Rama përjashton nga taksat investitorin e Mega-aferës së Portit të Durrësit

Investitori që do të zhvillojë projektin e “Durrës Yachts & Marina” do të përjashtohet nga pagesa e taksës së infrastrukturës dhe ajo e strehimit social.

Në një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike të miratuar pak ditë më parë, ku është bërë kalimi i masave mbështetëse te kompania e përbashkët, që do të krijohet nga investitori dhe shteti shqiptar, nënvizohet edhe kjo pikë.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet për Durrësin në 4 për qind (të vlerës së shitjes së një m2 ndërkohë që fondi që kalon për strehimin social është 3 për qind e sipërfaqes së ndërtimit. Vlera që nuk do të paguhet në taksa do të jetë pjesa e kontributit të shtetit shqiptar në investim.

“Duke pasur parasysh nevojën dhe rëndësinë e zbatimit të këtij projekti, propozohet që projektligji me të cilën kjo marrëveshje do të miratohet në Kuvend, të miratohet me procedurë të përshpejtuar si dhe në përmbajtje të përfshijë regjimet e posaçme të realizimit të tij, e posaçërisht e pa u kufizuar në:

– Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit” të përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, në kushtet që vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi.

– Dhënia e lejeve, licencave dhe akteve të tjera administrative të nevojshme për realizimin e projektit e Investimit Strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, të bëhet sipas legjislacionit në fuqi, por në çdo rast brenda një afati prej 150 ditësh.

– Pronat e paluajtshme shtetërore, të transferuara në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, me Vendim të Këshillit të Ministrave t’i kalojnë në pronësi shoqërisë “Albanian Seaports Development Company” SHA”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, “Albanian Seaports Development Company” SHA që përfaqëson interesat e shtetit shqiptar do të jetë mbajtëse e 33 për qind të aksioneve ndërkohë që pala private do të mbajë 67 për qind të tij.

Po kështu nënvizohet se projekti i konceptuar si një projekt i integruar turistik do të bashkë-zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 (tetëqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind metra katrorë) në Portin e Durrësit si dhe në marinën e portit (“Territori i Projektit”) sipas parashikimit të VKM Nr. 861, datë 29.12.2021, i ndryshuar.

“Projekti do të zhvillohet në dy faza relativisht të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë, por që do të jenë të integruara në përfundim të projektit. Buxheti/kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë €2,081,347,054 (dy miliardë e tetëdhjetë e një milion e treqind e dyzetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e katër Euro). Investimi total në Fazën 1 vlerësohet të jetë €595,256,904 dhe për Fazën 2, €1,486,090,150 përfshirë dhe taksat”, thuhet në vendim.

Qeveria miraton marrëveshjen

Javën e shkuar qeveria miratoi marrëveshjen mes palës shqiptare dhe investitorit për projektin e Ballinës Ujore të Durrësit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se pavarësisht investimit në kohë nga pala private aksionet e shtetit shqiptar do të mbeten të njëjta.

“Qeveria miratoi marrëveshjen kuadër mes qeverisë shqiptare, Eagle Hills Real Estate Development dhe Albanian Seaports Development Company. E gjithë kjo është një marrëveshje kuadër që lidhet me ndërtimin e Ballinës Ujore në Portin e Durrësit si dhe Portin e Jahteve. Forma e bashkëpunimit të shtetit në këtë marrëveshje u miratua përmes pjesëmarrjes së shtetit në një shoqëri të përbashkët me investitorin privat. Kjo shoqëri e krijuar nga privati dhe publiku do të zhvillojë projektin dhe do të përfitojë prej tij duke qenë mbajtësi i masave mbështetëse.

Për herë të parë Republika e Shqipërisë është mbajtëse e aksioneve sa i takon një projekti kaq të madh, 2 miliard euro investim. Parashikohet në mënyrë direkt dhe indirekt punësimi i 12 mijë personave. Ky projekt e vendos Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të turizmit. Kjo projektmarrëveshje reflekton të qartë të drejtat dhe detyrimet e secilës palë pjesëmarrëse në këtë projekt.

Duhet të themi që marrëveshja do të kalojë në parlament pasi të kalojë në komisione. Pjesëmarrja shtetërore propozohet në nivele të tilla që nuk shuajnë ose reduktojnë ndjeshëm riskun operacional të investitorit. Pavarësisht veprimeve të aksionerit privat pra mund të shtojë kapitalin në vite kuota e aksionerit shtetëror nuk do të ndryshojë. Bregdeti deti përkatës dhe brigjet mbeten prona shtetërore të patjetërsueshme. Ato do t’i nënshtrohen pastrimit ambiental”, tha Balluku.

Projekti i Durrës Marina & Yachts

Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin.

Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.

Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit.

Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.

Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet./MONITOR

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nderim Xherdan Shaqirit! Vuçiç dhe vasali i tij Rama në zi!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka përshëndetur dy futbollistët shqiptarë Xherdan Shaqiri për golin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published.