Tre persona përfshi një zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit u arrestuan pasi u gjetën me 58 kilogramë kanabis në makinë. Dy persona që dyshohej se prisnin narkotikun u shpallën në kërkim
BIRN
Një zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, AKSHI, u arrestua nga policia në Qafthanë pasi dyshohet se po kryente trafik të lëndëve narkotike dhe në makinën që ajo drejtonte u gjetën 58 kilogramë kanabis. Sipas policisë Erisa Fero 28 vjeç nga Pogradeci, punonjëse e AKSHI-t dhe banuese në Tiranë, Likë Basha 32 vjeç nga fshati Mafsheq i Krujës dhe 17 vjeçari M. K nga Kruja kanë udhëtuar nga Tirana me ngarkesën e drogës për ta dorëzuar tek 2 persona që janë shpallur në kërkim, F.S dhe G.S. nga fshati Piskupat i Pogradecit, të cilët më tej dyshohet se do ta transportonin drogën me varkë në drejtim të Maqedonisë së Veriut ku i prisnin persona të tjerë.
Në një njoftim zyrtar të Policisë së Korçës që kreu operacionin e koduar “Restart”, thuhet se informacioni ishte siguruar me metoda speciale. “Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike”, thuhet në njoftim.
AKSHI, agjencia shtetërore përgjegjëse për komunikimet digjitale dhe mbarëvajtjen e sistemit të shkëmbimit të informacioneve zyrtare të njohur si e-Albania, tha se do merrte masa ndaj punonjëses që sipas njoftimit për shtyp kishte rolin e specialistes në një prej sektorëve të e-Albania.
“Në vijim të deklaratës së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, për finalizimin e operacionit “Restart”, me arrestimin e 3 shtetasve, ndër të cilët dhe znj. Erisa Fero, AKSHI njofton se: bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi (Kodi i Punës), ka nisur menjëherë procedurën për shkarkimin nga puna të këtij personi”, thuhet në njoftim.
Por arrestimi i Feros, ka ekspozuar më tej ndaj kritikave AKSHI-n, e cila shihet si përgjegjëse për një sërë skandalesh përfshirë përdorimin e të dhënave të qytetarëve për databazën e ashtuquajtur të patronazhistëve të përdorur nga Partia Socialiste në zgjedhje apo për paaftësi në mbrojtjen e sistemeve digjitale nga sulmi ndaj e-Albania nga hakera që besohet se mbështeten nga Irani.
Të përfshirë në hetim janë edhe dy punonjës policie, nga sektori i qarkullimit rrugor që dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin e të rinjve për të lehtësuar transportimin e lëndës narkotike. Indicet dhe informacionet e siguruara nga Inteligjenca Informative bënë që policia të ndërhynte në afërsi të Qafthanës duke kapur kështu Feron e cila drejtonte mjetin dhe 2 personat që e shoqëronin ndërsa 2 të rinjtë e tjerë që do të merrnin në dorëzim lëndën narkotike për të vazhduar transportimin e saj në formë stafete janë shpallur në kërkim.