Kiko zbulon arsyen se pse nuk rriten pensionet

Nga Lutfi DERVISHI

U desh një ngjarje tragjike që Kiko të kuptonte se pse nuk rriten pensionet në Shqipëri. Kam vite në këtë vend dhe deri më sot nuk e kam kuptuar se si është e mundur që pensionistët të jetojnë me një pagë që nuk siguron as edhe një banane në vakt? Po ilaçet? Po drita? Po uji? Po buka? Po qokat? Po ..? Si është e mundur që çmimet janë dy-tre fishuar dhe pensionet kanë mbetur në vend? Si është e mundur të jetojnë me 100 -150 mijë lekë mbi 640 mijë pensionistë? Për gjithë këto pyetje Kiko sot mori përgjigje shteruese kur lexoi postimin e kryetares së bashkisë së Lushnjës sipas së cilës “zonja që ndërroi jetë, “u bë keq” sapo dëgjoi që në janar do të futej në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak!!

Kiko u ndje keq që kishte menduar shumë keq për kryeministrin. Ai qenka shpirt njeriu. Ai nga mëngjesi në darkë mendoka vetëm për shëndetin e njerëzve. Po të kishte rritur pensionet, siç rekomandojnë ca trutharë të opozitës dhe ca ekonomistë që gjyshja e tij ju jep ujë me bishtin e lugës së kafesë, do të ndodhte hataja në këtë vend. Rritja e pensioneve do të shtonte masivisht numrin e infarkteve dhe Covidi do të dukej si grip pulash para lajmit për rritjen e pensioneve.

Ky vend përballoi me sukses tërmetin, Covidin, luftën në Ukrainë, por edhe rezistenca e ka një kufi. Nuk ka asnjë shans të përballojë rritjen e pensioneve.

Rritja e pensioneve do të paralizonte sistemin shëndetësor. Shqipëria ka vërtet kardiologë shumë të mirë, por nuk do të mjaftonin gjithë kardiologët e Europës për të përballuar “arrestet kardiake”, pas lajmit për rritjen e pensioneve.

Pasi e kuptoi se rritja e pensioneve bëhet për arsye thjesht humanitare, Kiko u kthjellua dhe e pa problemin edhe më gjerë. Edhe nëse nuk do të kishte shumë infarkte, gjë që rasti i zonjës së Lushnjës e përjashton si mundësi, sërish do të kishim pasoja të rënda familjare dhe sociale. Pensionistët ja kanë dalë për shkak të kontributit të fëmijëve. Po të rriten pensionet dobësohen lidhjet prind-fëmijë dhe familja shqiptare do të merrte një goditje fatale.

Rritja e pensioneve, do të dobësonte edhe shanset e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Deri më tani i vetmi produkt bio që Shqipëria mund t’i japë Europës është “toleranca fetare”. Por rritja e numrit të viktimave në institucionet shtetërore do të shoqërohej me përsëritjen e riteve pagane si therja e pulave të zeza. BE do të kuptonte që toleranca fetare është hipokrizi se shqiptarët më shumë i besojnë bestytnive dhe liderëve politikë sesa fesë.

Rritja e pensioneve gjithashtu do të ishte një goditje fatale për konsumatorët shqiptarë dhe do të zhvlerësonte paketat e rezistencës së qeverisë.

Therja e pulave të zeza mund ta çojë çmimin e vezës në stratosferë… Megjithatë çdo e keqe e ka edhe një të mirë, – tha Kiko. Çmimi i vezës mund t’ia kalojë çmimit të pulës, por më në fund i jep drejtim, në favor të vezës, edhe dilemës mijëravjeçare cila ishte e para: veza apo pula?

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply