Ujësjellësit, depo të punësimeve politike

Duke filluar nga viti 2015, kur Ujësjellësit kaluan në varësi të pushtetit lokal, numri i punësimeve është rritur me 71%. Vetë Enti Rregullator i Ujit iu kërkon bashkive t’iu japin fund punësimeve nepotike apo partiake në këtë sektor.

Nga Albanian Center for Quality Journalism

Petrit Gjaci u vendos në fshatin Shtyllas të Fierit në vitin 1990. Asokohe një fshat i populluar, atij i bënte përshtypje se kishte ujë të pijshëm, jo vetëm në shtëpi, por edhe nëpër rrugicat e fshatit, por që prej 25 vitesh banorët e Shtyllasit po thahen për ujë të pijshëm.

“Në vitet `96 -`97 u shkatërrua depoja dhe prej asaj kohe nuk kemi pasur më ujë”, – thotë Petrit Gjaci.

Vetëm pak kilometra larg Fierit, banorët e mbetur të këtij fshati nuk kanë ujë as për të pirë e as për t`u larë. Në vend të ujit të pijshëm, kanë marrë me bollëk premtime.

“Premtimet kemi gati 25 vite që i pijmë në vend të ujit. Do bëhet sot, do bëhet mot, por fakti është që fshati nuk ka sistem ujësjellësi”, – thotë i irrituar ai.

Në këto kushte, banorët e sigurojnë ujin për nevojat e përditshme nga puset, por pa e ditur se çfarë cilësie ka.

“Me atë ujë lajmë, atë ujë pijmë, se çfarë pijmë, një Zot e di, se edhe analiza nuk bëhen”, – thotë Petriti, i cili shton se hapja e një pusi kushton mesatarisht 3 milionë lekë të vjetra.

Të vetëdijshëm se premtimet janë vetëm ëndrra e radhës, që iu shitet, sa herë ka fushatë, banorët e kësaj zone janë të kursyer në kërkesat e tyre.

“Së paku të kemi për 2-3 orë ujë në ditë, pa 24 orë as nuk e ëndërrojmë”, – përfundon Gjaci.

Fshati Shtyllas në Fier

Në të njëjtën situatë absurde gjenden edhe 100 familje në fshatin Kështjellë të Elbasanit. Banorët e tij prej 30 vitesh nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Agron Boja, banor i fshatit, thotë se nuk beson më se një ditë do të kenë ujë në çezmat e tyre.

“Çdo 2 vjet marrim premtime elektorale se uji do të vijë. Gjatë këtyre viteve ne ujë të pijshëm nuk kemi parë, ama kemi parë që punonjësit e Ujësjellësit vetëm shtohen”, – shprehet Agron Boja, i cili shpjegon se është interesuar edhe personalisht për këtë çështje.

Agron Boja, banor i fshatit Kështjellë, Elbasan

Pavarësisht premtimit për ujë të pijshëm 24 orë, shumë zona përballen me mungesa drastike që prej 3 dekadash. Sipas Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për herë të parë shqiptarët, përgjatë vitit 2021, u furnizuan mesatarisht me 15.4 orë ujë në ditë ose 1.6 orë më shumë se një vit më parë.

Sipas të njëjtit institucion, vetëm 77.6% e territorit mbulohet me ujë të pijshëm dhe vetëm 52% mbulohet edhe me kanalizime.

Absurdi qëndron në faktin se 64.8% e ujit që prodhojnë ujësjellësit, është ujë pa të ardhura, pra që nuk faturohet. Kjo, pasi një pjesë e konsiderueshme humbet si pasojë e amortizimit të rrjetit dhe një pjesë tjetër “vidhet” nga ndërhyrjet e paligjshme apo edhe faturimi aforfe. Përgjatë vitit 2021, 58 shoqëri të ujësjellësit prodhuan në total 311.2 milionë m3, nga të cilat u faturuan vetëm 35.2%.

Ujësjellësit, “oaze” punësimesh

Kostot e larta nuk i kanë penguar shoqëritë e ujësjellësve ta fryjnë administratën, duke u kthyer në oaze punësimi.

Nga viti 2015, numri i të punësuarve në shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve pësoi rritje galopante me 71%. E thënë ndryshe, numri i të punësuarve në Ujësjellës është rritur me 2500 persona, krahasuar me tetë vite më parë.

Totali i të punësuarve në shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve ndër vite

Në raportin e fundit, ERRU, që mat performancën e 58 shoqërive të ujësjellësve në vend, vë në dukje se sektori vijoi të mbingarkohej me staf edhe gjatë vitit 2021, duke u shtuar me 191 punonjës. Ekspertët, por edhe vetë institucionet, pranojnë se shpesh herë punësimet janë bërë pa arsimin përkatës dhe të bazuara në kritere partiake

“Në këtë drejtim kërkohet një angazhim më i madh nga shoqëritë dhe bashkitë përkatëse, për të eliminuar punësimet nepotike apo të karakterit politik”, – thekson ERRU.

Fryrja e administratës së Ujësjellësve u konsiderua një praktikë “kriminale”, që duhet të marrë fund, edhe nga vetë kryeministri Rama. Gjatë një takimi me krye-bashkiakët në Pogradec, gjatë korrikut 2022, ai tha se kemi 6 herë më shumë punonjës në Ujësjellës sesa na duhen.

“Në 6 vetë vetëm një punon dhe pesë të tjerë bëjnë sehir dhe, ai që punon, do neglizhojë, duke ulur cilësinë e shërbimit”, – shprehet Bardhyl Samarxhiu, një ish-punonjës i Ujësjellësit, Elbasan.

Si pasojë e fryrjes së administratës, përgjatë vitit 2021 kosto e punës u rrit me 5%, duke zënë në total 33% të kostove operacionale të shoqërisë ose 221 milionë lekë më shumë se në vitin 2020.

Kostot që zënë pagat dhe sigurimet në shoqëritë UK për vitin 2021

Në krye të listës së shoqërive të ujësjellësit, që kanë rritur ndjeshëm numrin e punonjësve, qëndron ai i Tiranës me 69 punonjës, për shkak të ristrukturimit të shoqërisë. Ujësjellësi i Elbasanit e shtoi administratën përgjatë vitit 2021 me 93 punonjës, nga të cilët, 50 punonjës në pozicionin Task-Force dhe juristë dhe 43 punonjës të nënkontraktuar për shërbimin e rojeve. Edhe Ujësjellësi Kamëz e shtoi numrin e punonjësve me 51 persona për shkak të zgjerimit të zonës së shërbimit edhe me 5,000 abonentë të rinj.

UK, Elbasan dyfishon të punësuarit

Ujësjellësi i Elbasanit mban rekordin, duke e dyfishuar numrin e të punësuarve në tetë vite, kur edhe ujësjellësit kaluan nën administrimin e pushtetit lokal.

Të punësuarit në UK, Elbasan në vitet 2015-2021. Burimi ERRU

Nga 224 punonjës, që kishte në vitin 2015, në borderotë e vitit 2021 kanë firmosur thuajse 2 herë më shumë, plot 427 persona. Kjo rritje kaq e lartë është cilësuar nga ERRU si ecuria më e madhe negative.

Nga ana tjetër, të dhënat e vëna në dispozicion nga UK Elbasan japin shifra të ndryshme.

Të punësuarit në UK, Elbasan në vitet 2015-2021

Ujësjellësi i Elbasanit pretendon se nuk ka shtim artificial të stafit, por se rritja ka ndodhur në vitin 2018, kur ujësjellësi i qytetit u bashkua me fshatrat.

Megjithatë, në të dhënat e servirura nga Ujësjellësi Elbasan “mungojnë” punonjës gjatë gjithë viteve të deklaruara, edhe pse të dhënat pranë ERRU raportohen po nga vetë shoqëritë e ujësjellësit.

Bardhyl Samarxhiun, i cili ka punuar në UK, Elbasan, e ka kapur dy herë “lapsi”. Ai ka marrë 15 paga dëmshpërblim për largim të padrejtë nga puna.

“Kam punuar dy herë në UK Elbasan; 2002-2004, kur menaxhohej nga Berlin Wasser dhe 2011-2013, kur më hoqën nga puna. Herën e parë ika vetë, pasi me ndryshimin që iu bë stafit menaxherial nuk e shikoja veten pjesë të asaj hipokrizie”, – rrëfen ai për Investigative Network Albania-n.

“Herën e dytë më hoqën nga puna, pa asnjë motiv të qenësishëm. Motivi ishte i pastër, politik. Gjykata më dha të drejtë dhe Ujësjellësi pagoi kostot për 15 paga ndaj meje”, – rrëfen ai.

Mënyra e punësimeve në këtë shoqëri ka qenë edhe objekt i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në një raport të qershorit 2022, vë në dukje se ka shkelje të rënda në procedurën e rekrutimit të punonjësve të rinj.

“Në shumë raste evidentohet kohë shumë e shkurtër nga momenti i deklarimit të pozicionit të lirë të punës deri në momentin e emërimit në punë të fituesit”, – citohet në raportin e KLSH.

Nëpërmjet kërkesave për informacion, INA MEDIA mësoi se ka një disbalancë të madhe mes parave që shkojë për investime dhe atyre për pagat e punonjësve. Konkretisht, në vitin 2015 (sipas tabelës), buxheti i UK, Elbasan ka qenë 382 milionë lekë, rreth 20% e këtij buxheti shkoi për paga e sigurime; në vitin 2016, 26% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime; në vitin 2017, 27% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime; në vitin 2018, 44% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime; në vitin 2019, 44.5% e buxhetit ka shkuar për paga e sigurime, ndërsa në vitet 2020 dhe 2021, respektivisht 49% dhe 48% shkuan për paga e sigurime.

Si pasojë e kostove të larta të administratës, Ujësjellësi ka pasur efekt negativ tek investimet.

Referuar të dhënave zyrtare që Ujësjellësi i Elbasanit i vuri në dispozicion INA MEDIA-s në vitin 2015, vetëm 3.4% e buxhetit ka shkuar për rikonstruksion. Në vitin 2016 për investime ka shkuar vetëm 7.2% e buxhetit total; në vitet 2017-2018 ka pasur zero investime të reja; në vitin 2019 është investuar vetëm 5.3% e vlerës totale të buxhetit; në vitin 2020, 33% e buxhetit dhe në vitin 2021 40.9% e buxhetit. Rritja e investimeve përkon edhe me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Duke marrë totalin e investimeve në tetë vite, krahasuar me buxhetin e UK, Elbasan, rezulton se për investime ka shkuar 25% e totalit të buxhetit. Ndërsa pagat kanë marrë rreth 40% të buxhetit vjetor ose 15% më shumë në vit sesa investimet.

Kostot e kësaj administrate të fryrë dhe investimet me pikatore i vuajnë banorët. Ujësjellësi thotë se furnizon 14 orë në ditë me ujë të pijshëm, por vetë banorët tregojnë se uji në Elbasan vjen vetëm gjashtë orë në ditë: dy orë në mëngjes, dy orë në drekë dhe dy orë pasdite.

Nga ana tjetër Ujësjellësi pranon se humbjet në rrjet janë në nivel shumë të lartë. Përgjatë vitit 2021, uji i pafaturuar arriti në 74.20% të totalit të ujit të prodhuar nga ky ujësjellës.

“Ndërhyrja e paligjshme në rrjetin ujësjellës, kryesisht në zonat informale, ka krijuar humbje të larta të ujit të pijshëm, por edhe rrezik për ndotje të furnizimit me ujë. Po ashtu, mungesa e matësve të ujit te të gjithë klientët bën që të mos llogaritet saktë harxhimi i abonentëve”, – shprehet UK, Elbasan për INA MEDIA-n.

Ujësjellësi i Fierit dhe “sh” punësimi kolektiv

Ndryshe nga Elbasani, Ujësjellësi i Fierit rezulton si një nga shoqëritë që e ka ulur për vitin 2021 numrin e të punësuarve. Megjithatë, dy raporte të ndryshme të KLSH-së kanë zbuluar se Ujësjellësi i Fierit ka bërë vazhdimisht “lojëra” me punësimet. Nën justifikimin e ristrukturimit të shoqërisë, në të njëjtin vit kur deklaron numrin më të ulët të punëtorëve, KLSH ka zbuluar se përgjatë vitit 2021 ka kryer rekrutime mbi strukturën e miratuar.

“Është tejkaluar numri i fuqisë punëtore në total me 38 punonjës për muajt qershor-shtator të vitit 2021 si pasojë e ristrukturimit të shoqërisë”, – thuhet në raportin e KLSH-së, publikuar në korrik 2022.

Për këta punonjës mbi strukturë është likuiduar shuma prej 1.2 milionë lekësh të reja, duke bërë që për një pozicion pune të jenë të punësuar dy punonjës.

Të punësuarit në UK, Fier në vitet 2015-2021

Megjithatë, kurba e punësimeve ka pësuar ndryshme drastike vit pas viti, përgjatë periudhës 2015-2021. Rritja më e madhe e të punësuarve në Ujësjellësin e Fierit ka ndodhur në vitin 2016, nga 320 punonjës, në 421 punonjës. Por, këtë vit rezulton se të punësuarit e rinj nuk kanë qenë vetëm 100, por 420, pasi janë shkarkuar njëherësh 320 punonjës. Kjo zbulohet nga një raport i KLSH-së për UK, Fier, ku deklarohet se në kuadrin e ristrukturimit të shoqërisë nuk është zbatuar asnjë kriter, si për përzgjedhjen e punonjësve të larguar, ashtu dhe për rekrutimin e punonjësve të rinj. Nuk ka gjurmë në asnjë rast në burimet njerëzore për nevojat e sektorëve apo drejtorive.

“Me Vendim të Asamblesë së Përgjithshme, më datë 15.07.2016, është bërë shpallja e njoftimit të pushimit kolektiv për 320 punonjës. Pas pushimit kolektiv nga puna dhe ristrukturimit të ri është konstatuar se 74 punonjës, të cilët ishin në marrëdhënie pune me UKF Sh. a., nuk janë punësuar më, ndërsa janë punësuar 103 punonjës të rinj në radhët e UKF Sh. a., 64 prej të cilëve janë të ardhur nga ujësjellësit e komunave”, – deklarohet në raportin e KLSH.

Pushimet kolektive si pasojë e ristrukturimit të shoqërisë kanë vijuar edhe në vitin 2018 me pushimin e 28 punonjësve. Në të njëjtën kohë ky institucion ka shpallur 26 vende të reja pune për Task Force, ku 12 punonjës u rimorën në punë, ndërsa 9 punonjës për arsye të kriterit moshë (mosha ≤ 50 vjeç) nuk janë përzgjedhur si pjesë e strukturës së re.

“Mos-rekrutimi i punonjësve si pasojë e pushimit kolektiv bazuar në kriterin moshë konsiderohet si diskriminues”, – thuhet në raportin e KLSH, publikuar në korrik 2022.

Kjo nuk është shkelja e vetme që është kapur gjatë auditimit në këtë shoqëri. Në këtë raport KLSH konstaton se nuk ka rregulla të përcaktuara qartë për rekrutimin e punonjësve.

“Në 67 raste punonjësit me profesion pompist dhe elektropompist janë pa dëshmi të kualifikimit të sigurimit teknik, që mund të çojnë në aksidente në punë”, – kritikon raporti.

Edhe në Fier, veç vitit 2015, ku investimet arritën në 35% të buxhetit, investimet kanë qenë në vlerë shumë më të vogël sesa fondi për pagat dhe sigurimet. Viti më i keq për investimet në UK, Fier rezulton viti 2016, me vetëm 2% të buxhetit total.

Buxheti total i UK, Fier në vitet 2015-2022 dhe buxheti i ndarë për paga e sigurime dhe investime Burimi UK, Fier

Banorët paguajnë më shumë nga sa konsumojnë

Fshati Peshtan, i cili është vetëm 7 km larg nga qyteti i Fierit, vuan mungesën e ujit të pijshëm. Banorët e mbetur në fshat tregojnë se ai është braktisur pikërisht prej mungesës së ujit të pijshëm. Dikur ky fshat numëronte rreth 165 familje, sot nuk ka as 30 të tilla.

Njëjtë si Peshtani, edhe shumë fshatra të tjerë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm për shkak të humbjeve në rrjet, që aktualisht janë në masën 67%. Banorët ankohen se problem janë faturimet aforfe dhe cilësia e ujit.

“Prej muajit dhjetor të vitit 2021, tarifa mujore, nga 2350 lekë, u rrit në 3130 lekë në muaj. Mungesa e sahatit në shtëpinë time nuk është përgjegjësi e imja, por e shtetit që nuk e vë, për më tepër që ujin nuk e pij dot, sepse nuk është i pastër”, – ankohet një banor i lagjes “1 Maji”, i cili nuk pranon të identifikohet.

“Punonjës kanë plot, por një sahat matës nuk e vënë dot”, – përfundon ai.

Pagesat e larta të banorëve për shkak të faturimit aforfe kanë fryrë “pa të drejtë” arkën e Ujësjellësit të Fierit.

Ky fakt është evidentuar edhe nga KLSH, i cili ka konstatuar se Ujësjellësi i Fierit merr më shumë pará nga konsumatorët sesa nga uji, që këta të fundit kanë konsumuar.

“Të paktën në tre vite, 32.2% e konsumatorëve nuk janë të pajisur me matës, duke bërë që shitja e furnizimit me ujë të mos llogaritet në bazë të konsumit real, vlerësuar nëpërmjet aparateve matëse”, – evidenton KLSH.

Mbi-faturimi ka ardhur, pasi ky Ujësjellës nuk e ka bërë bilancin e ujit, nuk ka bërë një analizë të humbjeve teknike apo menaxheriale dhe as ka një plan të detajuar për numrin e konsumatorëve pa matës.

Persona të pakualifikuar dhe emërime politike

Jo vetëm ekspertët, por edhe vetë institucionet pranojnë se Ujësjellësit janë të mbushur me emërime që vijnë për shkak të lidhjeve politike.

“Fatkeqësisht, sektori paraqitet akoma i mbingarkuar me staf të pajustifikuar, që në mjaft raste janë të punësuar pa arsimin dhe kualifikimet përkatëse, dhe bazuar në kritere partiake. Kjo pjesë e stafit, përveçse është joefikase, dekurajon edhe pjesën tjetër të stafit si shembull negativ i performancës në punë”, – deklaron ERRU, një nga institucionet kontrolluese të këtij sektori.

Për inxhinierin Pirro Ndreu, ish-drejtor i UK, Fier, tashmë në pension, tendenca për emërimet politike në këtë sektor ka ardhur në rritje nga viti në vit.

“Punësimet politike në UK kanë ardhur me tendencë në rritje, konkurse të thjeshta, formale, të cilat nuk është se rrjedhimisht do të afrojnë specialistët përkatës, por fatkeqësisht, atje ku specialistët zëvendësohen me militantë, bie shërbimi ndaj qytetarit”, – thotë ai.

“Konstatoj me keqardhje që në UK, Fier kanë rënë ndjeshëm orët e furnizimit me ujë për qytetarët”, – shton më tej ai, duke shpjeguar se si ndikon politika, kur i fut duart me pa të drejtë.

Largimet nga puna kanë shkaktuar një dëm prej afro 5 milionë lekësh të reja.

“Lidhur me gjyqet për largimet nga puna në total, nga viti 2015 janë 11 raste të ekzekutuara, që kanë një kosto mesatarisht 4,880,000 lekë”, – shprehet UK, Fier për INA MEDIA-n.

Ndërsa UK, Elbasan pranon se nga humbja e gjyqeve ka pasur një kosto të lartë financiare. “Në total janë 7 gjyqe të humbura për shkak të largimeve nga puna me kosto totale përafërsisht 6 milionë lekë”, – shprehet UK, Elbasan.

Nertila Qafzezi, ish-kryetare e Shoqatës së të Larguarve nga UK, shpjegon se fenomenet e largimit pa të drejtë nga puna ndodhin në të gjithë Ujësjellësit. Ajo sjell në vëmendje rastin e Tiranës, kur u shkarkuan 400 punonjës. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë hapur 280 procese gjyqësore me objekt “Dëmshpërblim page”.

“Shkarkimet dhe emërimet në administratë, të pajustifikuara, të paarsyetuara ligjërisht, shpesh kanë sjellë dëm në buxhetin e shtetit, pasi gjykatat në të shumtën e rasteve i kanë argumentuar shkarkimet si të paligjshme. Gjithashtu, një kosto e madhe është edhe fillimi i trajnimit të çdo punonjësi të punësuar rishtas”, – shpjegon Qafzezi.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, shkon dhe më tej, duke i lidhur punësimet masive me fushatat elektorale. Sipas tij, dështimi i këtij sektori është i parashkruar, sa kohë që shihet si hambar votash.

“Natyrisht që ujësjellësit janë parë gjithmonë si hambarë punësimi, të gjitha SH.A., i dyfishojnë dhe i trefishojnë listë-pagesat. Është një formë e blerjes së votës, kështu që edhe në këtë rast çfarëdolloj forme të projektohet ky shërbim është i destinuar të dështojë. Rekrutimi i fryrë i organikës do të vijojë, mos-arkëtimet gjithashtu, për aq kohë sa këto komponentë do të vazhdojnë”, – argumenton Soko.

Sipas tij, aktualisht ujësjellësit ndodhen në prag falimentimi, për shkak të borxheve të larta që kanë ndaj OSHEE-së.

“Këto, ose duhet të menaxhohen tamam dhe të jenë eficiente, ose do të dështojnë. Mbi 80% e ujësjellësve janë debitorë tek OSHEE në nivele katastrofike. Një pjesë e mirë e ujësjellësve falimentojnë, nëse zbatohet në mënyrë rigoroze ligji, por mbahen në këmbë nga transfertat e bashkive”, – përfundon Soko./Nga Artin Halili, Albanian Center for Quality Journalism

About Redaksia

Check Also

Roli i ish-kreut të “SPAK” në Malin e Zi në bandën kriminale, si u zbulua nga BE

Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniç u arrestua së bashku me një ish-zyrtar …

Leave a Reply