Tensionet në Veri/ Ministri i Brendshëm: Nëse KFOR-i nuk vepron do i heqim vetë barrikadat

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka mbajtur konferencë për media në lidhje me situatën në veri. Ai tha se ngjarjet e fundit kanë shqetësuar shumë qytetarët dhe se barrikadat janë organizuar nga grupe kriminale.

“Thirrja përkon me zhvillimet e javës së fundit në katër komunat veriore. Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit kanë shqetësuar edhe më shumë qytetarët. Barrikadat janë praktikë e njohur, janë organizuar nga grupe kriminale të armatosura dhe po mbahen nga qytetarët që janë të kërcënuar nga Beogradi”, tha ai.

“Barrikadat kanë humbur arsyen me të cilën ata i patën ngritur, arsyet të cilat në asnjë moment s’kanë qendruar. Ato nisën pas arrestimit të ish-zyrtarit policor Pantiq por rreth barrikadave po njoftohemi çdo ditë për kërkesa të reja nga Beogradi. Kërkohet lirimi i Pantiqit, që është i papranueshëm”, tha ai.

Tutje, Sveçla tha se po presin një përgjigje nga partnerët dhe nga KFOR-i për heqjen e barrikadave.

“Mu për shkak të barrikadave, bllokimit të rrugëve, ai po mbahet në stacion policor në Jarinjë. Është diskutuar shumë për gjendjen e Pantiqit. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur, por pa dyshim që ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje dhe jo në stacion policor. Ne kemi kërkuar tek partnerët tanë, kemi proceduar kërkesën për transferimin e tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë në ambientet adekuate për vazhdimin e paraburgimit. Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia lehtë dhe sigurt. Mënyra më e mirë është largimi i tyre nga ata që vet i kanë vendosur. Por ne kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e këtyre barrikadave. Presim nga partnerët, presim nga KFOR-i që të veprohet sa më parë. Situata që 13 ditë është e njëjtë apo është e rënduar”, tha ai.

Ai tha se nëse barrikadat nuk largohen, Policia ka kapacitetet për t’i hequr vet ato.

“Po presim që sa më shpejtë ato të largohen. Në qoftë se nuk ndodhë, ne kemi kapacitetet për ta bërë vet. Situata në terren po e shton frikën. Serbia po përdor propagandë masive të mbështetur edhe nga grupe e individë brenda Kosovës”, shtoi Sveçla.

About Redaksia

Check Also

Drejtori i FBI mashtron Amerikën dhe botën për atentatin ndaj Trump

Donald Trump u godit në veshin e djathtë nga një prej plumbave të atentatorit Thomas …

Leave a Reply