320 milionë euro për vetëm 46 kilometra rrugë që do bëhet me pagesë!

Qeveria ka shpallur dje fituesit e tenderit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e aksit rrugor Lekaj-Fier me një vlerë financimi të majme prej 320 milionë eurosh.

Kompania koncesionare, që është grupim i 8 shoqërive, do të rehabilitojë 46 kilometra rrugë ekzistuese me një kosto që përllogaritet të jetë gati 7 milionë euro për një kilometër. Punimet parashikohet që të përfundojnë në 2025-n, ndërsa pas vendosjes së traut, tarifa minimale për automjetet pritet të jetë 2 euro.

Procedurat e tenderimit u hapën në gusht të këtij viti. Aksi Lekaj-Fier është pjesë e segmentit të autostradës Milot-Fier. Vlera e investimit për 3 lotet, ku përfshihet edhe aksi Lekaj-Fier, me një gjatësi prej 115 kilometrash në total, parashikohet të jetë rreth 837 milionë euro. Pra janë më shumë se 7 milionë euro që kompanitë private do të përfitojnë nga qeveria, e cila ka dëshmuar edhe një herë tjetër se kur bëhet fjalë për koncesionet nuk e njeh krizën.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar dje shpalljen e kompanisë fituese që do të ndërtojë 46 kilometrat e segmentit Lekaj-Fier. Kontrata koncesionare, siç përcaktohet në dokumentin zyrtar, do të ketë një kohëzgjatje 35- vjeçare, ndërsa tarifa që do të kalojë në llogari të koncesionarit që në këtë rast është grupim i 8 shoqërive, “Fusha” sh.p.k., “Agbes Construksion” sh.p.k., “Albavia” sh.p.k., “Kupa” sh.p.k., “Ante-Group” sh.p.k., “Klodioda” sh.p.k. “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” sh.p.k. dhe “Sphaera” sh.p.k. do të jetë 320 milionë euro.

Një kosto e konsiderueshme duke marrë parasysh faktin që kemi të bëjmë me rehabilitimin e një rruge ekzistuese. Për periudhën e kontraktimit, kompanitë që u shpallën fituese në garën pa konkurrentë, vetëm për përshtatjen e këtij segmenti me parametrat e Bashkimit Evropian, në të cilin do të lejohet shpejtësia 130 kilometra në orë nga 90 km që është aktualisht, planifikohet që të shpenzojnë 7 milionë euro. Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të vogël(Lekaj) me mbarimin e aksit Kashar–Lekaj dhe përfundon në fillimin e “Bypass”-it të Fierit (pranë zonës së Mbrostarit). Rruga do të jetë me pagesë dhe tarifa minimale pritet të jetë 2 euro.

PROJEKTI

Pjesë e autostradës Milot-Fier janë edhe segmentet Milot-Thumanë dhe Kashar-Lekaj me një gjatësi prej 115 kilometrash. Por pjesa më e madhe, pra gati 62 kilometra, janë rrugë ekzistuese, të cilat do të rehabilitohen nga kompanitë e shpallura fituese të koncesionit dhe vetëm një gjatësi prej 53 kilometrash është rrugë e re. Procedurat e tenderimit për aksin MilotThumanë, i cili do të kushtojë 44.6 milionë euro dhe Kashar-Lekaj me një kosto të përllogaritur mbi vlerën 474 milionë euro janë ende të hapura. Punimet për përfundimin e autostradës e cila është pjesë e “Korridorit Blu” parashikohet që të përfundojnë në 2025-n./Panorama

About Redaksia

Check Also

“Daily Mail”: Demokratët kërkojnë hetim për marrëdhëniet e Kushner me Ramën

“Daily Mail” Republikanët kanë shpenzuar gjashtë muaj në hetimin e shkarkimit të Bidenit duke gërmuar …

Leave a Reply