SKY News: Shqiptarët po largohen se nuk kanë shpresë në vendin e tyre!

Nga Siobhan Robbins, SKY NEWS

Në një kafene në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, shohim një video drithëruese të një gomoneje të mbushur me 44 emigrantë shkonin drejt Anglisë përmes La Manshit.

Trafikuesit i kishin ngjeshur mirë. Çdo person më tepër do të thotë më tepër pará.

Kishte vetëm katër a pesë jelekë shpëtimi për gjithë varkën.

“Kisha shumë frikë, sepse nuk kishte mjaftueshëm jelekë shpëtimi”, thotë shqiptari 32-vjeçar që duke na treguar videon e filmuar muajin e kaluar. “Nuk e mendova shumë. Ndërmorëm rrezikun dhe shumica e njerëzve kishin frikë”.

Ai hipi në atë varkë atë ditë pasi iu pagoi trafikantëve kurdë 3,500 euro për ta kaluar në Angli.

Pasi shkoi me makinë nga Shqipëria përmes Evropës deri në Belgjikë e më pas në Francë, ai priti në kamp për sinjalin e kohës së nisjes. Është një nga më tepër se 12 mijë shqiptarët që kanë hyrë ilegalisht në Angli me varka të vogla gjatë këtij viti.

“Kur hymë në ujërat angleze, njoftuam policinë angleze ‘jemi në rrezik, mund të na ndihmoni?’ Ata erdhën e në nxorën në breg”.

Pak ditë më pas e kishin kthyer në Shqipëri, por historia e tij është një nga të shumtat.

Pamje të udhëtimeve gjenden me lehtësi në median sociale, si edhe reklamat nga trafikuesit për ulje çmimi.

Janë oferta joshëse për shumë në Shqipërinë verilindore, qoshja më e varfër e njërit prej vendeve m të varfër në Evropë.

Pagat janë të ulëta, punë nuk ka, dhe njerëzit duan të ikin.

Aleksi, emri i të cilit është ndryshuar, është një nga mijëra që kanë paguar trafikantët për t’i çuar në Angli, ku punoi në të zezë disa vjet para se ta kthenin.

“Sikur të kisha mundësi, do të shkoja që tani në Angli”, thotë. “Këtu s’ka punë, s’ka asgjë… punon 10 orë për 10 paund, praktikisht këtu nuk jetohet”.

Rasti i tij nuk është i izoluar, shumica e emigrantëve shqiptarë vijnë nga ky rajon.

Në një fshat, kreu i komunitetit na tha se popullsia është ulur nga dy mijë në 400 që nga rënia e komunizmit.

Disa kanë shkuar në qytet, por shumë të tjerë ikën jashtë.

Në qytetin e Kukësit aty pranë është e njëjta histori. Njerëzit na thonë se çdo familje ka dy a tre anëtarë që jetojnë në Britani.

Disa janë atje ilegalisht, të tjerë jo.

Pse është një destinacion kaq i ëndërruar, pyes.

“Kur mendoj për Britaninë, mendoj për një jetë të mirë – jo vrasje, jo drogë – kjo është ajo që mendoj”, thotë një burrë që e quan veten David. Nuk është emri i tij i vërtetë, e ka ndryshuar sepse edhe ai ka kaluar kohë ilegalisht në Britani.

Ai nuk pagoi trafikantë, por shkoi në Francë, kaloi rrethimin e një parku kamionësh dhe u fsheh në një prej tyre që shkonte në Angli. Punoi atje pesë vjet para se ta kthenin. Thotë se iu desh të shkonte për të punuar e për të mbajtur familjen.

“Disa ju quajnë kriminelë. Po ti, je kriminel?”, e pyes.

“Jo, jo, jo, jo, jo, absolutisht jo. Nuk dua ta dëgjoj këtë fjalë. Kush e thotë, gënjen. Shqiptarët nuk janë kriminelë. Shqiptarët janë njerëz të mirë, kanë kulturë. Ne të gjithë punojmë shumë”, përgjigjet.

“Por edhe ti ke shkelur ligjin për të vajtur atje. Ke shkuar ilegalisht”, i them.

“Po, ilegalisht. Por të gjithë ashtu shkojnë. Të thashë, për një jetë më të mirë”.

Numri i shqiptarëve që vijnë me varka ka shkuar nga 800 në 2021 në 12 mijë në 2022. Rreth 10 mijë prej tyre janë djem të rinj, baras me rreth 1% të meshkujve në moshë pune, sipas Eurostat.

Statistikat e Home Office tregojnë se mesatarisht 53% e kërkesave për azil nga shqiptarët miratohen, kryesisht për gra e fëmijë.

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman u shpreh për një “pushtim” nga azilkërkuesit, një koment që shumë besojnë se ka ndihmuar fare pak për zgjidhjen e problemit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama më tha: “Nuk dëgjova kurrë ndonjë ndjesë, çka më bën të besoj se në vend të një shprehje të ekzagjeruar të momentit ky ishte një sulm i llogaritur. Dhe kjo është më shqetësuese. Kur kërkon ndjesë, jemi në rregull, gjëra që ndodhin. Kur nuk kërkon ndjesë e i shmangesh, atë kjo do të thotë se ti dëshiron të arrish diçka me atë që thua. Do të thotë se ka llogaritje nga pas, do të thotë se po iu flet një numri votuesish që duan t’i dëgjojnë këto fjalë. Dhe ti ua bën qejfin, sepse të duhen votat e tyre. Por pasojat mund të jenë shkatërruese për njerëzit, por njerëzit tanë në Britani e për vetë Britaninë”.

Ai thotë se shpesh ka hedhur idenë e një force të përbashkët me Britaninë për të goditur trafiqet.

Por duke qenë kryeministër që më 2013, pyes se sa përgjegjësi mendon se ka ai vetë për ndjesinë e të qenit pa shpresë, çka i bën njerëzit të largohen.

“Është e vërtetë që njerëzit e thonë këtë dhe është e vërtetë edhe që tani është një periudhë me ndikim të keq përgjithësisht në botë, për shkak të luftës, për shkak të krizës pas pandemisë”, thotë.

“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të bëjmë gjithçka për të përmirësuar situatën këtu e të bëjmë më të mirë për këdo. Por dimë edhe se çfarëdo që të bëjmë, Shqipëria nuk do të bëhet kurrë Londër, nuk do të bëhet Paris, nuk do të bëhet Berlin”.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha: “Po shohim numra të mëdhenj shqiptarësh që rrezikojnë jetën dhe bëjnë udhëtime të rrezikshme e të panevojshme drejt Britanisë. Numri po rritet dhe kjo nuk do të vazhdojë. Në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë, po shfrytëzojmë çdo rast për të goditur bandat e krimit të organizuar dhe trafikantët e njerëzve, si dhe për të përshpejtuar kthimin e shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar”.

Ndërsa dhjetëra mijëra shqiptarë jetojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, të tjerë e të tjerë rrezikojnë jetën në det. Pa iu kthyer shpresën në vendin e tyre dhe pa bashkëpunim më të madh nga jashtë, ata do të vazhdojnë të vijnë.

About Redaksia

Check Also

Zbulohet ortakëria e Olsi Ramës me Amant Josifin në kërkim ndërkombëtar për 2.2 miliardë euro mashtrim

Mandati i arrestit ndërkombëtar për Amant Josifin erdhi pas disa shkrimeve investigative në mediat e …

Leave a Reply

Your email address will not be published.