Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Partia Demokratike e ka vulën dhe siglën e saj për në zgjedhje. Ai madje sfidoi kryeministrin Edi Rama në një debat publik.
“Ne kemi vulën, siglën dhe flamurin në përputhje me ligjin. Ne do marrim pjesë në zgjedhje.
Ne kemi bërë përgatitjet më serioze në historinë tonë elektorale. Dhe vazhdojmë me intensitet.
Imagjino tani: Kandidatët e shpellës me kandidatët tanë në primare, çfarë epërsie morale kanë këta krahasuar me kandidatët e Rozetave të Edi Ramës. Kjo e ka tmerruar Edi Ramën.
Imagjinoni ju Sakon e Durrësit me Igli Carën? Sako, e cila është thjesht një zyrtare në duart e mafies. Se aty po kërcet dajaku. Por unë jam që të shkojnë para ligjit ata. Kurse Igli Cara përfaqëson qytetarin e Durrësit, banorët e Durrësit me të gjithë problematikat që kanë.
Le të vijë Erion Veliaj në një debat me Belind Këlliçin. Nuk vjen kurrë. Ka tmerr nga fytyra e vet. Sepse ai në çdo fjalë që do nxjerrë në atë debat, do kujtojë minierën e tij të floririt që po vjedh shqiptarët. Do kujtojë tenderat-kallp, mashtrimet, vjedhjet e tmerrshme.
Prandaj në këto zgjedhje janë të tmerruar.
Pastaj në ia mbajttë, të vijë Edi Rama me mua në debat. Të dalë pak. T’i tregoj se sa i vlen lëkura atij. E ftoj, pavarësisht se nuk dua të ulem kurrë me të, por detyrimi ndaj qytetarëve më imponon”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se, gjykata e ka dhënë vendimin e saj dhe i ka njohur atyre vulën dhe logon, por siç shprehet ai ky vendim po mbahet peng nga Edi Rama.
Berisha deklaroi sot se revolucioni i paralajmëruar nga opozita do të nisë shumë shpejt.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, ai tha se shoqëria shqiptare po zien teksa akuzoi kryeministrin Rama se po bën përpjekje për të mbajtur peng vendimin e gjykatës për regjistrimin e PD.