Varfëri ekstreme në Kamzë, në çdo dyqan merren ushqime me listë

Lista me borxhe nëpër dyqanet e vogla të qyteteve dhe fshatrave. Në fakt, fletët e mbushura me emra njerëzish janë faqet e librit të varfërisë që shkruhet përditë. Bashkia e Kamzës ka popullsi prej 120 mijë banorësh, rreth 600 familje trajtohen me ndihmë ekonomike. Ushqimet me lista është dukuria që e hasim nëpër lagjet e këtij qyteti, gati 10 km larg Tiranës. Kjo që mbaj në dorë është fletorja e borxheve të Ferizit, zotërisë që ka një dyqan fruta-perimesh dhe ushqimore në Kamzë.

“Mora 100 mijë lekë pensionin. Sa pagova 70 mijë lekë dritat, 20 mijë ujin dhe 10 mijë më mbeten. Kam marrë ushqime me listë këtu, tek dyqani matanë gjithashtu. Sot po blej 5 vezë dhe 1 kilogram miell. Deri tani borxhet që kam nëpër dyqane kanë shkuar rreth 150 mijë lekë. Fëmijët nuk mund të na ndihmojnë, pasi nuk kanë për vete. Blej bukën, vajin, kripën. Jam 85 vjeçe dhe më zuri varfëria tani në pleqëri, se nuk kam qenë kështu e varfër, kurrë. Edhe sot nuk do të paguaj para”.

Shënoma emrin në listë, i thotë nënë Bajamja shitësit.

“Këtu në këtë dyqan nuk kam marrë ende ushqime me listë, por në vend tjetër kam marrë gati 250 mijë lekë për ushqime. Ne punojmë për ngrënë një copë bukë. Po të kisha mundësi, do të ikja me gomone, sepse jam bërë për të ikur”, thotë një qytetare tjetër.

“Janë rreth 15-20 njerëz në ditë që blejnë me listë, vezën, miellin, sheqerin, vajin. Më kanë borxh rreth gjysmë milion lekë deri tani. Si këtë vit nuk ka qenë kurrë kaq keq, në 4 vite që unë e kam këtë dyqan”, shprehet shitësi.

“Unë e kam marrë me qira këtë ushqimore dhe listën e borxheve që kishte ajo para meje e mbylla. Por në fund të muajit do ta lë edhe unë, nuk përballohet dot, s’ia vlen,”- shprehet një tjetër.

“Në Greqi unë paguhem 80 euro dita, ndërsa këtu punëtorin e paguaj 20 mijë lekë, por nuk kam gjetur njeri deri tani”.

“Unë jam hekurkthyes, lidh hekur në ndërtim. Më thonë hajde puno për 25 mijë lekë dita. Paratë e punëtorit i hanë përgjegjësit. Nuk ia vlen fare të punoj unë për përgjegjësin. Që të hajë një punëtor këtu në Shqipëri duhet të paguhet 35 mijë lekë dita. Nuk paguhet punëtori në Shqipëri, kështu nuk bën. 1 litër qumësht kushton 2000 lelë, një dorë mish 15 mijë lekë. Shihe më sy e plas me zemër i thonë kësaj. Këtë bukë misri e kam blerë 700 lekë, do t’ua çoj fëmijëve në shtëpi. Shpresa e fundit është të ikësh nga Shqipëria“, thotë qytetari.

Kjo nuk është vetëm një fletore borxhesh, por libër varfëerie, faqet e të cilit shkruhen përditë nëpër dyqanet e qyteteve dhe fshatrave tona./ Top Channel

About Redaksia

Check Also

Zhupa takon fermerët në Konispol: Bashkia na ka braktisur! Na mashtrojnë vetëm për vota

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në takimin me fermerët në Konispol u njoh me …

Leave a Reply

Your email address will not be published.