Aneksimi i katër rajoneve ukrainase nga Rusia
Në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, kërcënimi bërthamor në këto kohët e fundit duket se po bëhet një realitet i pakëndshëm; boll t’i hidhet një sy i shpejtë agjencive dhe të përditshmeve më të mëdha ndërkombëtare për të kuptuar se situata, në territorin e luftës, bëhet dita ditës më e vështirë. Ndodhitë e kohëve të fundit, të cilat sintetikisht do t’i theksojmë, e kanë percipituar më tej krizën, tashmë e fortë në pjesën e fundit të verës, pasi që armatat ukrainase, të mbështetura me vështirësi nga perëndimorët, kanë kaluar në sulm, duke çliruar porcione të territorit mp parë të pushtuara apo të invaduara nga Moska. Gjithësesi, deklarimet e enturazhit të presidentit Putin, që i referohen në mënyrë eksplicite (dhe jo më të fshehur) përdorimit të armëve atomike taktike me qëllim mbrojtjen e territorit kombëtar të kërcënuar, e kanë bërë konfliktin në zhvillim një hop cilësor në kuptimin e vërtetë të fjalës, siç nuk kishte ndodhur kurrë qysh nga fillimi i luftës, por le të shikojmë parasëgjithash faktet.
Forcat ukrainae, duke përdorur raketat e fuqishme HIMARS të dërguara nga Shtetet e Bashkuara, kanë çliruar në fillim të shtatorit territore të gjera, në disa prej të cilave sapo ishte vendosur një administratë ruse: në pak ditë ata kanë arritur të ripushtojnë një pjesë të asaj që Rusia kishte pushtuar në 5 muaj konflikt të përgjakshëm. Kjo ka krijuar pakënaqësi në radhët e ushtrisë ruse dhe jo vetëm midis gjeneralëve: boll të lexosh letrat e dërguar në atdhe nga ushtarët, si në opinionin publik, gjithnjë e më i alarmuar nga ecuria katastrofike e luftës, që Putini vazhdonte ta quante «operacion special» për të mundur rebelët pronazistë. Është në këtë kontekst që presidenti rus, i këshilluar nga fajkojtë e partisë dhe pasi ka spastruar sërish shumë komandantë dhe gjeneralë të ushtrisë, të shpallur tradhëtarë dhe të paaftë, ka marrë dy vendime ekstreme, me ndërhyrjen për të fituar terren ose, siç theksojnë disa analistë, për të shmangur më të keqen: atë të mbajtjes së referendumeve në provincat e pushtuara (nganjëherë vetëm pjesërisht) nga ushtria ruse dhe më pas të urdhërojë një mobilizim, të treguar si të «pjesshëm», të rreth 300000 rezervistëve, duke «futur luftën nga porta e madhe e shtëpisë» ose më mirë, siç thuhej prej kohësh, «duke e futur vendin në luftë».
Faktikisht, lufta nga ana ruse deri më tani ishte luftuar nga ushtarë që vinin nga rajonet më të largëta të vendit – si Buriacia dhe Dagestani – dhe nga ushtri private, si Legjioni Wagner dhe të tjera. Nga 23 deri më 27 shtator janë mbajtur referendume «false» në provincat ukrainase të pushtuara të Khersonit, Zaporizhzhias (ku gjendet centrali bërthamor, tani inaktiv, më i madh i Europës), Donjeckut dhe Luhanskut, duke ju kërkuar vendasve nëse donin që toka e tyre të aneksohej nga Rusia. Po t’u qëndrosh shifrave të shpërndara nga rusët, këto rajone do të kenë votuar në favor të aneksimit në përqindje midis 87% dhe 99%. Sipas rindërtimeve të dëshmitarëve, funksionarë të ndryshëm rusë kanë shkuar për të mbledhur vota shtëpi për shtëpi, të shoqëruar nga ushtarë të armatosur. Po është votuar – pa praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë – kudo ku qe e mundur: në stolat e parqeve, në stacionet e policisë dhe deri në dyqane. Në një kohë të parë, bashkësia ndërkombëtare është shprehur kundër legjitimitetit të referendumeve të tilla dhe kundër aneksimeve të mundshme territoriale dhe pastaj, siç ishte parashikuar, nuk e ka njohur vlefshmërinë e operacioneve të tilla, të konsideruara si bllof. Më 30 shtator, në një celebrim solemn në Sheshin e Kuq në Moskë, Putini ka proklamuar përpara turmës aneksimin e territoreve të tilla me Nënën Rusi, duke i quajtur «ruse përgjithmonë», dhe duke pohuar se është i gatshëm t’i mbrojë me çdo kusht nga sulmet e mundshme të jashtme. Kjo sipas doktrinës së përgjithshme ruse mbi mbrojtjen e territorit kombëtar. Vetëm se aneksime të tilla, siç është thënë, nuk njihen nga asnjë shtet, bile konsiderohen hapur si të paligjshme dhe si një pengesë ndaj një negociate të mundshme midis palëve dhe paqes. Mobilizimi kishte dy objektiva: të forconte ushtrinë ruse tashmë e lodhur dhe pa besim, që po lufton për të mbajtur një front prej 1000 kilometrash dhe të forcojë ndjenjën patriotike, duke e çuar Rusinë afër luftës.
Njerëzit, sidomos të rinjtë, por që e kanë kontestuar këtë vendim të Putinit dhe në shumë pjesë të vendit ka pasur manifestime, menjëherë të shtypura, kundër luftës. Këta të rinj, të lindur në epokën passovjetike, nuk e kanë pprjetuar kurrë një luftë të vërtetë, nuk kanë shkuar kurrë të luftojnë në një fushë beteje: duan mirëqenien, si të rinjtë perëndimorë, dhe do të donin paqen. Në ndryshim nga prindërit e tyre, janë indiferentë ndaj mitit të fuqisë dhe të lavdisë kombëtare. Në fund Putini nuk do të mund t’i mbajë parasysh. Faktikisht, në këto javë më shumë se 300000 të rinj, të quajtur nga qeveria «tradhëtarë», e kanë braktisur Rusinë dhe janë arratisur në vende limitrofe (Finlandë, Kazakistan etj.), dhe shumë të tjerë, pavarësisht kufizimeve të qeverisë, do të donin ta bënin sa më shpejt. Edhe «kozmetika» e «operacionit ushtarak special» kishte qëllimin që të mos i alarmonte rusët dhe të mbante lart konsensusin për qeverinë, gjë që pjesërisht e kishte arritur. Përkundrazo, tani të gjithë ndjejnë të ngjallen në shtëpitë e tyre fantazmat e luftës. Një numër i konsiderueshëm ushtarësh vriten në ultësirat e Ukrainës. Siç është shkruar, shtiren si inxhinierë, mjekë, informaticienë: një arratisje truri që do ta dëmtojë shumë ekonominë dhe zhvillimin e Rusisë. Sondazhet e fundit më të besueshme na thonë se konsensusi ndaj Putinit ka zbritur nën 60%, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Sipas Economist, me këto vendime Putini ka zbuluar dobësinë e tij jo vetëm përpara botës, por edhe përpara opinionit publik të vendit të tij, që deri në këtë moment ai donte që në një farë mënyre të mbetej e huaj me faktet e luftës. Tani, «duke aneksuar territore me të cilët nuk ka kontrollin e plotë, rrezikon të minojë integritetin territorial të Rusis. Kjo mund ta bëjë një vend me kufij fluidë dhe jo të njohur në nivel ndërkombëtar. Nëse Putini shpall aneksimin e të gjithë Donbasit, efektivisht do të thotë cilat pjesë të Rusisë janë të pushtuara nga trupat ukrainase dhe do të dukej i dobët nëse nuk arrin t’i flakë tej, gjë që ka mundësi nuk mund ta bëjë». Aq më shumë që avancimi ukrainas vazhdon: është çliruar qyteza Lyman dhe është çarë fronti i Kherson; më pas forcat e Kievit kanë avancuar edhe në Luhansk dhe Donjeck. Paradoksalisht, me politikën e tij Putini ka hyrë në një xhungël shumë të vështirë për t’u ndarë dhe që mund ta çojë të marrë vendime ekstreme.
Fuqitë e mëdha kundër aneksimeve dhe kërcënimit atomik
Disa fuqi të mëdha që në një kohë të parë qenë në një farë mënyre jo armiqësorë ndaj Rusisë dhe në Kombet e Bashkuara, menjëherë pas pushtimit, patën abstenuar në dënimin e luftës në Ukrainë, si Kina dhe India, i kanë dënuar fjalët e Putinit mbi aneksimet. Qysh në samitin e Samarkandës të 15 shtatorit, Kina ishte shprehur e preokupuar me ecurinë e luftës. Më pas ministri i Jashtëm i saj, në një takim në Kombet e Bashkuara, ka deklaruar se «presidenti Xi ka nënvizuar nevojën e rseptkimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve dhe do armëpushimin». Një paralajmërim i ashpër drejtuar kreut të Kremlinit. Miqësia e përjetshme që të dy vendet i patën premtuar njërit tjetrit në Olimpiadën dimërore të këtij viti ka kushte. Xi nuk ia kthen krahët mikut Putin, ama e paralajmëron se situata duhet të ndryshojë dhe tronditja e rendit ndërkombëtar (përfshi kërcënimin atomik) nuk është në asnjë mënyrë e pranueshme. Edhe kryeministri indian Narendra Modi ka pasur fjalë të ashpra ndaj vendimeve të Putinit: «Kjo nuk është kohë për luftë», ka thënë në Kombet e Bashkuara, duke shënuar një ndryshim të prerë hapi në raportet me Moskën. Gjatë këtyre muajve Modi ka kërkuar të qëndrojë i barazlarguar, edhe për shkak të skontove të majme mbi naftën ruse të siguruara nga Moska. Njëkohësisht ka vërejtur me shqetësim në rritje afrimin e Rusisë me Kinën. Në çdo rast, për momentin India nuk do t’i prishë raportet me Rusinë, por as me Perëndimin.
Në selinë e Kombeve të Bashkuara, edhe Turqia ka deklaruar se nuk do ta njohë referendumin që Rusia ka mbajtur në rajonet ukrainase. Duhet kujtuar se Ankaraja e ka konsideruar gjithmonë të paligjshëm referendumin mbi aneksimin e Krimesë, edhe për arësye të kuptueshme gjeopolitike lidhur me kontrollin e Detit të Zi. Turqia e Erdoğanit deri më tani kishte ruajtur raporte të përzemërta me Moskën: përveç marrëveshjes për grurin, kishte arritur të siguronte me konsensusin amerikan një shkëmbim të çmuar robërish lufte midis Rusisë dhe Ukrainës. Por mobilizimi i trupave dhe kërcënimi bërthamor të njoftuara duket se kanë kapur në befasi Erdoğanin, që vetëm pak kohë më parë kishte deklaruar: «Kam përshtypjen se Putini do ta përfundojë luftën sa më shpejt të jetë e mundur». Parashikim krejtësisht i gabuar, përveçse i guximshëm. Shtetet e Bashkuara i kanë komentuar mesazhet e liderit në mënyrë të ashpër dhe të vendosur. Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke ju drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që t’i dërgojë një mesazh të qartë e të vendosur Putinit, me qëllim që të ndalojë kërcënimet bërthamore ndaj Ukrainës. Më tej ka ndërhyrë edhe presidenti Joe Biden, duke pohuar se Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore nuk u frikësohen kërcënimeve të Putinit dhe se janë në gjendje t’u përgjigjen me vendosmëri provokimeve, edhe ekstreme, të Moskës. E gjitha kjo bën që t’i frikësohet më së keqes dhe kjo mundësohet nëse je «me shaptulla pas murit» (si gjest i dëshpëruar dobësie) ose, më keq, nëse kanë humbur arësyeja dhe ndjenja morale. Ama nuk duhet harruar se ky «fjalor» futet – të paktën shpresohet – në një farë mënyre nël dinamikën perverse për të cilën arma atomike merr një karakter frenimi.
Përdorimi i armëve bërthamore taktike në Ukrainë është tashmë një skenar që duhet marrë seriozisht. Putini ka paralajmëruar se kësaj radhe, duke folur për të gjitha mjetet, nuk po bllofon, por ky fakt edhe për Moskën paraqet më shumë rreziqe sesa benefite. Parasëgjithash, përdorimi i bombave bërthamore me dimensione të vogla do të ishte një konfirmim i qartë i dobësisë ushtarake të Rusisë në çuarjen përpara të një lufte konvencionale. Në veçanti do të ishte për të si të pranonte humbjen e saj në fushën e betejës. Në radhë të dytë, në këtë mënyrë Rusia do të transformohej në një vend pariah, ashtu si Koreja e Veriut, dhe do të humbiste mbështetjen e Kinës dhe të fuqive të tjera ndërkombëtare. Në radhë të tretë, një sulm i ngjashëm do të bënte të papërshtatshme kilometrat e shumta katrore të territorit, duke vrarë edhe ushtarë rusë. Rrezatimet, siç na mëson rasti i Çernobilit, do të godiste pjesë të Rusisë dhe të vendeve të BE, duke i përfshirë kështu në një luftë botërore. Në çdo rast, qoftë e besueshme apo jo, «një kërcënim i tillë duhet konsideruar seriozisht sepse jemi në një situatë me shanse shumë të pakta dhe efekte potenciale shumë të larta».
Kundër luftës dhe sidomos kundër përdorimit të armëve bërthamore ka ngritur zërin e tij edhe Papa Françesku. Në Angelus e së dielës 2 tetor, ka pohuar: «Dhe çfarë të thuash për faktin që njerëzimi ndodhet sërish përpara kërcënimit atomik? Është absurde». Papa ia ka kushtuar të gjithë diskutimin «luftës së agresionit» në Ukrainë. Për herë të parë në mesazhin e tij ka cituar si presidentin e Federatës Ruse, ashtu edhe presidentin e Ukrainës, duke ju lutur të parit të ndalet, edhe prej dashurisë për popullin e tij, kjo spirale dhunme dhe vdekjeje dhe të dytin për të qenë i hapur «ndaj propozimeve serioze të paqes». Françesku ka dënuar aksionet kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe, në emër të Zotit, ka kërkuar që të arrihet menjëherë në një «armëpushim». Ky apel i Papës të kujton mesazhin historik të bërë nga Gjoni i XXIII më 25 tetor 1962, gjatë krizës së raketave të Kubës, kur për herë të parë njerëzimi – njerëzit e thjeshtë, ashtu si edhe krerët e shteteve – u gjet duke eksperimentuar ankthin e rrezikut të shkatërrimit total.
Në kohët e fundit situata është komplikuar më tej, pas një shpërthimi katastrofik të ndodhur më 8 tetor në urën e Kerch (që lidh Rusinë me Krimenë), e atribuar nga Moska «terroristëve» ukrainas. Duke ndjekur këshillën «e partisë së fajkojve», lideri rus ka njpftuar menjëherë hakmarrje. Faktikisht, më 10 tetor qytete të ndryshme ukrainase, Kievi në krye, janë goditur për disa orë nën një shi raketash dhe bombash ruse. Të vdekurit midis civilëve kanë qenë 19 dhe rreth 100 të plagosurit, ndërsa shumë infrastruktura me përdorim joushtarak janë shkatërruar. Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare. «Këto sulme, ka deklaruar Biden, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e forcojnë impenjimin tonë në favor të popullit ukrainas […]. Do të vazhdojmë t’i imponojmë kosto Rusisë për agresionin e saj, ta konsiderojmë Putinin dhe Rusinë përgjegjëse për mizoritë dhe krimet e luftës së saj dhe do t’u japim mbështetjen e nevojshme forcave ukrainase që të mbrohen, përfshi sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore». Fjalë të rënda: për t’u nënvizuar definicioni i «krimeve të luftës» lidhur me akte të tilla dhe impenjimi amerikan për ta fuqizuar mbrojtjen ajrore, që është ajo që në këtë moment Zelensky u kërkon fuqive perëndimore.
Menjëherë pasi fuqitë perëndimore, të mbledhura në G7 e kërkuar nga gjermanët, kanë konfirmuar kërkesat amerikane në frontin e ndihmave të reja ushtarake për Kievin, por këto ndërhyrje mund të kenë pasojnë e rritjes së nivelit të përplasjes dhe të rrisin rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore, edhe pse kohët e fundit Putini – duke marrë parasysh, siç është thënë, reagimet negative të Kinës dhe të Indisë – e ka moderuar fjalorin e tij luftarak dhe «apocaliptik». Ama nuk duhet harruar se kërcënimi atomik si instrument propagande (dhe jo më frikësimi) në situata ekstreme mund të bëhet një realitet i padëshiruar. Tani do të donim të përshkonim, megjithëse në mënyrë sintetike, ndodhinë e krizës së Kubës e vitit 1962, të cilën e kemi përmendur, pasi na jep ndihmë në këtë moment që flitet për kërcënim atomik, për të kuptuar se ka gjithmonë në rrugë «rikthimi», edhe kur është shkuar pak përtej.
Kriza e Kubës dhe Vatikani
Shumë është diskutuar në seli historike mbi rëndësinë e fjalëve të Gjonit të XXIII, drejtuar jo krerëve të dy superfuqive (Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara), por «njerëzve me vullnet të mirë», patën në rend me zgjidhjen e krizës dramatike të Kubës së tetorit 1962. Në aspektin historik, leximi që i jepet këtij fakti është ende shumë kontradiktor dhe jo gjithmonë i pastruar nga konsiderata të natyrës ideologjike. Parasëgjithash duhet kujtuar se Selia e Shenjtë, qysh të nesërmen e revolucionit kubanez të janarit 1959, nuk ishte rreshtuar hapur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe, megjithëse qeveria revolucionare kubaneze kishte kërkuar mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik, kishte ruajtur një pozicion neutral, siç ishte në traditën e diplomacisë vatikanase. Në momentin ku presidenti i ri amerikan, katoliku John Fitzgerald Kennedy, vuri në zbatim një embargo totale kundër ishullit, duke pretenduar nga të gjitha shtetet amerikane prishjen e marrëdhënieve diplomatike me qeverinë e re marksiste të Fidel Castro dhe duke kërëcnuar deri një pushtim ushtarak, Papa nuk i cedoi njerëzve që i kërkonin, për të mbështetur politikën e presidentit amerikan, të komunikonte shkishërimin e regjimit të ri kubanez dhe të prishte marrëdhëniet diplomatike. Tjetër efekt i kësaj mënyre të vepruari të matur dhe super partes të mbajtur nga Selia e Shenjtë në këtë rast qe se të gjithë peshkopët kubanezë qenë në gjendje të merrnin pjesë në të afërtin Koncili i Vatikanit II.
Kriza nisi në verën e 1962, kur «pozicionimi» i avionëve luftarakë rusë në territorin kubanez, si përgjigje nga administrata amerikane, provokoi spostimin në Florida të një grupi bombarduesish në gjendje që të ndërhynin në një sulm sovjetik ndaj territorit amerikan. Më 16 tetor presidenti Kennedy informohej se sovjetikët patën instaluar rampa raketore sulmuese në Kubë, raketat e të cilave të do të mund ta arrinin lehtësisht territorin e Shteteve të Bahskuara dhe atë të vendeve të tjera të Amerikës Latine. Sipas thënies së inteligjencës sovjetike, bëhej fjalë për një masë legjitime hakmarrje në kundërpërgjigje të «ndërhyrjes» amerikanë në Gjermani dhe sidomos në Berlin, që prej një viti ishte ndarë tashmë në dy pjesë nga Muri. Në realitet, prania e raketave sovjetike në Kubë ishte një manovër taktike për ta vënë në vështirësi presidentin amerikan, në pritje të zgjedhjeve parlamentare të mesit të mandatit, ndërsa kryeministri sovjetik kishte nevojë t’u demonstronte kundërshtarëve të brendshëm të tij se ishte i fortë, në gjendje ta përballonte Perëndimin dhe ta mbante larg kolonializmin amerikan. Por situata me kalimin e kohës u shpëtoi nga dora të dyja palëve, duke u bërë ditë pas dite më kritike nga sa imagjinohej.
Më 22 tetor presidenti Kennedy ju drejtua në televizion popullit amerikan, duke treguar fotot e rampave raketore sovjetike të vendosura në Kubë. Në formë jo të negociueshme ai njoftoi një bllokim detar rreth ishullit karaibik, për të penguar që testatat bërthamore e ngarkuara – u tha – në anije sovjetike tashmë të drejtuar drejt Kubës të arrinin në destinacion. Me frymëmarrjen e mbajtur, bota ndoqi drejtpërsëdrejti ndodhinë dramatike të atyre ditëve, duke ju trembur shpërthimit të një lufte bërthamore me pasoja të paparashikueshme. Koncili, i nisur prej pak më shumë se një muaji dhe që më 20 tetor kishte miratuar një mesazh drejtuar botës, njohu një moment pauze. Disa peshkopë, në veçanti ata të Lindjes europiane, kishin ndërmend të ktheheshin në vendet e tyre në rast se situata nuk normalizohej.
Ndërsa diplomacia e të dy superfuqive ishte frenetikisht e impenjuar të gjente një rrugëdalje dinjitoze nga kriza që bëhej gjithnjë e më e rëndë, një grup akademikësh dhe intelektualësh sovjetikë e amerikanë në ato ditë u mblodh në Phillips Academy të Andover, në shtetin Massachusetts, për të diskutuar mbi raportet midis Lindjes dhe Perëndimit. Pas mesazhit alarmues të Kennedy për kombin, pjesëmarrësit në konferencë votuan për vazhdimin e punimeve. Midis pjesëmarrësve ishte edhe, si vëzhgues, ati domenikan Felix Morlion, rektor i universitetit Pro Deo të Romës, i cili i shtyrë nga kolegë të ndryshëm të të dyja delegacioneve i telefonoi Vatikanit për të nxitur një ndërhyrje të Papës. Ju tha se Gjoni i XXIII ishte shumë i preokupuar për situatën dhe se përpara se të ndërhynte me mesazhin e tij donte të ishte i sigurtë se do të pëlqehej nga të dyja palët dhe se, veç kësaj, synonte të ishte i informuar mbi kushtet e vendosura nga palët për arritjen e një marrëveshje maksimale. Në këtë pikë trajtimi i çështjes i kaloi diplomacisë. Norman Cousins, shefi i delegacionit amerikan dhe mik personal i shumë liderëve sovjetikë, i kërkoi Theodore Sorensen, këshilltar i presidentit amerikan, që ta informonte Kennedy për propozimin e Papës, duke marrë një përgjigje pozitive. Njëkohësisht kreu i delegacionit sovjetik në Andover i referoi Moskës, e cila e priti me kënaqësi iniciativën papnore.
Mëngjesin e datës 25 Papa punoi intensivisht për përgatitjen e një mesazhi: dëgjoi njëri pas tjetrit kardinalët amerikane e pranishëm në Koncil dhe pastaj edhe disa peshkopë gjermanë. Atë mëngjes ju komunikua një statement i U Thant, sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, që në mënyrë unanime i kërkonte Shteteve të Bashkuara ta hiqte bllokimin detar ndaj Kubës dhe Bashkimit Sovjetik të mos dërgonte armë në ishullin karaibik. Mesazhi shkurtër radiofonik i Gjonit të XXIII u transmetua nga Radio Vaticana në frëngjisht në mesditë. Ai nuk përmendëte të dy krerët e shteteve të përfshirë në kontestimin e tmerrshëm, por i drejtohej thjesht «njerëzve me vullnet të mirë». Gjuha e mesazhit ishte e thjeshtë dhe e kthjellët; kufizohej «në materialitetin e shkaqeve të krizës [dhe] ofronte një lexim të nderuar për të dyja palët». Nga momenti që Selia e Shenjtë nuk kishte marrëdhënie diplomatike me asnjë prej të dy superfuqive, mesazhi u dorëzua nëpërmjet ambasadorëve të të dyja vendeve të akredituar pranë Quirinale.
Ndërkaq, më 26 tetor, Hrushovi i dërgonte një letër presidentit amerikan, duke deklaruar në linja maksimale marërveshje me indikacionet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara; njëkohësisht kërkonte garanci që as Shtetet e Bashkuara, as një shtet tjetër amerikan nuk do ta pushtonin Kubën. Një letër e mëtejshme e presidentit sovjetik, e dërguar me 27 tetor, e komplikonte më tej çështjen, duke e rritur postin e lojës: kësaj radhe Moska kërkonte çinstalimin e raketave amerikane Jupiter, të dislokuara në Turqi (që në të vërtetë qeveria amerikane i konsideronte të parapambetur e të kota strategjikisht dhe që kishte vendosur t’i eliminonte), në këmbim të heqjes së rampave raketore në Kubë. Veç kësaj, të dy superfuqitë do të impenjoheshin, në gjirin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që ta respektonin sovranitetin territorial të Turqisë. Ky fakt e vuri në siklet të madh administratën amerikane. Logjikisht, më shumë se mendja e presidentit sovjetik, letra e dytë e Hrushovit ishte shprehje e pretendimeve të avancuara nga «fajkojtë» brenda partisë komuniste. Pas një diskutimi të gjatë, në Shtëpinë e Bardhë u vendos që t’i përgjigjej vetëm letrës së parë, duke e injoruar përmbajtjen e të dytës. Më 28 tetor Hrushovi i prani termat e përcaktuara nga presidenti amerikan dhe ndërkohë bëri të njohur një listë të gjatë ankesash të shprehura nga qeveria kubane ndaj Shteteve të Bashkuara.
Komunikata sigurisht që nuk ishte miqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, por përmendëte raketat e dislokuara në Turqi. Kennedy e mori mesazhin dhe lejoi që diskutimet mbi negociatën të niseshin në gjirin e Kombeve të Bashkuara nga dy diplomacitë respektive. Frika e madhe ishte zhdukur; rreziku i luftës atomike ishte kthyer, edhe pse në mënyrë ambige. Por çfarë roli pati mesazhi i Atit të Shenjtë në zgjidhjen e krizës? Pavarësisht detyrimeve dhe falenderimeve oportune të ardhura Papës privatisht nga presidenti amerikan dhe nga ai sovjetik, duhet thënë se sidomos qe ky i fundit që e mbajti në konsideratë të madhe ndërhyrjen papnore. Sipas disa studiuesve, vetë mënyra e ngritjes së çështjes nga ana e Hrushovit në letrat e dërguara presidentit amerikan ndjente fjalët bindëse të Gjonit të XXIII. «Hrushovi, shkruan lidhur me këtë aspekt Alberto Melloni, ofron një marrëveshje sepse “e gjithë bota është në ankth” dhe të shmangë rrezikun e konfliktit është t’i rijapë “gëzim të gjithë njerëzimit”». Kurse administrata amerikane zytarisht nuk i citoi kurrë fjalët e Papës dhe bëri gjithçka për ta diskredituar tezën se ndërhyrja paqësore nuk kishte pasur asnjë influencë mbi vendimin e marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara mbi çështjen e një shteti kaq të rëndësishëm sa kriza e Kubës.
Për sa i përket Hrushovit, në raste të ndryshme ai shprehu fjalë vlerësimi në drejtim të Papës për impenjimin e tij lidhur me paqen në botë: sidomos lidhur me çështjen që po trajtojmë këtu, në një takim të 132 dhjetorit 1962, i tha mikut Cousins se «apeli i Papës qe në rreze e vërtetë drite» dhe se ishte pafundësisht mirënjohës. Me t’u kthyer në Romë, Cousins ia shprehu personalisht Papës përshëndetjet e Hrushovit dhe urimet për Krishtlindjet. Disa ditë më pas Gjoni i XXIII ju përgjigj me ton të përzemërt fjalëve të kryeministrit sovjetik, duke i uruar popullit rus paqe dhe begati. Urimi për të tashmen është që fjalët e papa Françeskut kundër luftës dhe kundër përdorimit të armëve bërthamore të dëgjohen, siç ka ndodhur 60 vite më parë, dhe që të ndërmerren negociata serioze për një «armëpushim» imediat, në interesin e të dyja vendeve të implikuara dhe të gjithë njerëzimit.
(nga La Civilta Cattolica)
Përgatiti
ARMIN TIRANA