Skandal/Rama nuk lejon zbatimin e vendimit të Gjykatës për gjobën 100 milionë euro ndaj Bankers

Nga Klodian Tomorri

Prej muajsh qeveria po kërcënon familjet shqiptare me sakrifica të rënda për shkak të krizës financiare, të shkaktuar nga situata energjetike dhe rritja e pandalshme e çmimeve. Por teksa familjet po paguajnë faturën e rëndë të krizës, dikush në nivelin e lartë të administratës po bën pazar 100 milionë euro me gjobën e Bankers Petroleum.

Në 21 mars të këtij viti, Gjykata e Lartë shpalli një vendim, i cili praktikisht i hap rrugën adminsitratës doganore që të ekzekutojë gjobën 100 milionë euro ndaj Bankers. Në vendim, Gjykata e Lartë ka rrëzuar si të paligjshme vendimet mëparshme të dy gjykatave të shkallëve më të ulëta, asaj Adminstrative të Shkallës së Parë dhe Apelit të Tiranës, të cilat pengonin shtetin të vilte gjobën.

Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga shpallja e vendimit të Gjykatës së Lartë, Dogana nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të arkëtuar paratë. Ky hezitim i autoriteteve shtetërore për të vjelë taksat që u janë vjedhur qytetarëve përmes evazionit me akcizën e holluesve, hedh dyshime të forta se dikush në nivelin e lartë të administratës po bën pazar.

Historia e gjobës

Qeveria shqiptare e gjobiti kompaninë “Bankers Petroleum” me shifrën rekord 100 milionë euro për evazion të rëndë fiskal pas një hetimi dyvjeçar të kryer nga drejtoria e përgjithshme e doganave.

Sipas hetimit, gjatë viteve 2014-2018, kompania “Bankers Petroleum” kishte shmangur të paktën 25 milionë euro detyrime akcize për lëndën e parë, që përdoret në prodhimin e naftës bruto. Bëhet fjalë akcizën e një karburanti gjysmë të gatshëm, i njohur me emrin solar, i cili përdoret për të holluar naftën bruto.

Në vitin 2014 Qeveria Shqiptare vendosi ta taksojë solarin me akcizë pasi dyshonte se ky produkt edhe pse deklarohej si lëndë e parë për prodhimin e naftës ishte duke u shitur në treg duke krijuar kështu një skemë gjigande evazioni. Por edhe ndryshimi i ligjit nuk arriti ta mbyllë plotësisht skemën e evazionit dhe shkak u bë një vendim i Gjykatës Administrative në dhjetor të 2014-ës, i cili shfuzioi dy akte administrative të doganave për të vjelë akcizën nga Bankers. Ky vendim duket se coroditi drejtorinë e përgjithshme të doganave për disa vite rresht edhe pse ministria e financave këmbëngulte për vjeljen e taksave.

Përplasjet mes shtetit dhe kompanisë duket se i hapën rrugë një hetimi të hollësishëm në vitin 2017, i cili ka vazhduar për gati dy vjet. Pas hetimit, dega e Doganës në Fier konstatoi 25 milionë euro evazion nga Bankers Petroleum dhe sipas ligjeve në fuqi e gjobiti kompaninë edhe me 300 për qind të detyrimit, pra me 75 milionë euro të tjera.

Por ekzekutimi i gjobës u bllokua. Në vitin 2019, ish ministrja e Financave, Anila Denaj nxorri një urdhër për pezullimin e ekzekutimit të gjobës duke e justifikuar me frikën nga pasojat gjyqësore. “Ne e kemi deklaruar pse e kemi pezulluar gjobën. Procesi i pezullimit është bërë për të marrë referenca nga avokatura e shtetit dhe instanca të tjera. Po e theksoj nuk është falje por është një pezullim” deklaroi Denaj në sallën e Parlamentit.

Por tashmë që institucioni më i lartë i gjyqësorit për çështjet administrative, Gjykata e Lartë, ka marrë vendim t’i hapë rrugë ekzekutimit të gjobës, hezitimi i shtetit nuk ka asnjë justifikim ligjor. Përveç pazareve korruptive që mund të bëhen në skutat e errëta të administratës. Paratë e buxhetit ndahen në pazare private, ndërkohë që shqiptarët kërcënohen me 5 fishim të çmimit të energjisë.

About Redaksia

Check Also

Katërfishohet taksa e pronës

Taksa e banesës, që do të nis të aplikohet prej 2026, do të rrisë detyrimin …

Leave a Reply