Pushteti i krizës; nga libri i ri i Ian Bremmer

Ian Bremmer është një prej politologëve më autoritarë në nivel ndërkombëtar. Libri i tij i fundit, “Pushteti i krizave. Si tre kërcënime dhe përgjigja jonë do ta ndryshojnë botën”. Vepra ndeshet me implikimet e një triptiku krizash në pritje të cilave u ekspozohen konfliktet kombëtare dhe ndërkombëtare: emergjencat shëndetësore globale, një ndryshim klimaterik katastrofik dhe revolucioni i Inteligjencës Artificiale. Me lejen e botuesit, më poshtë po botojmë një ekstrakt të tekstit.

 

Një Xi Jinping i qeshur ngrinte dorën në shenjë falenderimi prej duatrokitjeve të zjarrta që e shoqëronte në tribunë ku do të mbante diskutimin më të pritshëm të World Economic Forum 2017. Ka qenë hera e parë absolute që një president kinez bënte shfaqjen e tij në Davos dhe një plate zakonisht e hutuar, e përbërë kryesisht nga elita politike dhe biznesore e botës kapitaliste, ishte në ankth të dëgjonte atë që Xi do të thoshte. Presidentit i janë dashur pak minuta për të thënë se Kina kishte arritur momentin e ndryshimit të historisë. Dy vite më parë Xi kishte paraqitur strategjinë e tij «Made in China 2025», një plan programatik për të fituar supremacinë globale në inteligjencën artificiale, në informatikën kuantistike, në robotikë dhe në aspekte të tjera teknologjike. Siç tha në 1990 ish lideri Ten Hsiao Pin, Kina do të bënte mirë ta «mbante të fshehur forcën e saj dhe të priste momentin e duhur», por në atë mëngjes të janarit 2017 në Davos Xi ka lënë të kuptohet padiskutim se Kina kishte hequr dorë nga të fshehurit dhe të priturit.

«Ishte më e mira e kohërave, ishte më e keqja e kohërave», ka debutuar Xi. Thënia e Charles Dickens ishte zgjedhur qartazi për të zënë vend në auditor. Presidenti ka shpjeguar se pse Kina kishte bërë mirë të adoptonte një strategji zhvillimi ekonomik të përcaktuar nga shteti, ku kompanitë lidere të vendit do të ishin kineze, të ndjekura në distancën e duhur nga shumëkombëshet, por momenti kryesor ka qenë mbrojtja e tij energjike dhe e zjarrtë e globalizmit, teza sipas të cilës ndërvarësia midis vendeve i bën të gjithë më të fortë. Ka dënuar populizmin dhe proteksionizmin, dy pika të forta aq më shumë të dukshme prej nënkuptimit të tyre implicit: lajmi tjetër i spikatur kësaj jabe do të ishte inagurimi i armikut të betuar të globalizmit Donald Trump tre ditë më pas.

9 muaj më pas Xi flet nga një plate tjetër, atë të Kongresit të XIX të Partisë Komuniste Kineve. Në këtë rast shtyhet shumë më tej në prezantimin e vizionit të tij për të ardhmen e Kinës. Njofton për vendin dhe popullin e tij «një erë të re», në të cilën Kina do të fitojë një pozicion «më afër me qendrën» në skenën politike globale. E paraqet Kinën si një «opsion të ri për vende të tjera», një alternativë ndaj demokracisë perëndimore dhe ilusron atë të quajtur nga vetë ai si «zgjidhja kineze» ndaj problemeve të botës. Nën lidershipin e Xi Kina ka kaluar nga apelimi një reforme ndaj sistemit aktual ndërkombëtar për ta kontribuar në ideimin e një shtytjeje të tillë reformiste dhe, për pasojë, të ambicies për ta udhëhequr. Liderët e saj imagjinojnë një Kinë që dominon Lindjen aziatike dhe për këtë qëllim synojnë të ashpërsojnë kontrollin politik në Hong Kong, të ushtrojnë presione ndaj Taivanit me qëllim që të pushojë së vëni rezistencë kërkesës së Pekinit për ribashkim me prapatokën dhe të ndërtojë metodikisht forcën e saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore.

***

Vatra

Janë shumë dispozitivë në gjendje që t’i çojnë të dy vendet në përplasje në vitet në vazhdim. Le të fillojmë nga më i rrezikshmi. Në 1996 Kina lëshoi raketa balistike në det për ta friksëuar Taivanin. Për t’i dërguar në mesazh përgjigjeje Pekinit, presidenti Clinton dërgoi dy aeroplanmbajtëse në Ngushticën e Taivanit. Kina u tërhoq. Kjo ndodhte çerekshekulli më parë. Në vitet që pasuan Kina ka shpenzuar miliarda në raketa, sisteme sigurie, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe nëndetësesh moderne, armë kibernetike dhe armë të tjera lufte të denja për shekullin e XXI. Në marsin e 2021 e përditshmja e Partisë Komuniste People’s Daily referonte se presidenti Xi kishte nxitur ushtrinë dhe policinë kineze të «përgatiteshin për luftime» për të mbrojtur sovranitetin e vendit dhe një studiues i njohur kinez formulonte parashikimin se Xi do të donte ta «përshpejtonte zgjidhjen e çështjes së Taivanit gjatë mandatit të tij të tretë si president». Domethënë midis 2022 dhe 2027. Në marsin e 2021 një admiral i lartë amerikan ka paralajmëruar se Kina mund ta pushtojë Taivanin «në 6 vitet e ardhshme». Sikur sot Kina të lëshonte raketa mbi Taivan, si do t’i përgjigjej presidenti Biden? Nëse do të duhej të ndiqte shembullin e Clinton, Pekini do të tërhiqej edhe k saj radhe? Po sikur të mos ishte kështu? Po pas 5 vitesh?

Në Azi ekuilibri i pushtetit ushtarak ka ndryshuar. Shtetet e Bashkuara kanë lidhur marrëveshje në fushën e mbrojtjes me dhjetëra vende, ndërsa Kina është impenjuar të mbrojë vetëm Korenë e Veriut. Por Shtetet e Bashkuara do të hynin në luftë me një fuqi bërthamore si Kina për llogari të Vietnamit e të Filipineve për ta penguar predominimin kinez në Detin e Kinës Jugore? Por sikur të vendosnin ta bënin, sa aleatë do të rreshtoheshin përkrah tyre?

Një përplasje Shtetet e Bashkuara – Kinë do të ishte më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik pasi do të luftohej me armë kibernetike dhe të llojit tjetër, që siç u diskutua do t’i pengonte të dyja palët ta vizualizonin ekuilibrin real të pushtetit, duke e bërë më të mundur një eskalim dhe konflikti do të kishte të bënte më pak me ideologjinë komuniste apo kapitaliste dhe më shumë për pushtetin ekonomik dhe teknologjik. Në ndryshim nga Bashkimi Sovjetik, Kina nuk po eksporton një ideologji, për sa parime marksiste – leniniste mund të shqiptojë Xi Jinping në atdhe. Po nga bota të shikohet si një vend i fortë, i aftë, i urtë, dashamirës dhe i tërë (ku me i «tërë» nënkupton që Taivani është pjesë e Kinës).

Çështja më destabilizuese nuk ka të bëjë me një ishull të caktuar apo një pasqyrë uji në veçanti dhe nuk ka të bëjë aspak me tarifat. Është një betejë mbi të ardhmen e teknologjisë – instrumenta komunikimi të gjeneratës së ardhme, machine learning, softuer survejimi, inteligjencë artificiale – të cilit i kushtoj një kapitull të tërë në këtë libër. Kina është një superfuqi teknologjike dhe ka tashmë një aset bipolar prej Lufte të Ftohtë në raportin teknologjik SHBA – Kinë, që do të ndikojë mbi të gjitha rajonet e botës. Në tregun e lëndëve të para, të mallrave dhe të shërbimeve, Amerika dhe Kina janë tashmë më shumë konkurrentë sesa aleatë (potencialë). Të dyja duan ta rrisin kuotën e tyre të tregut dhe të dyja përfitojnë nga një sistem shkëmbimi të lirë. Luftërat tregëtare mund të nisen për të arritur objektiva specifike, por tregëtia nuk është në vetëvete një konkurrencë me shumatore zero. Në tregëti «administrimi i zakonshëm» ju konvenion të gjithëve. Është një argument themelor në favor të paqes dhe të prosperitetit global.

Por tregu global i të dhënave dhe i informacioneve po ndahet më dysh. Në parim interneti – World Wide Web – ngrihej mbi një tërësi e vetme standardesh dhe rregullash. Me përjashtime shumë të pakta, çdo përdorues kishte praktikisht të njëjtin akses me çdo tjetër. Jo më. Kina dhe Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë tani dy ekosisteme online krejtësisht të veçantë. Kjo vlen për transformimin e internetit kështu siç e njohim sot, por edhe për internetin e gjërave (Internet of Things, IoT), rrjetin e krijuar nga lidhja me internet e dispozitivëve të çdo lloji si elektroshtëpijake, automobila, dispozitivë mjekësorë që vishen dhe satelitë. Ekosistemi teknologjik amerikan, me të gjitha vlerat dhe difektet e tij, ndërtohet nga sektori privat dhe (në mënyrë delikate) rregullohet nga qeveria. Sistemi kinez dominohet nga shteti. E njëjta gjë thuhet për mbledhjen e big data, zhvillimin e inteligjencës artificiale, lançimin e teknologjisë 5G dhe aksionet e mbrojtjes dhe të hakmarrjes kundër sulmeve kibernetike.

***

Nëpërmjet strategjisë së saj të Rrugës së Re të Mëndafshit, Kina ka investuar më shumë se 100 miliard dollarë në infrastruktura të vendeve të tjera. Kjo iniciativë e fuqizon influencën e Pekinit në vendet e interesuara, por me t’u realizuar vepra të tilla mund të përdoren nga të gjithë. Konkurrenca teknologjike është e ndryshme. Ndarja më dysh e ekosistemit teknologjik global krijon hapësira informimi dhe të dhënash të veçanta. Në këtë mënyrë një Luftë e Ftohtë teknologjike do ta tribalizonte njerëzimin me mënyra të reja. Sikur amerikanët që shohin kanale via kabllo të ndryshme shohin versione krejtësisht të ndryshme të vendit të tyre, imagjinoni antinominë SHBA – Kinë në një botë të ndarë nga rregulla dhe standarde të ndryshme. Është një «ne kundër tyre» në shkallë globale. Skenari i një  «splinternet», domethënë i dy ekosistemeve teknologjike paralele, nuk është vetëm një kërcënim për globalizimin; është një përplasje për kë beson në liritë politike që rrezikon t’i humbasë. Rezultati ideal i secilës pjesë është eliminimi i sistemit tjetër. Është një lojë me shumatore zero, si edhe sfida më e madhe ndaj shpresës së një aleance të ardhshme midis rivalëve Amerikë dhe Kinë.

***

Ngjitja kineze ofron mundësi

Për ta ndërtuar aleancën që shërben për të shmangur një Luftë të Ftohtë dhe punuar sëbashku për problemet botërore më urgjente, amerikanët duhet të njohin vlerën e ngjitjes kineze. Parasëgjithash, kushdo që afirmon se vlerat dhe lidershipi perëndimor janë themeli thelbësor i një të ardhmjeje të sigurtë, të barabartë dhe të begatë duhet të bëjë llogaritë me realitetin: lidershipi perëndimor ka kontribuar të na fusë në kaosin aktual global, ku kriza është gjithmonë aty. Divergjencat e pikëpamjeve midis Europës e Shteteve të Bashkuara dhe polarizimi gjithnjë e më i ashpër në shumë vende perëndimore janë përpara syve të të gjithëve.

Kriza financiare nuk ka filluar në Kinë. Përgjegjësia e kësaj krize është e Shteteve të Bashkuara, pasi që paaftësia e Uashingtonit për t’i rregulluar siç duhet huatë ka shkaktuar një reagim zinxhir në sektorin bankar global që ka shkaktuar dëme shumë të rënda në të gjithë botën. Kush thekson se tregëtia transkufitare do të ishte në gjendje të krijojë një begati të përhapur duhet të njohë se është Kina, jo Amerika, ajo që është bërë një fuqi e tregëtisë globale. Jo vetëm kaq: fuqitë perëndimore nuk kanë arritur ta frenojnë koronavirusin me të njëjtin efikasitet si Pekini. Vendet perëndimore janë në mosdakordësi mbi mënyrën sesi ta luftojnë ndryshimin klimaterik, mbi sesi të rregullojnë teknologjitë e reja, mbi sesi të menaxhojnë konfliktet, mbi sesi të ndërmjetësojnë me Rusinë dhe sesi t’i përgjigjen ngjitjes së Kinës. Të mos krijojmë iluzione se ndërhyrja ushtarake amerikane prodhon gjithmonë stabilitet. Të frikësuar për një ndërhyrje të huaj në vendin e tyre dhe me një histori të gjatë justifikimi të frikërave të tilla, liderët kinezë këmbëngulin se asnjë vend nuk ka të drejtë të pushtojë në mënyrë preventive një tjetër apo të ndërhyjë në punët e brendshme të tij. Pjesa më e madhe e amerikanëve nuk është dakord dhe nga fundi i Luftës së Ftohtë ushtria amerikane ka ndërhyrë me shumë seri, edhe ushtarakisht, në vende të huaja, nganjëherë bashkë me ato të NATO apo me aleatë të tjerë. Shembujt më të bujshëm janë Panamaja, Haiti, Somalia, ish Jugosllavia, Iraku (për dy herë) dhe Afganistani. Objektivat e deklaruara qenë hera herës të ndryshme: arrestimi i një krimineli, bllokimi i një katastrofe humanitare, pengimi i spastrimit etnik, ndëshkimi i pushtimit të një vendi kufitar, bllokimi i prodhimit të armëve të rrezikshme apo luftimi i terrorizmit. Disa prej këtyre ndërmarrjeve – Panamaja, ish Jugosllavia dhe lufta e parë e Gjirit – kanë arritur të paktën pjesërisht objektivat e deklaruara. Të tjera, si ndërhyrja në Somali e në Haiti, lufta e dytë e Gjirit dhe Afganistani – kanë qenë një dështim.

Kina nuk do ta pushtonte Irakun në 2003 për të kapur armë joekzistente të shkatërrimit në masë, duke krijuar boshllëkun politik që i ka dhënë jetë një gjenerate të re të terroristëve. Lufta në Afganistan nuk ka gjeneruar një impakt pozitiv jetëgjatë për Shtetet e Bashkuara dhe u ka kostuar kontribuesve amerikanë mijëra miliarda dollarë. Disa prej ushtarëve amerikanë që kanë lënë Kabulin në gushtin e 2021 nuk kishin lindur akoma kur al Qaeda i sulmoi Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001. Kostoja e këtyre fushatave, e matur si asistencë afatgjatë furnizuar veteranëve të luftës amerikanë është e destinuar që të rritet një dekadat e ardhshme. Nga ana e saj, Amerika e akuzon Pekinin se nuk do të mbajë kostot dhe rreziqet e asociuara me ndërhyrjet në vendet e huaja dhe të finalizuara për pengimin e katastrofave humanitare. Por ka miliona njerëz në Ruanda të gatshëm që t’i kujtojnë të gjithë botës se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre jo gjithmonë vrapojnë në momentin e nevojës.

Veç kësaj, Kina mund të ndihmojë të zgjidhen shumë prej problemeve të zhvillimit botëror. Një shembull i parë evident: vendet më të varfër kanë një nevojë të dëshpëruar për infrastruktura më të mira. Siç është theksuar tashmë, Pekini ka krijuar Asian Infrastructure Investment Bank (AIIB), një huadhënës multilateral që përfshin 78 shtete anëtare, midis të cilave pavarësisht tentativave shkurajuese të Uashingtonit shumë aleatë historikë të Shteteve të Bashkuara: Mbretëri e Bashkuara, Francë, Gjermani, Kore e Jugut, Australi dhe Izrael. Objektivi i AIIB është të financojë projektet e Rrugës së Re të Mëndafshit në Azi. Ka investuar miliarda në projekte si rrugë, ura, porte e aeroporte dhe në masat e frenimit antikovid. Megjithëse duke qenë e akuzuar për nënshtrim ndaj objektivave politike të Pekinit, në qershorin e 2020 AIIB ka miratuar një hua 750 milion dollarëshe për ta ndihmuar Indinë, rivalen e Kinës, për ta përballuar koronavirusin pikërisht në javën ku trupat kineze dhe indiane qenë të zënë me një konflikt vdekjeprurës në një territor të kontestuar përgjatë kufirit kino – indianoverior.

Kina shpesh akuzohet se e ka krijuar AIIB si alternativë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe huadhënësve të tjera rajonalë për të imponuar rregullat të reja për dhënien e huave në shërbim të objektivave politike të Pekinit. Megjithat, mbetet një prej financuesve të mëdhenj të FMN dhe AIIB ka bashkëpunuar me institucione si Banka Botërore, Asian Development Bank, Islamic Development Bank, African Development Bank dhe BERZH. Bota emergjente, por edhe shumë prej vendeve më të pasura, kanë nevojë urgjente në infrastruktura fizike dhe Kina po kontribuon të kënaqet një nevojë e tillë.

***

Përplasja nuk është e pashmangshme

Megjithëse duke i njohur diferencat midis konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik e shekullit të XX dhe përplasjen e sotme kino – amerikane, ekspertët bien dakord gjithnjë e më shumë mbi faktin qe kemi hyrë në një Luftë të Ftohtë të re. Historiani dhe gazetari Niall Ferguson e quan Lufta e Dytë e Ftohtë: «Edhe një herë akoma ndodhemi me një paqe që nuk është. Është përkufizimi i Luftës së Ftohtë». «Ka filluar një Luftë e Ftohtë e re», bie dakord Robert Kaplan në një artikull të botuar në Foreign Policy më 2019. «Diferencat midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë të pastra dhe themelore. Negociatat mund të bëjnë shumë pak për t’i menaxhuar dhe asbolutisht asgjë për t’i qetësuar». Peter Beyer, koordinator i marrëdhënieve transatlantike për qeverinë gjermane, në 2020 ka deklaruar se «Lufta e Ftohtë e re midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës tashmë ka filluar dhe do të plazmojë shekullin tonë».

Unë nuk jam dakord. Pavarësisht divergjencave të shumta, disa prej tyre nuk kanë zgjidhje, Uashingtoni dhe Pekini nuk janë ende të mbërthyer në një Luftë të Ftohtë të re dhe duhet të pushojnë së sjelluri sikur janë, pasi një konflikt i këtij lloji do të ishte dështim strategjik i bujshëm për të dyja vendet. Një përplasje e re midis fuqive të mëdha do ta minonte ndërvarësinë që ushqen ekonomitë tona, mbron sigurinë tonë dhe na mundëson t’i përballojmë më mirë krizat e afërta globale të përshkruara në këtë libër.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të gjenden ballë për ballë në shumë fronte. Në ndonjë rast do të bëhet fjalë për një konkurrencë me shumatore zero: qeveritë e të dyja vendeve nuk do të bien kurrë dakord mbi të ardhmen e Taivanit, Hong Kongut apo Detit të Kinës Jugore. Në të tjera, si tregëtia dhe investimentet, si konkurrenca, ashtu edhe bashkëpunimi mund të gjenerojnë avantazhe reciproke. Në të tjerë akoma, si për ata që do të flas në tri kapitujt e ardhshëm, bashkëpunimi është thelbësor ose do të humbasim të gjithë. Është në interesin e të dyja qeverive të përcaktojnë me qartësi, ndershmërisht dhe realisht se cilat çështje futen në këto kategori.

Për momentin kërcënimet e mëdha për Amerikën janë frut i vetë dobësive të saj: politika e brendshme e hiperpolarizuar, zgjerimi i pabarazive dhe mosbesimi në rritje në institucionet politike dhe në mjetet e komunikimit, por me kalimin e kohës Kina dë to përfaqësojë një sfidë të pazakontë për Amerikën dhe për të gjitha demokracitë e votës, pasi një rivale e këtij lloji nuk është parë kurrë më parë. Bashkimi Sovjetik ka qenë një sfidë ushtarake dhe ideologjike, por nuk ka qenë kurrë një rival tregëtar. Në vitet ’80 Japonia ka qenë një konkurrent dinamik tregëtar për Shtetet e Bashkuara, por ka mbetur një aleate politike dhe ushtarake. Kina e shekullit të XXI është një rivale ushtarake, politike e tregëtare dhe në sferën e teknologjive të reja kufijtë midis këtyre kategorive shpejt mbyten. Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dy superfuqitë në në botë që nuk mund të ndahet pastër nga një mir i ndërtuar me çimento të skaduar të ardhur nga Gjermania Lindore.

Scott Fitzgerald shkruan se «bangoprova e një inteligjence të dorës së parë është aftësia për të mbajtur në mendje dy ide të kundërta njëherazi dhe, sëbashku, të ruajë aftësinë e funksionimit». Me këtë shpirt Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Kinën për të përballuar sfidat e mëdha që presin të dy vendet dhe të gjithë botën, megjithëse duke konkurruar dhe duke hyrë në konflikt në zona të tjera. Po, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të punojnë për të mbrojtur parimet e demokracisë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut kudo (një punë që patjetër duhet filluar në shtëpinë tënde, por që nuk prfundon aty). Por ngjitja e Kinës nuk mundet dhe nuk duhet të ndërpritet. Është një rritje natyrale dhe popullsia e saj dëshiron dhe meriton një jetë më të mirë. Ish sekretari i Shtetit Mike Pompeo një herë ka pohuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të veprojnë në mënyrë që «Kina duhet të kufizohet të zërë vendin që i takon në botë»; ama nuk u takon amerikanëve të përcaktojnë «vendin që i takon Kinës». Deklarata si ajo e Pompeo vlerësojnë argumentat e atyre në Kinë që pohojnë se Amerika është e vendosur ta frenojë vendin e tyre. Ka aspekte ku kontributet e Kinës janë pozitive për botën. Në këto zona Amerika dhe vendet e tjera do të bënin mirë t’i njihnin dhe deri të merrnin pjes, për shembull duke hyrë në institucionet tregëtare dhe financiare të kryesuara nga Kina. Nëse Amerika do ta mbështesë realisht zhvillimin e Kinës, atëhere do të jetë shumë e vështirë për nacionalistët kinezë të mbështesin se Shtetet e Bashkuara duan ta ndërpresin rritjen e vendit.

(nga MicroMega)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Si nisi revolta e Qafë Barit më 22 maj 1984

Nga Bedri BLLOSHMI Revolta në burgun e Qafë Barit nisi më 22 maj 1984. Atë …

Leave a Reply