Pse nuk u ftuan presidentët në mbledhjen e parlamenteve?!

Nga Enver BYTYÇI

Ja më në fund u mblodhën “etërit” e kombit në sallën e parlamentit të Shqipërisë. Deputetët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës përkujtuan 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë. Një miku im, Sokol Kolgjini, shkruante se Kosova i gëzohet festës së flamurit, se nuk ka flamur, ndërsa Shqipëria i gëzohet festës së pavarësisë, sepse nuk ka pavarësi! Nuk e di sa kjo është e vërtetë.

Por, unë mund ta marr këtë konstatim shumë seriozisht.

“Baballarët e kombit” erdhën në tempullin e asaj që quhet demokraci në Tiranë për t’u bashkuar, por dhe shkuan ashtu si erdhën, të ndarë. Ose duhej të bashkoheshin rreth programit të Serbisë, të cilin e mbron Edi Rama. Ose rreth flamurit të Shqipërisë!

Të gjithë sa folën aty kërkuan bashkim, thanë se duhet të lënë mënjanë inatet dhe të jenë në një mendje. E kërkoi këtë kryeministri Albin Kurti, por edhe kryeministri Rama.

Por këta dy kryeministrat e të dy vendeve nuk gjetën konsensus që në këtë ceremoni të ishin të pranishëm edhe dy presidentët e të dy vendeve! Mungoi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Rastësi?! Jo! Rama sakrifikoi Bajromin me qëllim që të mos ia shihte sytë Osmanit! Prandaj presidentët munguan në festën e pavarësisë ku mori pjesë edhe porositësi i vrasjeve, Taulant Balla! Madje ky i fundit ishte porositur të propozonte që mbledhja e dytë e parlamenteve të bëhej në Prizren më 10 qershor të vitit të ardhshëm. Përsëri pa presidentët!

Dhe pas kësaj ndarjeje të dhunshme, të dy kryeministrat folën për bashkim, për një qëndrim, për rakordim! Kurse Glauku tha se duhet të bashkohemi kundër Serbisë. Ndërkaq Rama tha se ju të gjithë duhet të bashkoheni në Open Balkan rreth presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Folësit nga Kosova, Glauku dhe Albini, e shfaqën distancën e tyre ideologjike me Ibrahim Rugovën, kur nuk e përmendën atë në fjalën e tyre. Ndërsa Edi Rama duke përmendur Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin, i diferencoi ata në të munguarin (Rugova) dhe në të munguarin e madh (Thaçi)! Përsëri me një gjuhë ndarëse.

Kështu “baballarët” e kombit u mblodhën për t’u bashkuar rreth flamurit, por përfunduan të përçarë edhe më shumë sesa ishin më parë. Kjo për shkak se Edi Rama është bashkuar rreth një flamuri tjetër, atij të Serbisë! Ndaj kreu i opozitës, Sali Berisha, bëri një akt simbolik distancimi nga kjo shfaqje e shtirur, duke injoruar fjalën e kryeministrit Edi Rama. Ai e respektoi ceremoninë në nderim të flamurit, aktit të pavarësisë dhe prezencës së deputetëve të Kosovës. Por, nuk mund të duronte që një kryeministër i Shqipërisë Londineze 364 ditë të qëndrojë në krah të armikut të Kosovës, Aleksandër Vuçiçit dhe një ditë të vitit të na shfaqet si patriot.

Shfaqja e djeshme ishte tragjike e komike. Kreu i ekzekutivit të Shqipërisë nuk mundi të thotë asnjë fjalë që prek ndjenjat e mikut të tij serb në Beograd. Nuk u lodh të solidarizohet me politikën e Kosovës e kundër provokimeve pa fund për luftë të Aleksandër Vuçiçit! Nuk tha asnjë fjalë për ndjesën serbe sa i përket gjenocidit që ushtria, policia e paramilitarët e Serbisë kanë bërë kundër shqiptarëve në Kosovë! Jo, jo! Asgjë nga këto. E sotmja nuk ekziston! Për Edi Ramën duhet stimuluar e djeshmja dhe duhet mashtruar me të ardhmen! Vetëm kësisoj mundet që ky delirant dhe shkes i miqësisë dhe vëllazërimit shqiptaro-serb të mund ta përçajë dhe ndajë politikën shqiptare. Pra, mund të ta kryejë misionin në shërbim të politikave të Beogradit kundër shqiptarëve.

Asaj salle i munguan dje edhe flamujt kuq e zi. Regjisori i saj në godinën e kryeministrisë së Shqipërisë nuk është i paaftë të dekorojë veprimtari të tilla. Por mesa duket, edhe në këtë rast nuk kanë dashur të mërzisin presidentin e Serbisë! Por mbledhja e përbashkët e dy parlamenteve sot në Tiranë e dha një mesazh: – I dëshmoi botës atë që lidershipi serb e propagandon prej një dekade, se “Kosova nuk do të ekzistojë si shtet, pasi ajo do t’i bashkohet Shqipërisë“! Këtë frymë e shprehën të njëjtën ditë edhe dy njerëz të afërt të Edi Ramës. Përkatësisht Rexhep Qosja dhe Ben Blushi. Të dy këta e interpretuan festën e pavarësisë si bashkim të Kosovës me Shqipërinë, ose të krijimit të Shqipërisë etnike.

Kur Rama, Qosja, Blushi e të tjerë flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ata në fakt kanë parasysh edhe bashkimin e saj me Serbinë. Sepse nëse një Kosovë e pa anëtarësuar në OKB tenton të bashkohet me Shqipërinë automatikisht ajo shkon në ndarjen e saj dhe pjesët e ndara bashkohen më pas me Shqipërinë dhe me Serbinë, sipas vijës ndarëse jug-veri.

Prandaj dhe dje nuk u ftuan presidentët! Mesazhi i asaj mbledhjeje të përbashkët tëtë dy parlamenteve ishte dhe mbetet skenar në ndihmesë të propagandës anti-shqiptare të Beogradit!

About Redaksia

Check Also

Demokracia e Edi Ramës dhe ajo e Athinës

Nga Ilir LEVONJA Jo shumë larg Tiranës, në Athinë pas një debati rekord ,(30 orë), …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *