Nga Gent STRAZIMIRI
Me 26 mars 2022, i zbrazën vetë zyrat në selinë e PD, duke pranuar verdiktin e demokratëve që i nxori të turpëruar me 6 mars.
U larguan natën, në heshtje, duke lënë pas një godinë që e kishin shndërruar në burg, në të cilin u vetëburgosën nga frika e demokratëve.
Dalja nga ai rrethim blindash të turpshme ishte njëkohësisht edhe një gjest çlirimi, një hap drejt lirisë dhe arsyes, mendova.
Mendova se u çliruan dhe sinqerisht shpresova se rrugët e ribashkimit tashmë ishin të mundëshme, mjaftonte të harronim tensionet dhe përplasjet, e të gjenim motivin tek beteja për liri, si dhe herë të tjera.
Por dikush a diçka nuk i lejoi!
Dikush a diçka i kapi për veshi, dhe i detyroi të bënin hapa prapa e të hapnin një spirale të re, edhe më të turpshme, tashmë jo më me “godinë” por, me “vulë” dhe me “gjyqe”…
Prej 10 muajsh enden kudo ku i çon ai “dikushi” apo ajo “diçkaja” që i ka kapur për veshi, duke mbajtur në dorë një vulë që ia njeh vetëm … regjimi!
Në këto 10 muaj, kanë dëshmuar se janë edhe më të robëruar se në 26 mars 2022 kur e liruan vetë godinën, se nuk janë të lirë të vendosin me bindjen e tyre, por presin porosinë e radhës nga dikushi apo diçkaja se si ti pengojnë demokratët të zhvillojnë betejën për liri.
Këto 10 muaj janë dëshmi e faktit se ai që nuk është i lirë vetë, nuk mund të drejtojë betejën për liri.
Ai që nuk është i lirë vetë, do vazhdojë të zvarritet gjykatave apo rrëzave ku e çon për veshi, dora e atij dikushit apo asaj diçkasë që e ka robëruar.
Beteja për liri nuk është betejë burokratike!
Askush nuk e ka fituar lirinë me stilograf e letër, e kësisoj as nuk e ndal dot nevojën për liri me stilograf e letër, për më tepër kur të dyja janë në dorë të opresorit…
26 marsi 2022, ishte veprimi i fundit autonom që ndërmorën, vendimi i fundit që u diktoi arsyeja, cilësi e njeriut të lirë.
Më tej nuk i lanë, dhe kjo dëshmon se nuk janë të lirë e për këtë arsye nuk i duhen më askujt!