Ndriçim Mehmeti, ekspert i fushës së arsimit e ka konsideruar skandal, vendimin e Ministrisë së Arsimit për të lejuar rivlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore. Në emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, Mehmeti theksoi tri problemet e mëdha që paraqet ky vendim për maturantët shqiptare.
“Në pamje të parë duket një gjë e mirë. Në fakt është e parealizueshme dhe do të na fusë në një qerthull dhe në një vorbull të mosbesimit, pse jo të korrupsionit dhe pse jo të dyshimit shumë të madh që do të kenë maturantët.
Që ta dini teknikisht, se kështu mbulohet kjo “do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë”, e dini se si do të bëhen ankesat?! Lëre komisioni që është gjëja më skandaloze.
Ankesat do të bëhen vetëm në një ditë, më 7 korrik. Pra, 10 mijë, 12 mijë maturantë, 15 mijë maturantë, do të mblidhen më datën 7 korrik të bëjnë ankesën, vetëm në një ditë. Kjo është e para. Sepse shqiptarët, ne e dimë kush jemi, nuk e pranojnë rezultatin.
E dyta, do të dekonspirohet i gjithë testi sepse kur të vesh ti, do të vesh si Flavio Qarri, apo jo?! Unë si Ndriçim Mehmeti. Pra, s’do të korrigjohen më kode të panjohura si emra, por do të korrigjohen emra.
Po ka dhe një gjë tjetër. Kush qenka ky komisioni i shkollës që qenka më i mirë se komisioni i qendrës së shërbimeve arsimore?!
Dhe kjo do të demotivojë korrigjuesit e mirë, sepse ai do të thotë: “Pse të vete unë?! Po bëra një gabim dhe ma kapi dikush, se gabimi është njerëzor, dhe ma kapi dikush gabimin, do të më bëjë rezil e para e punës; do të më fusë në armiqësi me maturantin dhe e treta, do të iki nga puna”, tha eksperti.