Meta: Nuk kam shprehur asnjëherë besim tek SPAK, koha do të tregojë se cilat do të jenë rezultatet

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për emisionin ‘Pa censurë’ të Elona Meços në RTSH, është shprehur se Edi Rama po bën namin me vjedhje. Sipas Metës, SPAK po merret vetëm me gjëra të vogla.

Elona Meço: E shihni zgjedhjen e Dumanit në krye të SPAK-ut si një garanci që SPAK-u të mos jetë i kontrolluar nga qeveria?

Ilir Meta: Koha do të tregojë se cilat do të jenë rezultatet që do të arrihen, por, në çdo rast, duke e njohur mirë reformën në drejtësi, si ish kryetar parlamenti dhe si ish president, kam vënë re që reforma u shndërrua në një Ramaformë. Edhe drejtësia e re që pritej të ishte e pavarur, edhe në respekt të konsensusit që u arrit në parlament, përmes ligjeve antikushtetuese, përmes shkeljeve të kushtetutës, përmes kontrollit të vetingut, mori formën e Ramës, pra Ramaformë.

Elona Meço: Por ligjet i miratuat ju, megjithëse PD kundërshtoi miratimin e 6 prej 7 ligjeve kryesore të reformës.

Ilir Meta: Ramaforma ka ardhur si rezultat i akteve antikushtetuese, të marra në parlament. Meqë po flasim për çështjen e hetimit dhe prokurorisë, kushtetuta ka qenë tepër e qartë për çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, por, në fund të 2017-ës, procesi, me një akt antikushtetues u përdor nga Edi Rama. Përmes emërimeve të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, u bë të krijohej ajo KLP që u krijua, si dhe SPAK dhe gjithë institucionet e tjera që erdhën si rezultat i asaj KLP që buronte nga një akt antikushtetues i Kuvendit të Shqipërisë, që buronte nga votimi me 69 vota, pra nga Edi Rama.

Elona Meço: Duke qenë se SPAK buron nga një institucion i kapur, siç thoni, ju nuk keni besim te SPAK, as keni patur, as keni?

Ilir Meta: Nuk kam shprehur asnjëherë besim tek SPAK, pavarësisht se i kemi dhënë besim SPAK-ut që të provojë veten. Si president i kam çuar disa denoncime SPAK-ut, përfshirë dhe fallsifikimin e firmës së Kryetarit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë apo nuk ka konkluzion për këtë çështje. Këto janë çështje të rënda. Kur arrihet të falsifikohet firma e Kryetarit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese nga Parlamenti i Shqipërisë kundër Presidentit, çfarë mund të ndodhë me qytetarin. Ishte pastaj çështja e mos hetimit të zgjedhjeve me dosjen e Dibrës, që solli si pasojë edhe atë që ndodhi në Elbasan në zgjedhjet 2021. Për të mos folur pastaj për patronazhistët, që, në vend të hetonin Edi Ramën dhe vartësit e tij që përdornin të dhënat personale për qëllime shantazhi, hetuan dy gazetarë.

Elona Meço: Ju nuk keni besim as tek zgjedhja e Dumanit megjithëse për atë u investua ambasada amerikane?

Ilir Meta: Nuk e shikoj çështjen e reformës, as çështje emri, as çështje diplomatësh. E shikoj si çështje kushtetute, si çështje integriteti dhe si çështje rezultati, mbi të gjitha. Gjithë kjo zhurmë që bëhet  se po zgjidhet kreu i SPAK-ut, që ka një rol proceduarial, më duket sikur kërkon të krijojë iluzione përsëri, si njëherë e një kohë, që ‘prisni se sa të ikë ky Prokuror i Përgjithshëm, do të bëhet nami’, ‘prisni sa të krijohet SPAK, se do të bëhet nami’, ‘po prisni se sa të ndërrohet ky, do të bëhet nami’, kur ne e shikojmë që namin në këtë vend e bën vetëm Edi Rama, që po kalon nga megavjedhje në supermegavjedhje dhe nuk po shohim asnjë rezultat serioz.

Elona Meço: Një farë nami po bëhet, pasi një ish ministër është në burg, një ish deputet është në burg. Thuhet që po hetohen dhe ministra apo ish ministra të tjerë.

Ilir Meta: Çdo përpjekje për të paraqitur si sukses regjitë e Edi Ramës për të prodhuar ca bedela që njerëzit të merren me këta bedelë, që ai të vazhdojë të bëjë supermegavjedhje të tjera, këto nuk i ha askush. Rezoluta e Parlamentit Europian thotë se Shqipëria ka rënë me mbi 20 vende në indeksin e Transaparency International.

Elona Meço: Pra besoni që reforma në drejtësi ka dështuar?

Ilir Meta: Pyesni qytetarët. A nuk jemi ne vendi i dytë në botë për ryshfet, pas Zambias? A nuk vazhdon afera e incineratorëve? Nuk ka incineratorë dhe në vend që lekët të vinin nga kompania në Holandë e të investoheshin këtu, shkojnë nga këtu në Holandë e kudo tjetër në botë.

About Redaksia

Check Also

Në dreq Ambasadorë memecë ndaj hajdutërisë mafioze

Ne dreq Ambasadoret memecë ndaj hajdurise mafioze te pandeshkuar te Rames e Veliajt dhe llafane …

Leave a Reply