“Financial Times”: Perëndimi po mbyll sytë ndaj shkeljeve të Edi Ramës

Nga Marton Dunai, Financial Times

Fatlumi, një elektricist 60-vjeçar, që jeton në qarkun e Kukësit në malet e Shqipërisë veriore, i mirëkupton të rinjtë vendas që kanë provuar fatin për të kaluar ilegalisht Kanalin Anglez për një të ardhme të pasigurt në Britaninë e Madhe.

“Ata kanë të afërm atje,” thotë ai në një kafene buzë rrugës që sheh mbi disa lugina ku ka pak punësim përveç disa punëve bujqësore të keqpaguara. “Ata shkojnë për punë të ndershme. Vetëm ata me familje të pavëmendshme mund të përfundojnë me bandat e drogës”.

Ka një mungesë të dukshme të 20-vjeçarëve në Kukës dhe pothuajse të gjithë në rajon duket se kanë të afërm në mesin e rreth 150 mijë shqiptarëve që vlerësohet se jetojnë në Britaninë e Madhe, pjesë e një eksodi kombëtar që është rritur këtë vit.

Sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, numri i shqiptarëve që mbërrijnë ilegalisht përmes Kanalit u rrit me 43 përqind mes majit dhe shtatorit të këtij viti. Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme, e quajti valën një ‘pushtim’ dhe i përshkroi shumë prej emigrantëve si ‘kriminelë’, duke sjellë edhe një reagim të zemëruar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Të vendosur në një udhëkryq mes grekëve, turqve dhe sllavëve, shqiptarët kanë një traditë të emigracionit që daton shekuj më parë. Kohët e fundit, një brez mori rrugën në vitet ’90 pas dekadash varfërie ekstreme dhe izolimi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kjo u pasua nga një tjetër eksod i njerëzve që ikën nga vështirësitë ekonomike, pastaj një tjetër kur shqiptarët etnikë ikën nga lufta në Kosovën fqinje rreth vitit 2000. Sipas INSTAT, instituti shqiptari i statistikave, rreth një e treta ose 1.7 milionë, e të gjithë shqiptarëve, tani jetojnë në diasporë.

Për ata që mbeten në vend, paga mesatare mujore është rreth 60 mijë lekë ose 450 paund në muaj, sipas INSTAT. Megjithatë, në zonat e thella rurale si Kukësi, pagat mund të jenë dukshëm më të ulëta dhe shumë njerëz ia dalin mbanë përmes punëve shtesë që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.

Fatlumi, i cili nuk pranon të japë emrin e plotë, mbijeton duke u kujdesur për shtëpitë e tre vëllezërve që punojnë në Londër- dy si elektricistë dhe një si shofer autobusi. “Dykatëshit e mëdhenj të kuq,” thotë ai teksa nxjerr një shishe plastike me raki nga bagazhi i makinës BMW me targa të Mbretërisë së Bashkuar.

Kontrasti mes mundësive ekonomike në zonat e largëta të Kukësit dhe Mbretërisë së Bashkuar është shumë i madh, thotë Edval Zoto, një konsulent i pavarur që drejton një program të financuar nga Mbretëria e Bashkuar për rajonin.

“Situata në Kukës është në pikën e kolapsit,” thotë ai. “Institucionet po shemben. Shkollat e ndërtuara për 300 fëmijë tani kanë vetëm 50. Punët po zhduken, sikundër edhe rrjetat e sigurisë familjare. Universiteti i Tiranës mbylli degën e tij lokale. Nuk ka studime për karrierën, nuk ka asnjë vizion për jetën në vend”.

Ai shton se të rinjtë e rajonit tundohen nga një botë me para të lehta, e portretizuar nga trafikantët që përdorin imazhe dhe video në një fushatë të sofistikuar të medieve sociale në Instagram dhe TikTok.

“E parë nga veriu i Shqipërisë rurale, Londra është jashtëzakonisht e pasur… dhe ata konsumojnë shumë drogë,” thotë Zoto, duke shtuar se prindërit në zonë janë të tmerruar se djemtë e tyre do të tërhiqen nga bandat e drogës. “Shoqëria shqiptare është e mahnitur me ato video në TikTok”, thotë ai. “Ata e idealizojnë krimin”.

Programi i financuar nga Britania e Madhe, më vlerë 8.2 milionë paund gjatë katër viteve, synon të kundërshtojë fushatat që bëjnë bandat në median sociale dhe të ndihmojë të rinjtë vendas të gjejnë punësim domethënës në bizneset shqiptare. Kjo përfshin zhvillimin e turizmit lokal duke trajnuar guidat malore dhe ekipet e shpëtimit si dhe hapjen e një qendre të informacionit turistik dhe krijimin e një qendre rinore ku të rinjtë mund të mësojnë gjuhë dhe aftësi kompjuterike.

Në terma afatshkurtër, ndërsa dimri mund të ngadalësojë emigrimin, ekspertët vendas presin që shifrat të rriten përsëri vitin që vjen.

Dikur një procedurë e shtrenjtë që kushtonte deri në 20 mijë sterlina, që përfshinte dokumente të rreme, ryshfete kufitare dhe fluturime apo udhëtime me kamionë si në kuti, këtë vit kostoja e një udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në rreth 5 mijë sterlina pasi kontrabandistët po përdorin në vend të kësaj, operatorët e varkave të vogla afrikano-veriore në Kanal, duke zgjeruar joshjen për këtë rrugë.

Në një video të fundit, Alastair King-Smith, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, iu lut shqiptarëve që të mos u besonin trafikantëve. “Ajo që po shfaqet në media nuk është realiteti. Mos shkoni ilegalisht,” tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, i cili kundërshton vlerësimet britanike për numrin e shqiptarëve që po kalojnë Kanalin, tha në një intervistë për Financial Times se ai ka diskutuar mënyrat për të goditur bandat e drogës me qeveritë e njëpasnjëshme britanike, por propozimet e tij nuk u ndoqën kurrë.

“Në kohën kur Boris Johnson ishte Ministër i Jashtëm, ai e ngriti problemin e krimit shqiptar në Londër,” thotë Rama. “I thashë, në rregull. Sillni gjashtë profesionistë nga agjencitë tuaja në Tiranë. Ne do i vendosim ata në një zyrë me gjashtë nga njerëzit tanë, me akses të plotë në të gjitha dosjet tona kriminale”.

Ai shton se propozimi i është bërë edhe Theresa May, atëherë kryeministre, edhe Priti Pratel, ish-Ministre e Brendshme, por grupi i përbashkët i punës nuk u materializua kurrë.

“Me pak agjentë të infiltruar në Kukës, e kupton se kë duhet të telefonosh, kush të pret nga ajo anë,” tha ai. “Nëse keni britanikët në bord, mund të lidhni pikat. Nuk po flasim për një milion refugjatë. Ky është një komunitet i vogël”.

Megjithatë, gjatë qeverisjes së Ramës, bandat shqiptare kanë ngritur mbi një traditë dekadash të kultivimit dhe eksportit të kanabisit, një rrjet të fuqishëm global të trafikimit, sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të SHBA.

‘Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe në rrjetet e krimit të organizuar, dhe Shqipëria është një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Europën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar’, thuhet në raport.

‘Sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë shtytësit kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri,’ shton raporti.

Rama i hedh poshtë akuzat, por Partia Demokratike e opozitës shqiptare e akuzon kryeministrin se ka ndërtuar një regjim të korruptuar dhe autokratik gjatë nëntë viteve të tij në detyrë, duke i lënë shqiptarët mesatarë me pak shanse për të ecur përpara, përveçse duke u larguar nga vendi.

Një tubim i thirrur nga partia për të protestuar kundër korrupsionit, varfërisë dhe emigracionit jashtë zyrës së Ramës, tërhoqi dhjetëra-mijëra të shtunën.

Aldo Bumçi, ish-Ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë i Partisë Demokratike, akuzon Perëndimin se mbylli sytë ndaj shkeljeve të Ramës, sepse Shqipëria është një aleate besnike perëndimore në një zonë destabiliteti.

“Rama ka para, është i pamposhtur dhe ndërkombëtarët nuk thonë asgjë,” tha Bumçi. “Kjo është arsyeja pse njerëzit po largohen në numra biblikë”.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Ambasada e SHBA evidentoi korrupsionin e Veliajt, turp për ata që mbrojnë një hajdut

Belind Këlliçi, drejtues politik për PD në Tiranë, tha se benjamini i Edi Ramës në …

Leave a Reply