Sot triumfoi Procesi i Berlinit!

Nga Bujar LESKAJ 

– Projekti hegjemon serb i “Ballkanit të Hapur”, nga sot ka marrë fund

Sot në Samitin (mbledhjen e nivelit më të lartë) e Berlinit, në praninë e kancelarit gjerman Olaf Schulz dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, drejtuesit e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovines, Malit te Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë firmosën Marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshjen mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.

Bashkimi Evropian do t’i ndihmojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me një fond disa qindra milionë euro, i cili do të livrohet menjëherë, për të përballuar emergjencën e furnizimit me energji elektrike në këtë dimër shumë të vështirë 2022-2023. Shqipëria do të marrë 80 milionë euro, ndërsa Kosova 75 milionë euro.

Qëllimi i Samitit, sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë gjermane, është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen edhe me shume anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky proces ka nisur në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë (i) përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe (ii)integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi përqëndrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Me nënshkrimin e tre marrëveshjeve bazë në Samitin e Berlinit, sot ka marrë fund projekti hegjemon serb “Ballkani i Hapur” dhe ka triumfuar Procesi i Berlinit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ky kërcenues i hapur i sigurisë dhe stabilitetit ne rajon, me ide dhe me mjete ushtarake, nuk ka pasur fytyrë të marrë pjesë sot në Samit.

Lideri Global Edi Rama, megjithë maskën buzëqeshëse që sot i vuri fytyrës, ishte personi më i trishtuar në Samit, pse Presidenti serb mungonte. Rama mentor dhe vëlla ka Vuçiçin, ndërsa Albin Kurtin e ka shok dhe të njohur(!).

Procesi gjysmak “Ballkani i Hapur” prodhoi një dyshe Vuçiç-Rama, sa absurde aq edhe minuese të interesave të integrimit kombëtar shqiptar në rajon, ndërkohë që Kosova, me këtë proces surogat, me pjesëmarrës vetëm gjysmën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, u ndje e tradhëtuar, e injoruar dhe përkohësisht iu dëmtua realisht perspektiva e integrimit rajonal.

Sot në samitin e Berlinit, përparësitë e rajonit gjetën vendin e tyre dhe kryesuesi i takimit, Kancelari gjerman Olaf Scholz, bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara nga 6 vendet për letërnjoftimet dhe diplomat.

About Redaksia

Check Also

Telefonata e Ramës, si thirrja e një kapo bande

Nga Andi BUSHATI Skandali i shumfishtë i telenovelës mes Edi Ramës dhe televizionit publik italian, …

Leave a Reply