Skandali që dridh Parlamentin Europian

Një hetim i drejtësisë belge ka nxjerrë në dritë një rrjet korruptimi të financuar nga Katari për të bërë të heshtin kritikat mbi caktimin e Botërorit të futbollit emiratit

Më 9 dhjetor njësitë speciale e policisë federale belge të vendosura përpara shtëpisë së eurodeputetes greke Eva Kaili, zëvendëspresidente e Parlamentit Europian, prisnin me durim që shoku i saj Francesco Giorgi të dilte nga apartamenti në Rue Wiertz, në lagjen e të mërguarve të Brukselit. Për shkak të imunitetit parlamentar të Kaili, faktikisht agjentët nuk mund të hynin në banesë. Asistent parlamentari dhe drejtuesi i OJF “Fight Impunity”, Giorgi është midis të dyshuarve kryesorë të një operacioni të gjerë antikorrupsioni të përgatitur në mënyrë të hollësishme qysh nga mesi i korrikut. Duke pasur parasysh rëndësinë e saj, hetimi ishte absolutisht i rezervuar dhe verbalet e para nuk qenë futur në databazën kombëtare të policisë në mënyrë që të shmangej çdo rrjedhje lajmesh.

Për hetuesit e Zyrës Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit (OCRC) që udhëheqin hetimin ishte themelore të pyetej Giorgi dhe të sekuestrohej telefoni i tij. Sapo njeriu ka dalë nga garazhi, agjentët e kanë kapur menjëherë. Marrja në pyetje e tij u ka hapur rrugën 16 kërkimeve në mjediset e institucioneve europiane në Bruksel dhe në komunat e afërta. Agjentët kanë bastisur banesat e asistentëve parlamentarë, funksionarëve dhe kanë vulosur zyrat e tyre. Veçanërisht e rëndësishme ka qenë bastisja e rezidencës belge të Pier Antonio Panzeri, ish eurodeputet dhe president i “Fight Impunity”. Në banesën e tij hetuesit kanë gjetur 600000 euro në kesh. Prokurorët mendojnë se Panzeri është kreu i një organizate kriminale në kuptimin e vërtetë të fjalës i financuar nga një shtet i huaj (Katari) për të influencuar nëpërmjet dhuratave dhe financimeve në para vendimet politike dhe ekonomike të Parlamentit Europian.

I shpërthyer ndërsa në Katar është në zhvillim Botërori i futbollit, skandali ka shkaktuar bujë në të gjithë kontinentin. 67 vjeçari Panzeri është pjesë e partisë së majtë italiane Articolo Uno, e lindur në 2017 nga një përçarje brenda Partisë Demokratike. Midis janarit 2017 dhe korrikut 2019 ka qenë president i Komisionit për të Drejtat e Njeriut i Parlamentit Europian dhe në të kaluarën ka drejtuar delegacionin për raportet me vendet e Magrebit. Në vitin 2017, pas një hetimi të Zyrës Europiane për Luftën kundër Mashtrimeve (OLAF), gjykata e Bashkimit Europian e kishte refuzuar rekursin e Panzeri kundër Parlamentit Europian, që e kishte urdhëruar të disbursonte 83764 euro të percpetuara në mënyrë të paligjshme.

Përveç Panzeri dhe Giorgi, dy burra të tjerë janë ndaluar: bëhet fjalë për Luca Visentini, i sapozgjedhur në drejtimin e Konfederatës Sindikale Ndërkombëtare, dhe një i katërt i dyshuar (në vijim i identifikuar si Niccolò Figà-Talamanca, sekretar i OJF “No Peace Without Justice”). Në harkun e pak orëve, operacioni ka çuar në sekuestrimin e sasive të mëdha parashë kesh dhe në terabajte të ndryshme me të dhëna informatike. Agjentët kanë bastisur edhe banesat e disa asistentëve parlamentarë (të gjithë të lidhur me grupin socialdemokrat), funksionarë europianë e lobistë, si edhe selitë e disa shoqatave, midis të cilave “Fight Impunity”, duke marrë celularë dhe kompjuterë. Yzrat e asistentëve të përfshirë janë mbyllur në pritje të sekuestrimit.

Valixhe plot me para

Pastaj ka ndodhur e papritura. Ndoshta pasi ka lexuar për arrestimin e Giorgi, një burrë ka dalë nga Hoteli Sofitel, në lagjen europiane të Brukselit: ishte babai i Eva Kailit, që prej disa ditësh ndodhej në qytet bashkë me të shoqen. Vjehërri i Giorgi trasportonte një valixhe. Në dukje ishte një valixhe e thjeshtë, por ishte plot me kartëmonedha 50 euroshe. Burri është ndaluar menjëherë nga policia. Telekronistët e Botërorit të Katarit e kishin qujtur një “lëvizje të dëshpëruar”. Në fjalorin gjyqësor flitej për flagrancë të krimit. Në këtë pikë prokurorët e kanë konsideruar të rënë imunitetin parlamentar të Kailit dhe kanë urdhëruar bastisjen e banesës së saj.

Aty agjentët kanë gjetur befasinë: qese të ndryshme plot me kartëmonedha, të vendosura nëpër çanta dhe valixhe luksoze. “Janë gjëra që zakonisht shikohen në operacionet kundër narkotrafikut”, tregon një burim i afërt me hetimet. Paratë qenë të ndara në prerje 20 dhe 50 euroshe. Flitet për rreth 600000 euro në valixhen e babait të Kailit dhe të paktën 150000 euro në apartamentin e saj. Në shtëpinë e Kaili kishte edhe dhurata me firmën e vendit të akuzuar për korrupsion: medalje dhe objekte të tjera me vlerë të ofruara nga Katari. “Të premten qanim nga gëzimi”, tregon një burim i afërt me hetimin. “Por duke vërejtur situatën nga jashtë të duket me një rëndësi të padëgjuar. Thuajse të bën të vjellësh”.

Gjatë fundjavës, teksa mjetet e informimit përqëndroheshin mbi këtë skandal të paprecedent, autoritetet gjyqësore kanë përgatitur një operacion të fundit, jashtëzakonisht delikat: bastisjen e banesës së eurodeputetit belg Marc Tarabella. Në bazë të kushtetutës belge, bastisja ka kërkuar praninë e presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola, që është thirrur me urgjencë nga Malta. Presidentja ka ardhur në Bruksel kur koha nuk priste më: faktikisht, bastisjet janë të autorizuara vetëm deri në orën 21, por agjentët megjithatë kanë arritur t’i sekuestrojnë celularin  dhe material informatik eurodeputetit socialist.

Tarabella kishte deklaruar me përçmim kur Katari ishte zgjedhur për të mikpritur Kupën e Botës të vitit 2022, por në muajt e fundit e kishte zbutur mjaft pozicionin e tij dhe kishte ndërhyrë shumë herë në favor të shtetit të Gjirit. Kishte qenë shumë herë në vizitë zyrtare në Doha dhe në vigjilje të eventit e kishte denoncuar atë që e quante një “tërbim kundur Katarit”. Tarabella ka deklaruar se nuk ka “asgjë për të fshehur” dhe se synon të bashkëpunojë me hetimin. Më 11 dhjetor ka ardhur lajmi i daljes nga burgu të Visentini, por sidomos konfirmimi i akuzës formale për korrupsion, riciklim dhe aktivitet kriminal në drejtim të Kaili, Giorgi, Panzeri e Figà-Talamanca. Të katër janë burgosur. Është rezultati i 72 orëve aktivitet gjyqësor që kanë tronditur themelet e demokracisë europiane.

(nga Le Soir)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Sot është një ditë ku të gjithë duhet të marrim një libër në duar!

Bujar LESKAJ Data 23 prill nuk u përzgjodh rastësisht si Dita Botërore e Librit. 408 …

Leave a Reply