Anëtari i Kryesisë së PD, Gent Strazimiri u shpreh në Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, se Erion Veliaj po tenton të fshehë aferën te rruga “Xhon Belushi”, ku u tentua të bëhej një tender fiktiv prej 471 mln lekë.
Mbështetësit e Veliajt penguan edhe kamerën e Syri Tv të dielën për të mos filmuar asfaltin elektoral që po hidhet nga makineritë e bashkisë së Tiranës.
“Fillimisht mendova se kishin bërë pritë për mua dhe Albana Vokshin që të mos bënim konferencën për shtyp. Në fakt më pas kur lidh ngjarjet nuk më rezulton kështu. Ata nuk donin që kamera të filmojë. Diçka kanë për të fshehur në rrugë në punimet e deritanishme e cila nuk përputhet me ato që shkruhet në letra, që kanë publikuar në APP. Janë lajmëruar mediat për orën që do të bënin konferencën. Ka dalë dhe kanë bërë rrëmujën, por jo për të prishur konferencën, por për të mos lejuar kamerat të filmojnë.
Për të bërë një saktësim interesant. SPAK ende tani që flasim nga dita e krijimit, nuk ka kapur rezultatet e vitit 2008 kur ekzistonte task forca e krimit ekonomik në Prokurori. Të gjitha rezultatet që ka janë inferiore ndaj një viti të vetëm të prokurorisë që funksiononte ashtu sicc funksiononte. 471 mln lekë janë paratë e njerëzve. Me 471 mln lekë do t’u ishte dhënë bonus 50 mijë lekë të vjetra 9500 pensionistëve, në ato që janë gjetur te tubi sobës së pastrueses së Alda Klosit do të përfitonin 15 mijë pensionistë. Ky vend vidhen në mënyrë barbare dhe paratë janë të njerëzve”, u shpreh Strazimiri.
Strazimiri komentoi edhe vendimin që falsifikoi Enkelejd Alibeaj një ditë më parë për katër deputetë demokratë. Ai tha se ka lëvizje për të shkarkuar Alibeajn dhe qëllimi ishte të mos mbërrihej te ajo që ndodhi dje.
Ish-deputeti demokrat theksoi gjithashtu se askush në PD nuk e pranon më shërbimin që po i bëhet Ramës nga Alibeaj, për të cilin Strazimiri tha se vepron me mosarsyen e një dashnoreje të tradhtuar.
“Nuk e di nëse është iniciativë e zotit Salianji për të mbledhur firmat. Sigurisht ka një gjë. Deputetët që nuk kanë qenë ithtarë të foltores dhe që nuk i ishin bashkuar foltores kanë krijuar një përpjekje, një vorbull për të shkarkuar Alibeajn pikërisht për të mos mbërritur në të tilla akte. Një pjesë prej tyre janë persona që janë mbledhur rreth zotit Salianji apo për shkak të zotit Salianjit. E rëndësishme është që askush më në grupin parlamentar të PD nuk e pranon më këtë aventurizëm dhe këtë shërbim ndaj Edi Ramës që po kalon në ekstrem, për mendimin tim, me mosarsyen e një dashnoreje të tradhtuar”, tha Strazimiri.