30%. Më 27 shkurt kishte ndodhur djegia e Rajhshtagut, e atribuar një komunisti hollandez jo në vete, e pasuar nga shtrëngimi i parë i vidave ndaj opozitës. Më 5 mars Gjermania kishte rivotuar me pistoletën tek koka, por as kësaj radhe Hitleri nuk kishte arritur të kishte mazhorancën. Pati nevojën për votën e 73 centristëve për të kaluar më 24 mars të ashtuquajturin “Dekret të pushteteve të plota” për të cilin duhej një mazhorancë prej 2/3 (që jo vetëm nazistët nuk e kishin, por nuk e shikonin as me dylbi). “Ligj për shërimin e dhimbjes së vuajtur nga populli dhe nga Rajhu”, titulli i ligjit. Hitleri kishte premtuar solemnisht se pushtetet e plota do të ishin të përkohshme, nuk do të sillnin modifikime të kushtetutës. Faktikisht i lejuan qysh nga ai moment e më pas të vendoste pa parlamentin dhe më pas, me vdekjen e Hindenburg, të përqëndronte mbi personin e tij edhe postin e presidentit të Republikës, kundrapesha e vetme e mbetur, dhe të nxirrte jashtë ligjit të gjitha partitë e tjera, përfshi aleatët. E gjitha kjo ishte zhvilluar me shpejtësi, me kthesë koke, në harkun e pak javëve.

Thuajse sikur historia nuk donte t’u linte të humburve as kohën e nevojshme për të diskutuar sesi dhe psenë e asaj që kishte ndodhur. SPD nuk ia doli në kohë as të mbante një kongres. Vetëm në prillin e ardhshëm, me vezën e bërë dhe të ngrënë, do të mbante një lloj konference organizative. Vazhdonin të diskutonin në vend që të merrnin vendime, midis tyre dhe me aleatët e mundshëm. E kishin të vështirë ta merrnin veten pas goditjes. Dukeshin shumë boksierë të mbaruar që të ringriheshin në kombë, por nuk e kuptojnë akoma se nga ku ka ardhur grushti. “Jemi mundur dhe duhet ta rifillojmë gjithçka nga fillimi”, vazhdonte të përsëriste Otto Wels, lideri historik, duke u lëkundur midis pesimizmit të thellë dhe optimizmit voluntaristik. Këmbëngulte që Hitleri nuk do të zgjaste shumë. Plaku i nderuar Kautsky e kuptonte se “kundërshtarët tani janë fuqimisht në shalë”, por vazhdonte njëherazi të thoshte se ishte i bindur që regjimi shpejt do të shembej nën peshën e jokompetencës së tyre. “Gjermania nuk është Italia. Berlini nuk është Roma. Hitleri nuk është Mussolini”, do të titullonte “Vorwärts” (që në gjermanisht nënkupton “Përpara!”) pak përpara se nazistët ta mbyllnin gazetën. Në tetorin e 1933, kur Hitleri është tashmë padron absolut i Gjermanisë, Rudolf Hilferding, studiuesi i Kapitalit financiar, ish ministër i Ekonomisë, i konsideruar një prej mendjeve më të kthjellëta të socialdemokracisë gjermane, e kupton se “shtresa të mëdha të popullit gjerman, në mos mazhoranca, e mbështesin diktaturën, deri me entuziazëm”, që “nacionalsocialistët kanë fituar pushtetin e konvergjencës antikapitalistike dhe nacionaliste” domethënë një miks i pazakontë i nacionalizmit dhe populizmit që sheh nga e majta, por vazhdon të përkundet, në iluzionin se “politika ekonomike e qeverisë së re do të çojë me shpejtësi në shkatërrimin e ekonomisë dhe, bashkë me të, edhe të regjimit nacionalsocialist”.

Çfarë i kishte verbuar? Në çfarë kishin gabuar? Në mbrojtjen me kokëfortësi, deri në fund, demokracinë dhe kushtetutën e republikës së Veimarit përballë ekstremizmave të kundërta revolucionare (komunistët nga njëra anë dhe nacionalsocialistët nga tjetra)? Që kishin mbështetur besnikërisht Grosse Koalition me qendrën dhe partinë Liberal – Demokratike? Që i kishin besuar drejtësisë më shumë sesa politikës? Carl Severing, ministri socialdemokrat i Drejtësisë së Prusisë në një moment të caktuar kërkoi deri ta skualifikojë Hitlerin nga zgjedhjet me argumentin se kishte lindur në Austri dhe, për pasojë, nuk ishte gjerman. Gabimi fatal i socialdemokratëve kishte qenë ndoshta se kishin pranuar të qeverisnin, duke vënë fytyrën e tyre, me një kancelar të tyrin, Hermann Müller, përkrah me Zentrum katolik dhe me dy parti të tjera jo të majta, në një prej momenteve më të vështira? Kishin shpëtuar vendin, por votuesit nuk i qenë mirënjohës. SPD kishte pësuar hemoragjinë e votave dhe të konsensuseve midis shtresave popullore, në favor të komunistëve dhe të nazistëve. Pa llogaritur se ajo qeveri e mirëkuptimeve të gjera më pas kishte rrëshqitur, në momentin e një krize vendimtare, mbi një lëkurë thuajse qesharake: një mosdakordësi mbi kontributet sociale (nëse duhej të rëndonte mbi pagat apo mbi industrialistët). Kushedi se çfarë do të thonë historianët e së ardhmes mbi qeverinë Draghi që ra mbi pisllëkun, mbi nëse të bëhej ose jo një termovalorizator.

SPD do të vazhdonte t’i dhuronte gjak edhe qeverisë së mëpasme, asaj të kancelarit Brüning, që për të shmangur nmjë falimentim dhe një hiperinflacion katastrofik të ri kishte bërë një politikë të dhimbshme rregulli. Përfundoi duke e mbytur rritjen, prodhoi miliona të paunë. Megjithatë në vetë radhët socialdemokrate kishte që i kishte paralajmëruar dhe bile kishte treguar ilaçet. Vladimir Woytinsky, një emigrant që punonte si ekspert statistike në zyrën studimore të Federatës së Sindikatave, kishte përpunuar një “Plan për të krijuar vende pune”. Për të bindur ngurruesit e nevojës së një programi shokues punësh publike (një lloj PNRR) kishte ftuar në Berlin as më pak e as më shumë se John Maynard Keynes. Keynes u përgjigj me mirësjellje, por nuk erdhi. Duket se e shkurajuan presionet e qeverisë gjermane që i frikësohej se mos rekomandonte zhvlerësimin e dojçmarkës. Megjithatë shumë vonë. “Hitler e kishte gjetur tashmë kurën kundër papunësisë më parë se Keynes të përfundonte për ta shpjeguar se pse verifikohej”, mënyrën me të cilën do ta thoshte 30 vite më pas ekonomistja Joan Robinson. Në 1933 ishte si t’i gjuaje pëllumbit. Të gjithë i hidheshin në kurriz socialdemokratëve. Nga çdo anë. I akuzonin se qenë vetë një makinë pushteti elektoral dhe administrativ, një fabrikë burokratësh të shlirë nga “masat”, nga nevojat e punëtorëve dhe të varfërve (drejtuesit politikë dhe sindikalë quheshin me përbuzje “mashtrues”). Ka që vazhdon akoma sot të thotë se i ka gabuar të gjitha, se ka bërë aleancat e gabuara, se nuk kanë arritur të formojnë një koalicion në gjendje që të ndalojë, edhe elektroalisht, ngritjen e Hitlerit.

Në letër, duke i dhënë edhe një shikim të shpejtë tabelave të shumë zgjedhjeve që u mbajtën menjëherë më parë emërimit si kancelar i Hitlerit, rezulton se SPD ishte në thuajse të gjitha parti e parë. Duke mbledhur votat e tyre me ato të Partisë Komuniste dhe ato të partive të qendrës dhe liberale, mazhorancën për të qeverisur do ta kishin pasur ata. Ashtu si në letër, duke mbledhur votat e PD, Polit të Tretë dhe M5S në zgjedhjet e fundit politike rezulton se do të kishin mundur të fitonin një pjesë të mirë të kolegjeve uniemërore dhe, për pasojë, zgjedhjet. Natyrisht që nuk funksionon kështu. Politika nuk bëhet në letër. Nuk ka shumë kuptim të qahet mbi qumështin e dershur. Gjëja më mbresëlënëse është se kandidatët e një kolaicioni alternativ me atë që solli në pushtet Hitlerin (nacionalsocialistë plus konservatorë të qendrës, atëbotë të konsideruar edhe më djathtas se nazistët) vazhduan të grindeshin fuqishëm, edhe pas humbjes. Komunistët i quanin “socialfashistë” socialdemokratët. Socialdemokratët qenë të bindur (jo pa arësye) se komunistët qenë të pabesueshëm, se objektivi i tyre ishte vetëm dobësimi i SPD. I ankoheshin se patën votuar në Rajhshtag bashkë me nazistët për të mbytur qeveritë reformiste. Një diskutim pak më i errët vazhdoi edhe pas emërimit të Hitlerit si kancelar. Dikur propozonte të bashkohej e majta. Të tjerë propozonin një lloj “fushe të gjerë”. Mazhoranca mbetej e kapur pas një vizioni “klasor”: borgjezia (liberale apo koservatore që të ishte) nga njëra anë, klasa punëtore nga ana tjetër, Mittelstand, klasa e mesme e vjetër, në mes. Natyrisht që përfunduan për të humbur si njëra palë, ashtu edhe tjetra. Të tjerë propozonin që Partia Socialdemokrate e lavdishme të shkrihej në lëvizje. Sindikatat mendonin se mund të vazhdohej të ushtrohej zanati i tyre cilidoqoftë që ishte në qeveri. Nuk patën kohë të bënin një diskutim serioz, të shpiknin as liderë të rinj, as të vlenin. U përlanë, të gllabëruar nga zhvillime që nuk i kontrollonin dhe ndoshta as nuk i kuptonin. “Qemë në mëshirë të ngjarjeve më shumë se cilado parti tjetër e çdo vendi tjetër”, do të thoshte Wels, tashmë në ekzil, në Kongresin e Internacionales Socialiste në gushtin e 1933.

Megjithatë, SPD nuk ishte partiçkë. Në 1928, kur nazistët qenë akoma në 2.6%, kishte marrë e vetme 29.8% të votave. Qeveriste Prusinë, që e vetme kishte 2/3 e popullsisë dhe të territorit të Gjermanisë dhe të landeve të tjera. Kishte 889 kryebashkiakë, dhjetëramijëra këshilltarë komunalë. Botonte mbi 200 gazeta. Kishte një prani kapilare në territor, me 9544 seksionet e saj. Me diçka si 200000 funksionarë me rrogë ishte kompania kryesore e vendit. Kishte 1 milion anëtarë partie, të cilës i shtoheshin rreth 5 milion anëtarët e ADGB (Allgemeiner Deutscher Gewerkschaftsbund, Federatës së Përgjithshme të Sindikatave), dhe 3 milion anëtarët e Reichbanner, shoqatës paraushtarake të vetëmbrojtjes, plus një miriadë shoqatash kulturore, kooperativash, shoqatash sportive, qarqesh rikrijuese, me miliona anëtarë. Kishin tufa me kuadro dhe drejtues. Megjithatë gjithçka u daravit si dëbora në diell, në më pak sesa thuhet. U deshën pak më shumë se 10 vjet që të kalonte furtuna Hitler dhe SPD të rilindëte nga gërmadhat. Pa ju dashur ta ndryshojë emrin: Partia Socialdemokrate në Gjermaninë Federale, me një mbiemër më shumë, Partia Socialiste e Bashkuar në Gjermaninë Lindore. Gjaku nuk është ujë. SPD quhet akoma partia e kancelarit Scholz. Një rindërtim i kënaqshëm i këtyre ndodhive mund të gjendet tek German Social Democracy and the Rise of Nazism i Donna Harsch (University of North Carolina Press 2009). Një përmbledhje e saktë e debateve dhe e humbjes progresive të kuptimit të realitetit nga ana e drejtuesve të socialdemokracisë gjermane (për të mos folur për të tjerët) është në tashmë klasikun Kriza e Weimar. Krizë e sistemit dhe humbje operative e Gian Enrico Rusconi. Mbi figurat kryesore në lidershipin e SPD: Confronting Hitler: German Social Democrats in Defense of the Weimar Republic, 1929-1933 i William Smaldone.

(nga Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

VOA: Dhjetëra Monumente në “rrezik” në Shqipëri

18 Prilli shënon Ditën Botërore të Monumenteve, shumë prej të cilave janë në gjendje kritike …

Leave a Reply