Meta: Duhet përmbysje politike, t’i japim mundësi drejtësisë të jetë e pavarur

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur sot për raportin e FMN për Shqipërinë i cili vuri alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare (PPP) në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.

Meta deklaroi se shqetësimet e FMN janë të drejta dhe se është e domosdoshme ndërmarrja e masave të menjëhershme drastike për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave.

“Mbështesim plotësisht rekomandimin e FMN për adresimin e mangësive të rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet, si dhe për nevojën e garantimit të një mbikëqyrje të zgjeruar të ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar.
Është e domosdoshme ndërmarrja e masave të menjëhershme drastike për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave, ku Shqipëria është futur nga FATF (mekanizimi i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave), veçanërisht në kushtet kur kullat në Tiranë, sikundër është bërë publike edhe nga denoncimet e mediave ndërkombëtare, janë kthyer në lavatriçen e pastrimit të parave të pista”, tha Meta.

Po kështu, teksa FMN i bëri thirrje autoriteteve shqiptare për transparencë urgjente për fondet e tërmetit dhe pandemisë, Meta deklaroi sot se qeveria shfrytëzoi fatkeqësitë për korrupsion.

“Mbështesim këto shqetësimet të mëdha që ka ngritur bordi i drejtorëve të FMN, shqetësime që i kemi ngritur prej kohësh në lidhje me koncesionet jo transparente që në vitin 2016. Në atë kohë LSI përgatiti pr.ligjin që asnjë koncesion të mos jepej pa u miratuar nga parlamenti, nismë që u bllokua qëllimisht. Kjo qeveri është kaq e papërgjegjshme sa shfrytëzon me shumë pasion dhe fatkeqësitë siç janë tërmeti apo pandemia për korrupsion dhe fakti që kërkon transparencë për institucionet që kanë përfituar nga fondet është një tjeër konfirmim i këtij shqetësimi të madh dhe padyshim dhe shqetësimet që ngrihen lidhur me sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme ku vërehen mjaft spekulimi të cilat mund të rrezikojnë të gjithë ekonominë tonë kombëtar sepse ky model është një model në çdo rast aspak i shëndetshëm në një plan afat gjatë për zhvillimin ekonomik të vendit sepse është i bazuar mbi spekulimin, jo mbi prodhimin, jo mbi hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Meta.

Meta duke reaguar sërish për hedhjen në erë të ‘Prestige Resort’ me urdhër të qeverisë, theksoi se hoteli u shemb paligjshmërisht. Në një konferencë për mediat Meta theksoi rëndësinë e përmbysjes politike për t’i dhënë mundësi kështu sipas tij drejtësisë që të jetë e pavarur.

“Ka shumë paligjshmëri, siç ishte rast i shembjes kriminale të Prestige Resort pak ditë para samitit europian në vendin tonë. Po ashtu shumë elemente të tjerë që tregojnë qartë se duhet përmbysje politike, për t’i dhënë drejtësisë mundësi që të jetë e pavarur dhe të justifikojë ato pritshmëri që ka pasur opinioni publik”, tha Meta.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply