Kryetari i PD, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp sot për të denoncuar presionin që po i bëhet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre.
Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.
Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por njëri nga këto nene, do ta quaja si nenin e artë, ai është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike deputetët dhe ministrat, të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyrat apo burime të tjera përveç rrogës.
Ky nen është shkelur në mënyrën më flagrante, kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e investitorit strategjik. Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane, me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive”, u shpreh Berisha.
