Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar forcimin e kufijve të Rusisë dhe ka udhëzuar shërbimet e sigurisë për të mbajtur kontroll më të madh të shoqërisë dhe për të çrrënjosur “tradhtarët, spiunët dhe sabotatorët”, kanë raportuar agjencitë e lajmeve të vendit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Putin të hënën udhëzoi zyrtarët e tij të sigurisë që të mbrojnë kufijtë, të rrisin kontrollin e shoqërisë dhe të maksimizojnë “përdorimin e potencialit operacional, teknik dhe të personelit” për të parandaluar “rreziqet që vijnë nga tradhtarët jashtë dhe nga brenda”.
“Qetësia maksimale, përqendrimi i forcave tani kërkohet nga agjencitë e kundërzbulimit, duke përfshirë inteligjencën ushtarake”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS të ketë thënë Putin.
“Është e nevojshme të shtypen ashpër veprimet e shërbimeve të huaja speciale, të identifikohen shpejt tradhtarët, spiunët dhe sabotatorët”, citohet të ketë thënë Putin.
“Kufijtë e Rusisë gjithashtu duhet të forcohen”, tha ai.
Komentet e Putinit vijnë pasi sulmet me raketa ruse në Ukrainë janë intensifikuar dhe nuk i duket fundi luftës së Rusisë kundër Ukrainës, tani në muajin e saj të 10-të.
Në anën tjetër, duke folur me liderët e disa vendeve të NATO-s përmes lidhjes video të hënën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vazhdoi t’u kërkojë aleatëve të Ukrainës që të furnizojnë ushtrinë e saj me më shumë armë.