Berisha: Do i tregojmë BE se jemi në luftë me armikun e egër të votës dhe lidhjeve me krimin

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve që të jenë të pranishëm nesër në protestë. Berisha tha se, nesër populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste të fuqishme.

“Nesër populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste, në një protestë të fuqishme pikërisht në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara dhe kërcënuara nga Edi Rama dhe regjimi i tij.

Çdo shqiptar që e do këtë vend, që do lirinë, dinjitetin njerëzor, të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij në liri, dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, bashkohet nesër në shesh me ne, për t’i dëshmuar, lidershipit evropian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Rama.

Për t’i dëshmuar lidershipit evropian se njeriu që qëndron si përfaqësues i Shqipërisë në atë samit, e ka pushtetin të ngritur mbi dhunimin e votës së lirë të shqiptarëve. E ka pushtetin të ngritur mbi drogën, trafiqet, mbi narkoshtetin që ka ndërtuar në Shqipëri. E ka pushtetin dhe karrigen e tij të ngritur mbi vjedhjet e mëdha, të paimagjinueshme për një vend evropian, që u bën qytetarëve shqiptarë.

Është e vërtetë që ai ulet aty si kryeministër i Shqipërisë, por është e vërtetë se ai ulet si kryehajdut i Shqipërisë gjithashtu. Hajduti i parë i Shqipërisë, do të jetë Edi Rama në atë samit. Kjo është e vërteta.

Me praninë tuaj në bulevard, ju i dilni zot në mënyrën më të vendosur këtij vendi dhe këtij kombi në rrezik ekzistencial.

Ne jemi në një fatkeqësi të madhe. Me një person si ky në karrigen e kryeministrit. Të paktën t’ia përcjellim këtë shqetësim mbarë opinionit publik evropian dhe botëror.

Nesër është dita e qytetarëve që aspirojnë për liri, dinjitet dhe transparencë. Është dita e shqiptarëve që besojnë se Shqipëria është një tokë e bekuar, që mund të begatojë kombin. Me kushtin e vetëm, që të ketë një qeverisje demokratike”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply