Pse dhe kujt i mungoi Aleksandër Vuçiç në Samitin e Berlinit?

ENVER BYTYÇI

Në Berlin rifilloi Procesi i Berlinit! Aktorët kryesorë rajonalë të Ballkanit Perendimor, përkatësisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut Zaev dhe Kovaçevski, si dhe disa politikanë tjerë si Dritan Abazoviç, Ali Ahmeti etj, prej tri vitesh u përpoqën ta zhbëjnë këtë proces të nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Këta aktorë panë te Procesi i Berlinit pengesën kryesore të procesit të ushtrimit autoritar të pushtetit të tyre në vendet përkatëse, ndaj dhe iu kundërvunë ideve novatore të Gjermanisë. Prandaj dhe krijuan një nismë tjetër paralele e zëvendësuese, atë që quhej “Minishengen” ose “Open Balkan”! Përmes kësaj iniciative që nisi në Novi Sad në nëntor 2019, liderët autokratë Rama-Vuçiç, u përpoqën të akomodojnë veten e tyre në një politikë gjoja bashkëpunimi, por që rezultoi si politikë e përçarjes, dasive dhe e konfliktit të ringjallur. Nga gjashtë vende të rajonit, pjesë e “Open Balkan” u bënë vetëm një dhe dy gjysmë-vende. Them dy gjysmë-vende, sepse në Shqipëri presidenti dhe opozita ishin kundër kësaj iniciative. Sepse në Maqedoninë e Veriut po ashtu presidenti dhe opozita ishin dhe janë kundër “Open Balkan”. Ndërsa tri vendet e tjera, Kosova, Mali i Zi dhe BH nuk u bënë asnjëherë pjesë e tij. Në fakt është Kosova ajo që e varrosi Open Balkan!

Dje në Berlin rilindi Procesi me të njëjtin emër dhe njëkohësisht u varros “Open Ballkan”. Kryeministri Rama u përpoq të thotë se marrëveshjet e nënshkruara sot në samitin e Procesit të Berlinit do të nënshkruheshin edhe nga “Ballkani i Hapur”! Qëllimi ishte të shfaqte pakënaqësinë e tij për rikthimin e Berlinit! Kjo pakënaqësi e tij lidhet me faktin se Edi Rama e kishte bast të tijin “suksesin” e Open Balkan! Prej tri vitesh e ka reklamuar si sfidë të vetën dhe të vëllait të tij binjak, Aleksandër Vuçiç!

Ky i fundit nuk ishte sot në samit. Dërgoi atje kryeministren Bernabiq. Kryeministri i Kosovës pohoi se nuk e ka ndjerë mungesën e Vuçiç në Berlin. Albin Kurti tha se „dikujt ndoshta ai i mungoi, por jo mua“! Nuk e dimë nëse zoti Kurti stigmatizoi kryeministrin e Shqipërisë si personi të cilit i ka munguar Vuçiç në Samitin e Berlinit! Megjithatë presidenti i Serbisë duket se ka një arsye pse nuk shkoi në Berlin! Ose më saktë, ka disa arsye.

Së pari, mungesa e Vuçiç në samitin e djeshëm lidhet me dëshpërimin e tij për “varrosjen” e gjithë atij investimi që ai ndërmori me Ballkanin e Hapur. “Open Balkan” u varros dje. Dhe ka të drejtë në këtë pikë. Investimi i Vuçiç për Minishengenin e shndërruar me ndërhyrjen e Sorosit si Open Balkan është i jashtëzakonshëm. Sidomos në burimet njerëzore. Nuk besoj se kanë punuar falas Edi Rama, Zaev, Abazoviç e të tjerë politikanë të angazhuar në këtë skemë. Që do të thotë se Beogradi pati zgjidh qesen dhe harxhoi shumë në tri vitet e shkuara! Ky investim është menaxhuar nga Aleksandër Soros, por burimi i tij është Beogradi! Ndërkohë zoti Vuçiç humbi shansin të bëhet “një Tito i Ri”! D.m.th ta çojë në vend projektin e krijimit të një Jugosllavie të Re, sipas eksperiencës së AVNOJ-t! Ndaj dëshpërimi i tij është shumë-planësh dhe pret që opozita serbe ta godasë fort.

Së dyti, Aleksandër Vuçiç duket se dëshiron t’ia kalojë përgjegjësitë kryeministres Brnabiq. Po shkohet drejt pikës së nxehtë për Serbinë. Kjo lidhet me detyrimin për të vënë sanksione ndaj Rusisë dhe me mbylljen përfundimtare të konfliktit Kosovë-Serbi. Ndaj mendoj se ai në mënyrë të pandershme dëshiron të fshihet si struci. Të largojë përgjegjësinë e tij nga këto akte, të cilat opinioni serb do t’i konsiderojë si “tradhti”! Precedenti i Vuka Brankoviçit të Betejës së Fushë Kosovës i del atij në ëndërr. I druhet përgjegjësisë historike. Prandaj ka ngrit kurthin për kryeministren Brnabiq.

Së treti, presidenti serb nuk do t’i ketë më ato marrëdhënie vëllazërore binjakësore me Edi Ramën dhe politikanë të tjerë të rajonit, sepse këta gradualisht do të tërhiqen prej lidhjeve të hapura me Beogradin. Edhe këta, përfshirë Edi Ramën, për shkak se nuk duan të marrin përgjegjësi historike dhe do të përpiqen që të dalin nga bataku i kohëve të shkuara të dhjetëvjeçarit të fundit! Tërheqja e Vuçiç lidhet si me ikjen nga një konflikt me Vladimir Putin, po aq me vazhdimësinë e investimeve për aventura të tjera, si ajo e “Open Balkan”!

katërti, presidenti serb nuk donte të përballej me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe dy autoritetet më të larta të Brukselit. Në kushtet kur do t’i kërkohej distancimi nga Moska dhe akomodimi me politikat evropiane në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Që do të thotë edhe pranimin e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën. Ai nuk e ka ende një përgjigje për këto dy çështje. Nuk kishte asgjë t’u thoshte zotit Scholz dhe zonjës Ursula von der Leyen.

About Redaksia

Check Also

O lider global, fol një fjalë bre burrë, a e pe vallen e shqipes në Qatar?

Nga Alba KEPI Fol bre lider, ti qe s’le logo, xhup, fanelle, futbollist e skuader …

Leave a Reply

Your email address will not be published.