Papa europian

“Filozof, teolog, poliglot, pianist, Ratzinger ka mishëruar një botë që po vdes”. Intervistë me filozofin Michel Onfray.

“Fuqia e një qytetërimi është e shoqëruar gjithmonë nga feja që e legjitimon. Kur feja gjendet në një fazë rënëse, edhe qytetërimi është; kur ndodhet në një fazë rënëse, qytetërimi kalbet; kur feja vdes, qytetërimi jep frymën e fundit bashkë me të. Duke qenë ateisti që jam, gjëja nuk më godet dhe nuk më ngjall kënaqësi: e marr siç mund të bëjë një mjek përballë një zhveshjeje të lëkurës apo një frakture, një infarkti apo një tumori. Qytetërimi judaiko – kristian europian gjendet në fazën terminale. Njoftimi niçean i vdekjes së Zotit në Europën e ‘800 përkon me atë të fillimit të fundit të qytetërimit judaiko – kristian. Feja e lëkundur e shekullit të XXI nuk mund të sigurojë më atë që siguronte në kohën e Vilhelm Pushtuesit duke ndërtuar katedrale dhe abaci, kisha dhe bazilika. Kolonat që shtrëngojnë Sagrada Familia si një protezë frenimi simbolizojnë përsosmërisht pikën e saktë të prekur nga besimi kristian: një thatësirë ontologjike. Kulmi i ironisë, shkatërrimi i kristianizmit është tashmë i pranishëm, i konsakruar nga papa Benedikti i XVI. Është i njëjti papë, që të martën 12 shtator 2006, në Universitetin e Ratisbonës, ku kishte dhënë Teologji dhe Filozofi, ka cituar Manuelin e II Paleolog për të shpjeguar atë që ndodhte në Europë. Në dritën e reagimeve të të gjithë planetit, ka kuptuar se ishta tepër vonë dhe se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të jepte dorëheqjen. Fakti është se Benedikti i XVI heq dorë nga posti i tij më 28 shkurt të 2013 – dorëheqje, jep dorëheqjen dhe tërhiqet në heshtje dhe në lutje… Kthehet të jetë Joseph Aloisius Ratzinger, zëvendësohet nga papa Françesku, aq jezuit sa që kishte marrë emrin e të parit të françeskanëve! Sagrada Familia është në gërmadha dhe papa që e ka konsakruar ka dhënë dorëheqjen. Roma nuk është më në Romë”.

Kështu shkruan tek “Dekadenza” filozofi Michel Onfray dhe krijon përshtypjen se dëgjon autorin e “Traktatit të ateologjisë” t’i thurë elozhe papës së merituar Benedikti i XVI. “Mund të jetë papa i fundit europian, me mënyrën e vjetër, i formuar nga filozofia gjermane dhe nga ermeneutika që i buron”, tregon Onfray për “Il Foglio”. “Filozof, teolog, poliglot, dashnor i muzikës dhe pianist, kishte natyrisht një kuptim të historisë, të estetikës klasike, të humanizmit kristian. Të dy vëllimet e “Jezùsit” të tij përqëndrojnë më shumë se gjysmë shekulli të mendimit të një njeriu që duket se ka lexuar gjithçka që filozofia dhe teologjia kërkojnë për këtë lloj pune. Ratzinger ka përjetuar nazizmin, totalitarizmat e kuq dhe të kaftë të shekullit të XX, ka përballuar nihilizmin e këtij shekulli dhe pleqëria e tij i ka mundësuar të asistojë në rritjen e nacionalsocializmit dhe në rënien e Europës, e korruptuar nga dekonstruktimi dhe nga wokeizmi amerikan. Është edhe njeriu me dy fytyra, sepse nga njëra anë ka punuar për Vatikanin e II, Majin e ’68 të kishës, që ka reduktuar peshën e transhendencës në favor të imanencës, dhe nga ana tjetër, si papë, ka lënë përshtypjen se lufton kundër asaj që Vatikani i II kishte lejuar, domethënë një reduktim të kristianizmit në moral moralistik, pa u kthyer kurrë në këtë prishje. Nuk përjashtohet se dorëheqja e tij shpjegohen me këtë kontradiktë: ndoshta e kishte kuptuar se stallat e Augia qenë bërë të pamundura për t’u pastruar! Fshehsa e çmendur e stazhierit shtrigan ishte bërë e pandalshme”.

Në Ratisbonë, papa ka sulmuar islamin dhe ka mbrojtur qytetërimin greko – judeokristian. Është lënë vetëm nga elitat perëndimore dhe sulmuar nga islamistët, që i janë përgjigjur duke vrarë kristianët. “Sulmuar? Duhet të biem dakord për këtë term… Ka thënë në thelb se dhuna është bashkësubstanciale me islamin: është një sulm apo një afirmin i bërë siç duhet mbi bazën e asaj që mësohet në vetë kuranin, një libër që nuk mungon nga ftesat për dhunë, nga hidhet e Profetit tek biografia e tij? Nuk po flas as për realitetin e vendeve ku islami është fe shtetërore. Nëse, siç e nënvizoni ju me të drejtë, myslimanët donin të demonstronin se islami nuk ishte një fe e dhunshme duke vrarë njerëz që ata thonin një gjë të kësaj natyre,  biem dakord se kanë preferuar t’i japin të drejtë tezave të Benediktit të XVI sesa të tyreve! Kurani nuk resht së proklamuari se Zoti është i mëshirshëm, por kur pohon njëkohësisht se “parajsa është nën hijen e shpatave” ka pakë hapësirë për mëshirë. Faktikisht, papa është gjykuar sipas parimeve të politikisht korrektes, të wokeizmit dhe të teorive të dekonstruktimit që janë më shumë në sintoni me islamin në formë të plotë sesa me kristianizmin në gjendje dekadence. Përsa i përket këtij gjykimi është përgjegjës për dorëheqjen e tij? Nuk e dimë… Ndoshta Benedikti i XVI e ka rrëfyer të gjithë këtë në një dorëshkrim që do të botohet vetëm pas dy shekujsh, kur Bazilika e Shën Pjetrit, e blerë nga trashëgimtarët e Elon Musk, do të bëhet një supermarket!”.

Ratzinger i përkiste një gjenerate europiane që njihte artin, muzikën, filozofinë, Mozartin, Hegelin. “Po e dimë që papa Françeskut i pëlqejnë tangoja dhe futbolli… Françesku është një jezuit, një njeri i pushtetit dhe, për pasojë, i intrigave. Prova e asaj që ai si papë merr emrin e Shën Françeskut të Asizit, jeta, vepra dhe mendimi i të cilit janë antiteza e shpirtit jezuit! Të mos harrojmë se papa Françesku nuk ka qenë kundërshtar i diktaturës në vendin e tij, Argjentinën, dhe që nuk ka mbështetur ata që, në kundërshtim me të, i janë kundërvënë regjimit. Jezuitët e kompanisë së tij kanë humbur jetën… Është e nevojshme të shqyrtohet sesa ndryshimi i zemrës i kardinalit Bergoglio, i bërë papa Françesku, i detyrohet dorëheqjes. Kurrë progresist nën armë, duket se dëshiron të bëjë premtime të vazhdueshme progresizmi qysh kur përfaqëson fatet universale të kishës. Përsa i përket Benediktit të XVI, ka kërkuar të riçarojë nga pasojat e Vatikanit të II si stazhier shtirgan me fshesën e tij, ndërsa Franpesku ka kërkuar të riparojë pasojat e zgjedhjes së tij të keqe politike në Argjentinën e ushtarakëve. Kjo i lë pak hapësirë një pontifikati pozitiv, vullnetar, konstruktiv dhe civil. Të dy, zotërinj të vjetër, luajnë në mbrojtje, që nuk është pozicioni më i mirë për të sulmuar…”.

Një vit më parë, në “Le Figaro”, ju keni shkruar: “Jam ateist, siç e dini, por jeta e kishës katolike më intereson sepse i jep pulsin qytetërimit tonë judaiko – kristian, që është në gjendje të keq. Sepse nëse Zoti nuk është i botës time, atëhere bota ime është ajo e bërë e mundur nga Zoti i kristianëve. Ka që në thonë ata qëmendojnë se Franca ka filluar me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, gjë që është aq budallaqe sa të besohet që Rusia ka lindur më tetorin e 1917, kristianizmi ka plazmuar një qytetërim që është i imi dhe që e ndjej se mund ta dua dhe ta mbroj pa mu dridhur qerpiku, pa mu dashur të kërkoj falje për fajet e tij, pa pritur ringjalljen pas rrëfimit, kufizimit dhe gjunjëzimit”.

Ka mbrojtur edhe meshën në latinisht, e rehabilituar nga Ratzinger dhe e shtypur sërish nga papa Françesku. “Kjo mbrojtje e Ratzinger duket një shenjë e kësaj dëshire për të riparuar të çarat e bëra nga Vatikani i II”, na thotë Onfray. “Kjo dëshirë për të prodhuar një katolicizëm të çliruar nga liturgjia antike, nga kulti primitiv i transhendencës që materialish e vë priftin përballë grigjës së tij me çmimin e ofendimit të pabesueshëm për t’ia kthyer krahët Zotit, i korrespondon në Francë, në terrenin politik, kokëprerjes së Luigjit të XVI: kjo çvendosje  nga Zoti ka bërë më pak zhurmë, por e ka lënë kishën e përgjakur… Kur Benedikti i XVI mbron meshën në latinisht, ndryshon ton… Dëshiron të pajtohet, por nënvizon frakturën e thellë”.

Gjendja e katolicizmit po jep shpirt në Europë. “Çfarë do të bëhet me kishat e Berlinit dhe Bradenburgut?”, pyet kësaj jave “Tagesspiegel”. Pastaj hapet FAZ: “E ardhmja e ish kishës katolike të Ngjitjes në Trevir ka qenë për një kohë të gjatë e paqartë. Tani janë ndërtuar 17 apartamente. Hulumtuesit e Universitetit të Friburgut kanë parathënë se numri i kristianëve në këtë vend do të përgjysmohet brenda 2060”. Pastaj shpaloset “Spiegel” dhe prognoza është e njëjta dhe duke lexuar të përditshmen e grupit Springer, “Die Welt”, krijohet një ide sesi një vend po shkristianizohet. “Numri i kristianëve në Gjermani po reduktohet. Vetëm gjysma e popullsisë i përket akoma njërës prej dy kishave të mëdha. Sipas Bertelsmann Foundation, 20% e anëtarëve të kishës e konsideron tërheqjen e saj “shumë” ose “në fakt të mundshme”. Prej 41 milion anëtarëve aktuale të të dyja kishave (19.7 milion protestantë dhe 21.6 milion katolikëve), 8 milion shpejt mund të shkojnë. Një tjetër 24% e anëtarëve të paktën e ka marrë në konsideratë”.

Dhe jemi në vendin e Ratzinger. Po asistojmë ditët e fundit të kristianizmit si strukturë sociale të organizuara? “Po është dorëzuar me revolucionin francez: pas Vatikanit të II, po asistojmë në triumfin botëror të klerit konstitucional dhe të priftërinjve të betuar!”, thotë Onfray. “Me papa Françeskun po asistojmë në një lloj feste federate të përsëritur! Ashtu si progresizmi revolucionar, me Njeriun e Ri të tij të Shën Palit, po rezulton sëmundja senile e kristianizmit, progresizmi wokeist po rezulton nga ana e saj sëmundja senile e këtij progresizmit të 1793. Dyshim, arrestim, proces, gjykim, ekzekutim: skema e Inkuizicionit u kopjua nga Tribunali Revolucionar i 1793. Nga ana e saj, skema e proceseve wokeiste frymëzohet nga ky shekullarizim i fesë kristiane deri në delir: kthehet në përdorim skema e vjetër e fajit, e ndjenjës së fajit, e rrëfimit, e kufizimit, e pendimit, e ndëshkimit. Është kështu që vdes një fe: e panjohur, si fytyra e pabesueshme e Benediktit të XVI në arkivolin e tij”.

Mund të themi se diskutimi i famshëm i Benediktit të XVI i vitit 2005 mbi diktaturën e relativizmit ishte një parandjenjë e cancel culture sot dominuese? “Po, sigurisht. Kemi kaluar nga një tepri tek tjetra: dogmatizmit agresiv të mbështetur nga një polici morale e mrekullueshme katolike që ka triumfuar për mijëra vjet ia ka lënë vendin një pafuqie totale të kishës, shpesh e përbërë nga kristianë à la carte që marrin nga feja atë që u intereson atyre dhe lënë menjanë atë që nuk i kënaq. Relativja është bërë absolutja e kohës tonë dhe është një absolute e dhunshme, brutale, inkuizitore, jotolerante”.

E kemi filluar me “Dekadencën”… “Po, pasi në qytetin ku unë jeton, Caen të Normandisë, Vilhelm Pushtuesi ndërtoi një seri ndërtesash, midis të cilave, përveç kështjellës dhe bastioneve të tij, nj abaci mashkullore dhe një abaci femërore. U deshën 30 vjet për t’i ndërtuar këto monumente, që kanë mbetur në këmbë 1000 vite më oas, pavarësisht zbarkimit amerikan të qershorit 1944 dhe bombardimeve të vazhdueshme mbi qytet. Kur Gaudí vendosi të realizojë projektin e Sagrada Familia në Barcelonë, qemë në shekullin e XIX, i gjithë shekulli i XX nuk qe i mjaftueshëm për ta ndërtuar këtë kishë dhe qe në shekullin e XXI që ndërtesa u konsakrua nga Benedikti i XVI, ndërsa ndërtimi ishte ende në zhvillim. Ky papë është dorëhequr, ka jetuar për 10 vjet si “papë i merituar”, tani ka vdekur dhe kjo kishë, megjithëse e konsakruar, nuk ka mbaruar akoma. Edhe përpara kompletimit të saj, është tashmë një gërmadhë! Kësaj i shtohet fakti që një tentativësulmi islamik është ndaluar midis mureve të vetë kishës… Kush mund të thotë se kjo nuk është një parabolë e gjendjes së kristianizmit në këtë moment?”.

(nga Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Sot është një ditë ku të gjithë duhet të marrim një libër në duar!

Bujar LESKAJ Data 23 prill nuk u përzgjodh rastësisht si Dita Botërore e Librit. 408 …

Leave a Reply