Zëri i Amerikës: Shqetësuese gjuha e urrejtjes në Parlament

Ekspertë të organizatave joqeveritare në Shqipëri po shprehin shqetësimin mbi gjuhën e urrejtjes që po shfaqet, gjithnjë e më shumë, në shoqërinë shqiptare. Sipas ekspertes së Qendrës Europiane, Kris Kllapi, gjuha e urrejtjes tashmë manifestohet në politikë, parlament, media dhe rrjetet sociale, të cilat, vitet e fundit, kanë njohur një përhapje të gjërë, kryesisht mes të rinjve.

“Për fat të keq, gjuha e urrejtjes shfaqet më tepër në politikë dhe, së fundmi, edhe në media. Shfaqet në mënyrën e saj më klasike, pra përmes ligjëratave, përmes diskutimeve, por, kohët e fundit, gjuha e urrejtjes ka filluar të shfaqet shumë edhe përmes formave të tjera siç mund të jenë vidiot apo montazhet e shkurtëra që paraqiten në rrjetet sociale siç mund të jenë instagrami, tik-toku, facebooku”.

Ekspertja e Qendrës Europiane, Kris Kllapi, thotë se përgjithësisht gjuha e urrejtjes, e shfaqur në politikë apo në parlament, reflektohet më pas edhe në media duke rritur përmasat e fenomenit. Por, në përditshmëri, gjuha e urrejtjes , shton ajo, drejtohet edhe ndaj komuniteteve më të dobëta dhe, jo rrallë, edhe ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Për punonjësen sociale pranë qendrës “Gruaja tek gruaja”, Tonilda Çela, gjuha e urrejtjes shoqërohet me pasoja të rënda kryesisht tek gratë dhe vajzat. Ajo shton se, si pasojë e gjuhës së urrejtjes, vitet e fundit janë shtuar rastet e dhunës fizike dhe asaj psikologjike ndaj grave.

“Si punonjëse sociale e një organizate për çështjet sociale, ku punoj me gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës në familje, mundem me thanë se kjo gjuhë e urrejtjes, në pjesën më të madhe të rasteve, çon drejt këtyre pasojave siç është, forma më e shpeshtë, dhuna psikologjike dhe dhuna fizike. Por, nuk përjashtohen edhe rastet që i përkasin dhunës ekonomike dhe asaj seksuale, të cilat janë më pak të raportuara, por sigurisht që ndodhin në vendin tonë”.

Përveç mediave, edhe interneti dhe përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale po nxisin fenomenin e dhunës virtuale dhe gjuhës së urrejtjes. Më së shumti janë adoleshentët, vajzat dhe gratë që bien pre e kërcënimeve online, prej të cilave, sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, vetëm 3% e rasteve arrijnë të raportohen.

Përfaqësuesja e koalicionit “Bashkë për fjalën e lirë”, Fjona Bashi, thotë se është e rëndësishme të kuptohet se jo çdo gjë në internet apo rrjetet sociale është e dobishme dhe se gjuha e urrejtjes në komunikimin përmes rrjeteve sociale shoqërohet me shtimin e konflikteve.

Për eksperten e Qendrës Europiane, Kris Kllapi, në Shqipëri ekzistojnë instrumentet për frenimin e gjuhës së urrejtjes, por ato nuk janë të efektshme.

“Në Shqipëri ka instrumenta siç është legjislacioni i kodit civil, kodi penal, Komisioneri për mbrojtjen ndaj diskriminimit, Avokati i Popullit, shoqëria civile, e cila bën një punë shumë të mirë, por mendoj se asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të ndërgjegjësuar dhe për të qenë më të ndërgjegjshëm për efektet që mund të ketë gjuha e urrejtjes”, thotë ajo.

Ndërkohë, ekspertët rekomandojnë krijimin e një regjistri me të dhëna përsa i përket rasteve të gjuhës së urrejtjes, raportimin e tyre nga ana e strukturave shtetërore si dhe fuqizimin e legjislacionit, i cili është i pamjaftueshëm, sipas tyre, përsa i përket evidentimit dhe dënimit të gjuhës së urrejtjes./VOA/

About Redaksia

Check Also

Gazetarja denoncon skandalin tjetër/Drejtorët i dhanë vetes tenderin për prishjen e 22 pallateve

Ola Xama ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli …

Leave a Reply