“E duam Rusinë, prandaj e urrejmë”

Sana Krasikov është bijë e një nëne ukrainase dhe e një babai gjeorgjian dhe jeton në NewYork: debuton me «Patriotët»; Mikhail Shishkin la lindur në Moskë dhe jeton në Zvicër: sapo ka botuar «Russkimir: luftë apo paqe?». Këtu dialogojnë mbi Putinin dhe të ardhmen e vendit.

Patriotët (shtëpia botuese Fazi), roman debutues i Sana Krasikov, rrëfen historinë e një amerikaneje që emigron në Rusinë e viteve ’30 duke ndjekur një utopi dhe duke refuzuar kapitalizmin. Do të mbesë e ngecur në Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Vepra e fundit e shkrimtarit rus Mikhail Shishkin, Russki mir: Luftë apo paqe? (shtëpia botuese 21lettere) tregon se në realitet ideologjia e vetme në Rusi është ruajtja e pushtetit. Edhe bolshevikët që besonin se po shpëtonin botën nga kapitalizmi u përdorën për ta shpëtuar perandorinë ruse. Një aktore amerikane e lindur në Ukrainë që banon në New York dhe një shkrimtar rus i lindur në Moskë që jeton në Zvicër: u kemi kërkuar atyre të arësyetojnë me «La Lettura» mbi pushtetin e ideologjisë dhe ideologjinë e pushtetit në Rusi.

Sana Krasikov — Parasëgjithash dua të them se jam entuziaste që flas me Mikhail: është një gjigant, ia adhuroj tregimet dhe është një nga më të mirët që i shkruan. Unë vij nga një bekgraund gjuhe ruse dhe jam rritur në Bashkimin Sovjetik, por nuk e konsideroj veten një shkrimtare ruse, pasi kam jetuar këtu kaq gjatë. Sfida për mua isha të tregoja jetët e kujt adopton një ideologji pa qenë e lindur. Një prej arësyeve për të cilat 12 vite skllav është bindës është se nuk është rrëfeyer nga perspektiva e një skllavi, por nga dikush që vjen nga një botë ndryshe dhe i duhet të përshtatet me rregulla të caktuara si i rritur. Është një përmbysje në botën ku shumë shkrimtarë të mëdhenj rusë, përfshi Mikhail, shkruajnë për Rusinë pasi e kanë lënë. Unë doja të tregoja sesi një mendje amerikane kërkon të përshtatet në Bashkimin Sovjetik: ndihmon kë është i huaj që ta kuptojë këtë sistem. Besimtari i vërtetë i Eric Hoffer e shpjegon mirë: për t’u zhytur në një ideologji të re duhet të pushosh së besuari në dëshminë e vetë shqisave tuaja, syve dhe veshëve, duhet ta çedukosh veten, përpara fazës së  mëtejshme, domethënë të bëhesh një skllav.

Mikhail Shishkin — Faleminderit për fjalët e tua, jam i mallëngjyer. Mendoj se çdo ideologji në realitet është një sistem që vret. Duke filluar nga feja: e pamundur të llogariten milionat e njerëzve të vrarë për shkak të fesë. Sana dhe unë jemi lindur në një shtet ku ideologjia komuniste isjte si feja, qysh nga çerdhja, dhe është përdorur nga sistemi i pushtetit. Sistemi i pushtetit e ndryshon ideologjinë: në fillim ishte ajo e carëve të Moskës dhe feja e vetme e «vërtetë» kristiane ortodokse; pastaj ideologjia sovjetike komuniste; tani kemi të njëjtin sistem pushteti, ama pa ideologji. Tani ideologjia është thjesht së qeni rusë.

Sana Krasikov — Në Perëndim shumë shkruajnë se Putini është i paarësyeshëm dhe i çmendur, por sipas të tjerëve ka një ideologji thuajse fetare prapa putinizmit. Çfarë mendon?

Mikhail Shishkin — Kanë shpikur të ashtuquajturën Russki mir (botën ruse, shënimi i redaksisë.), sikur gjermanët kanë shpikur nazifashizmin: nëse nuk je gjerman, nuk i përket. E keni lexuar ndonjëherë Mein Kampf të Hitlerit? Zëvendësoni në tekst fjalën “gjerman” me “rus” dhe ja ajo që dëgjoni çdo ditë në televizionin rus.

Në çfarë mënyre ideologjia i ka kushtëzuar identitetet tuaja dhe anasjelltas? Mikhaili ka nënë ukrainase dhe baba rus: për të si fëmijë ishte krenar pasi ishte marinar dhe «kishte fituar luftën»; pastaj mësoi se në periudhën 1944 – 1945 ishte përfshirë në mbytjen e anijeve gjermane që evakuoni refugjatët nga Riga dhe Talini.

Sana Krasikov — Është e çuditshme të flasësh për identitet: për ne të komuniteteve rusishtfolëse në Amerikë shumë ka ndryshuar në muajt e fundit për t’ju referuar vetëvetes. Ime më ishte ukrainase dhe unë jam rritur në Gjeorgji, me një raport shumë më indirekt me pushtetin qendror. Kam miq të rritur në Shën Petërsburg dhe Moskë që nuk mund t’i dinin gjëra të caktuara apo që nuk e dinin as që ishin hebrenj. Në Gjeorgji rregullat qenë më pak të ngurta, njerëzit spostoheshin aty për të emigruar. Ideologjia ishte, por nuk përjetohej me skepticizëm. Ndjeheshe një outsider, kishim një kompleks inferioriteti ndaj fëmijëve ushtarake moskovite, mendonim se qenë më të ditur, rusishtja e tyre më e mirë se e jona. Pastaj disa miq tanë më nostalgjikë patën vështirësi më të mëdha për t’u mësuar me jetën amerikane, pasi ndjenin se kishin lënë një kulturë të madhe, ndërsa ne provincialët jo, kështu që në njëfarë mënyre qe një avantazh. Tani jam pjesë e grupeve të prindërve që flasin rusisht: pas fillimit të luftës në Ukrainë të gjitha mailing list kanë ndryshuar emër, duke pushuar së quajturi rus, pse kanë kërkuar falje pasi kanë fjalën «rus» në emrin e organizatës së tyre dhe shpjegojnë se në realitet jemi një përzierje ukrainasish, moldavësh, e të tjera ndërsa më parë i bije shkurt: «Jam një emigrant rus» apo «jam një hebre rus». Edhe unë tani them: «Ime më është ukrainase dhe im atë gjeorgjian». Arësyeja është se Rusia ka nisur t’i pikturojë të gjithë me të njëjtin penel: «E pushtojmë Ukrainën sepse jemi i njëjti popull», por ukrainasit i janë përgjigjur se nuk është e vërtetë. Ka pasur një efekt edhe këtu; disa prej nesh kanë pushuar së përdoruri «rusin» si pjesë të identifikimit tonë. Besoj se kjo, në të mirë apo në të keqe, është permanente.

Mikhail Shishkin — Ndoshta një zgjidhje do të ishte së pushuari së qeni rus, por në rastin tim është e pamundur. Kam lindur në Moskë, kultura ime është ruse, gjuha ime është ruse, jam një shkrimtar rus dhe i përkas letërsisë ruse. Problemi është se ka Rusi e Rusi, ka rusë e rusë. Kujtoj se kur isha 16 apo 17 vjeç lexoja libra të ndaluar, Solzhenicinin e kështu me radhë, dhe kuptova papritmas se isha si një armik, një spiun në vetë vendin tim, pasi nëse do të më zbulonin, do të më arrestonin. Ka qenë fillimi i kësaj traume së të qeni rus, por jo rus, i lindur në këtë vend, por pa i përkitur dhe tani e kam të qartë se ndajmë të njëjtin territor, por jemi mendërisht dhe psikologjikisht dy vende të ndryshme. Ka filluar kur Pjetri i Madh ka ftuar të huajt: ka qenë fillimi i një Rusie tjetër, me vlera të tjera. Dy vende në luftë civile. Nuk dijmë sesi ta quajmë këtë Rusi tjetër: për Dostoevskij qenë rusët europianë, për Stalinin dhe Leninin inteligjenca e kalbur, unë pranoj përkufizimin e Pushkinit (e citon në rusisht, shënimi i redaksisë.). Më ndihmoni ta përkthej?

Sana Krasikov — Njerëz që djalli i ka dënuar se kanë lindur në Rusi me një vetëdije…

Mikhail Shishkin — …me një shpirt. Në 1917 kemi fituar luftën civile: qemë në pushtet. Ama kombi tjetër rus prej 150 milion punëtorësh krahu analfabetë nuk ishte gati për këtë Rusi demokratike dhe të lirë, për ta ishte thjesht një diktaturë e dobët, një diktaturë pa car dhe kishte filluar një periudhë e tmerrshme anarkie dhe kaosi. Kështu që historia e ka përdorur ideologjinë bolshevike për të rivendosur një rend dhe Rusia jonë ishte shfarosur apo ka emigruar. 100 vite më pas është njëlloj: 140 milion rusë jetojnë mendërisht në Mesjetë, për ta imazhi i botës transmetohet në televizion: jemi ishulli i shenjtë në oqeanin armik, vetëm cari mund të na ndihmojë. Kanë shfarosur Rusinë tjetër, nëse i përket asaj je në burg ose i emigruar. Unë i përkas kësaj Rusie që nuk ekziston.

Demokracia është e mundur në Rusi? Çfarë të ardhmeje imagjinoni?

Sana Krasikov — Pasi kam shkruar Patriotët kam menduar: nuk e di nëse mund të shkruaj akoma për Rusinë, pasi kam ndjesinë se asgjë nuk ndryshon. Historia ruse është rrethore, demoralizuese. Sigurisht, Mikhail ka thënë një herë se ajo që është e keqe për njerëzit është e mirë për letërsinë. Unë jam një 40 vjeçare, për shumë vite kam provuar shpresë. Ka edhe që thonë: «Në fund njerëzit do ta kuptojnë», por problemi nuk janë njerëzit, është sistemi: derikur nuk ka mënyrë për ta ndryshuar, nuk ka rëndësi çfarë provojnë apo jo njerëzit. Në të ardhmen shoh në pushtet njerëz të tjerë si Putini apo jo shumë të ndryshëm nga ai.

Mikhail Shishkin — Në librin e tij të mrekullueshëm, më rusi i të gjithë librave të tij, Shpirtërat e vdekur, Gogoli e krahason Rusinë me një trojkë (karrocën me tre kuaj, shënimi i redaksisë.) që fluturon drejt një të ardhmjeje të mrekullueshme – por që për ne ka qenë shekulli i përgjakshëm dhe i tmerrshën i XX rus. Sikur Gogoli të kishte përvojën tonë historike, do ta krahasonte Rusinë me një metro që lëviz në një tunel me dy kahje: nga njëra anë rendi e diktatura; nga tjetra tentativa për të futur demokracinë, e konsideruar nga njerëzit një diktaturë e dobët, anarki dhe kaos. Rusia ka bërë para e prapa mbi këtë tren disa herë në shekullin e XX: nga carët dhe nga perandoria Romanov tek revolucioni; pastaj prapa në perandorinë e Stalinit dhe akoma një tentativë e re në vitet ’90 për ta futur demokracinë që për njerëzit ishte anarki; dhe sërish më pas me Putinin dhe në këtë diktaturë fashiste. Mund ta imagjinojmë stacionin e ardhshëm: dritaren e mundësive, një car i dobët, tentativën për të ndërtuar diçka të ngjashme me demokracinë europiane që do të sjellë kaos dhe një diktaturë e re pas Putinit. Në Gjermani në vitet ’20 si në Rusinë e viteve ’90, fillohet me kaosin dhe më pas njerëzit duan një car. Kjo është e ardhmja, veç në mos Putini mos filloftë ndonjë luftë bërthamore: fillimisht nuk e besoja, tani jam i sigurtë që do ta shtypë butonin. Shpresa ime e fundit është që nuk i binden sepse është një car fals. Në letërsinë ruse e shekullit të XIX pyetjet kryesore qenë Kto vinovat? («I kujt është faji?», titulli i një romani të Aleksandr Herzen, shënimi i redaksisë.) dhe Chto délat’? («Çtë bëjmë?»; roman i Nikolaj Cernyshevskij e më pas pamflet i Leninit, shënimi i redaksisë.). Por kjo për këdo që dinte të lexonte; për 150 milion analfabetët pyetja ishte dhe mbetet një tjetër, prej gjeneratash dhe prej shekujsh: «Cari është i vërtetë apo fals?» dhe mënyra e vetme për ta përcaktuar janë fitoret: mund të vrasësh miliona rusë, por nëse arrin fitoren si Stalini është reale përgjithmonë; nëse mundesh si Gorbaçovi në Afganistan dhe në Luftën e Ftohtë je një car fals. Për Putini gjëja më e rëndësishme është të legjitimohet me fitoren, siç kur aneksoi Krimenë; nëse nuk mund t’i japësh popullit tënd fitoren je fals — «cari fals» është ajo që ulëret opozita patriotike në kanalet Telegram. As Ukraina, as NATO nuk mund ta fitojnë këtë luftë, vetëm rusët mund ta mundin Rusinë.

Sana Krasikov — Nuk do ta bëjnë.

Mikhail Shishkin — Dhe jam i sigurtë se pas vdekjes së Putinit nuk do ketë më Federatë Ruse, pasi është e barsur me shtete siç ishte ish Bashkimi Sovjetik: Çeçenia do të ketë pavarësi, republika të tjera do të kenë pavarësi… Por nuk mund ta imagjinoj se do të vendosim demokracinë. Do të ketë luftë civile dhe në zgjedhje të lira do të votojnë jo më për një demokrat nga Londra si Khodorkovsky, por për një patriot. Perëndimi do të mbështetet mbi çdo diktator që premton të kontrollojë armët bërthamore dhe historia ruse do të përsëritet sërish.

Një protagoniste e «Patriotëve», Florence, që kishte emigruar në Bashkimin Sovjetik, shtrohet në Amerikë me plagë dekubite. Djali Julian zemërohet me infermieren, por Florence mbron «sistemin». Ai këmbëngul: «Tani jeton në një vend të lirë, pse duhet të vazhdosh ta tregosh besnikërinë tënde ndaj një padroni?».

Sana Krasikov — Ajo skenë është një ekspozim mikrosociologjik i fenomenit për të cilin fliste Mikhailit: mentaliteti i skllavit.

Këta dy libra janë edhe histori dashurie.

Sana Krasikov — Në qendër të librit tim është raporti midis prindërve dhe fëmijëve. Florence nuk dëshiron të kthehet, por djali i saj Julian dëshiron të emigrojë dhe ajo e kupton se nëse shkon me të ai do ta braktisë sërish, ashtu siç qe rritur pa nënë në jetimore pasi ajo ishte arrestuar.

Mikhail Shishkin — Ky libri im nuk më duket mbi dashurinë, por në realitet është një deklaratë dashurie për Rusinë time. Poeti rus Nekrasov shrkuan: «Ajo zemër nuk do të mësojë të dashurojë, pasi është e lodhur duke urryer». Ka kaq shumë dashuri dhe kaq shumë urrejte njëherazi. Do të jesh krenar për prindërit e tij, por si mundesh nëse vrasin dhe gllabërojnë fëmijët? Kishte një serial killer i famshëm në Rusi, Chikatilo: vriste fëmijët dhe i hante, por kishte fëmijët e tij dhe me ta ishte një baba i mirë. Imagjinoni ndjenjat e djalit të Chikatilo: është ajo që një rus si unë provon kundrejt Rusisë. Natyrisht që e dua, por e di se është një serial killer. Çfarë nënkupton ta dua vendin tim? Mikhail Bakunini ju përgjigj në shekullin e XIX: «E dia vendin tim dhe për këtë e uroj shtetin rus që t’i humbasë të gjitha luftërat». Edhe unë e dua dhe shpresoj që të humbë në këtë luftë, pasi ukrainasit – ashtu si polakët në revoltat e shekullit të XIX – luftojnë «për lirinë tënde dhe tonën».

Sana Krasikov — Në një prej diskutimeve të tij Putini denigronte kë shiste nënën e tij për një grusht thërimjash nga ana e Perëndimit. Ja, kush nuk është dakord e shet nënën. Por pse nuk flet kurrë për dashurinë për fëmijët? E gjithë besnikëria shkon nga fëmijët tek prindërit, jo nga shteti tek qytetarët…

Mikhal Shishkin — Babai i babait tim u vra në gulag dhe kur im atë qe 18 vjeç shkoi në luftë për të mbrojtur atdheun. Si të gjithë diktatorët, Stalini ka bërë që të ngatërrohen mbrojtja e atdheut dhe ajo e diktaturës. Tani është njëlloj: Çfarë mbrojnë ushtarët në Ukrainë? U thuhet atyre se mbrojnë Rusinë nga fashizmi, por mbrojnë pushtetin e Putinit.

Sana Krasikov — Do të doja që lexuesit ta dinin se ka gëzim në të shkruar, pavarësisht një histori fatkeqësishë.

Mikhail Shishkin — Një ditë lufta do të mbarojë. Nëse nuk do të vdesim në katastrofën bërthamore, do të kthehet koha e kulturës.

Çfarë librash do të shkruajnë rusët dhe ukrainasit pas kësaj lufte?

Sana Krasikov — Njerëzit e kanë lexuar Mjeshtri dhe Margarita dekada pasi ishte shkruar: Jam kureshtare për atë që shkruhet tani dhe që do ta zbulojmë pas 20 vjetësh.

Mikhail Shishkin — Shpresoj që t’i përgjigjen pyetjes: Pse jemi bërë fashistë? I kujt është faji? Çtë bëjmë?

(nga La Lettura)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Në mjegulla tragjedish

Agim Xh. Deshnica Shekspiri mendueshëm ecën në muzg, Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon. …

Leave a Reply