Kompania SpaceX lëshoi ditën e kaluar ngarkesën e parë të satelitëve në hapësirë.
Në total bëhet fjalë për 114 satelitë të vegjël që do shërbejnë për 23 vende të ndryshme. Raketa Falcon 9 do i dërgojë satelitët në orbitën polare.
Në mesin e 114 satelitëve janë edhe dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2.
Qeveria shqiptare nuk ka bërë akoma transparencë për çmimin e këtyre satelitëve.
Por vetë SpaceX jep disa të dhëna në faqen e saj. Sipas kompanisë, ajo kërkon 1.2 milionë dollarë nga klientët për të dërguar në hapësirë një ngarkesë prej 200 kilogramësh.
Në përgjithësi satelitët e vegjël peshojnë nën 1200 kg. Nuk dihet se çfarë satelitësh ka zgjedhur qeveria shqiptare, por ata më të vegjlit janë rreth 600 kg.
Por në këtë shumë nuk përfshihen kostot e tjera të mirëmbajtjes dhe operimit të satelitëve, të cila po ashtu janë të larta.
Një ditë më parë, kreu i opozitës, Sali Berisha tha se kostoja shkon në rreth 10 milionë euro apo 3.2 herë më shumë se i gjithë buxheti për shkencën në Shqipëri.
Qeveria thotë se po i lëshon satelitët në hapësirë për të monitoruar ndërtimet pa leje dhe drogën, ndërkohë që këto të dyja po lulëzojnë në mes të Tiranës dhe Durrësit, përpara syve të qeveritarëve shqiptarë.