Kujtimet e mia për Sherif bej Delvinën

Edion Petriti

E kam njohur që nga vitet 2011-2012, kur vinte e studionte në një sallë leximi të Bibliotekës Kombëtare, ku punoja. E shihje gjithmonë me libra në duar.
– Sherif bej, – mbaj mend e pyeta njëherë, – përse e studiojmë historinë?
– Edion, – më thoshte Sherif beu me atë zërin e tij të matur e të shtruar, – historinë e studiojmë për ta përdorur. Mësojmë nga historia se nuk mësojmë nga historia!
Ka qenë një mik i mirë në ditë të vështira dhe këshillat e tij të vlefshme, të mençura e të matura i mbaj mend ende dhe sot. Ndër të tjera, ishte edhe njeri shumë i mirë dhe i ndershëm, i dhënë pas familjes, veti të rralla që nuk hasen fort ndër qarqet e sotme intelektuale. Me atë hapin e vet të matur, ecte dhe ndërkohë bisedonim për të afërmit e tij, për Ibrahim bej Biçakun, figurë e rëndësishme e politikës shqiptare, kryeministër gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, mik personal i feldmarshallit gjerman Wilhelm Keitel (kishin studiuar bashkë në një klasë). Ndër të tjera, bisedonim edhe për lidhjet e tij familjare, mund të përmend ato me Faik bej Konitzën, – Sherif beu ishte pinjoll i familjes së bejlerëve të Delvinës – gjyshet e tyre binin kushërira, në mos gaboj. Kur të fliste, të shihte me ata sytë e tij ngjyrë blu, sikur donte të peshonte me atë vështrim të paqtë se ajo çka po thoshe ishte me vend apo jo.

Mbresa të veçanta më kanë lënë bisedat e tij mbi Sirinë, Sherifi kishte kushërinj të largët e lidhje familjare edhe atje, nga koha e Perandorisë Osmane; më kujtohet që fliste për një zonjë me kulturë franceze, me emrin Benedie (lexo: Benedí), ose për xhaminë umajade në Damask të Sirisë, ku ruhet koka e Shën Gjon Pagëzorit, një kishëz brenda një xhamie – diçka që tregon për frymën e tolerancës që mbizotëronte në ato vise, e që vizitohet nga turistë e besimtarë edhe sot. Mbaj mend që linte me gojë hapur guidat turistike siriane në lidhje me informacionin politik dhe ekonomik që kishte për Sirinë, pasi shkonte atje i përgatitur e i lexuar që më parë.

Sherif Delvina ishte një specialist i historisë së vjetër dhe mesjetare të Shqipërisë së Jugut; mbaj mend se më ka dhuruar bujarisht kopje të përkthimit të Defterit të Sanxhakut të Delvinës, fotografi të dokumenteve venedikase që kishin të bënin me shën Kozmain e Etolisë, – predikime, njoftime për këtë personazh tepër kompleks që kishte lidhje me Stambollin, malin Atos por edhe me Rusinë cariste – Krisanthi, i vëllai, ishte peshkop në Krimé. Kishte shumë miqësi me Lucia Nadín-in. Është pikërisht ashtu siç e përshkruan miku i tij, Luan Malltezi, në shkrimet e veta. Nuk mund të le këtu pa përmendur polemikat e tij me klerikë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me Fortlumturinë e tij, kryepeshkopin Anastas Yannoulatos.

Gëzonte respektin e punonjëseve të Bibliotekës Kombëtare. Madje, rrëfehet si anekdotë në ato ambiente kur njëherë ishte harruar aq shumë në lexime, sa punonjëset e shërbimit të Sallës Shkencore në katin e dytë, kishin fikur dritat – duhet të ketë qenë verë – dhe e kishin mbyllur beun erudit brenda. Sherif Delvinës iu desh ta kalonte natën e të flinte aty në sallë, duke u zgjuar në mëngjes, gati për të vazhduar studimet.

Nuk i pëlqente ta quanin „bej“. Gjithmonë më thoshte: “Edion, bejllëqet u hoqën me dekret në vitet ’20 të shekullit të kaluar”. Por unë bëja gjithmonë sikur e harroja këtë fakt.
Kishte qenë në Bënçë, mësues, gjysmë i internuar. Ndër gjërat që humba nga prishja më 19 dhjetor 2022 e shtëpisë ku banoja, në pallatin 4, rruga „Myslym Keta“, prej Bashkisë së Tiranës, ishin edhe shumë faqe kujtimesh të shkruara me makinë shkrimi, këngët e tij popullore për Bënçën dhe bënçorët, ose debatet me profesorët grekë në lidhje me Epirin dhe Çamërinë.

Mbaj mend se bisedonim edhe për Enver Hoxhën, me të cilën Sherifi kishte lidhje që i vogël, kur ngiste biçikletën, – të varfërve të kohës u dhuronte bujarisht paketa me cigare – pasi shkonte shpesh në dyqanin „Flora“ ku Enver Hoxha shiste cigare dhe pije të ndryshme, ama kohën kur ka ndodhur kjo nuk e kam shumë të qartë.

Në vitet e para të punës sime në Bibliotekë, kam dëgjuar edhe një anekdotë për një kushërirën e Sherif Delvinës, nga Dishnicat, së cilës nuk ja mbaj mend emrin. Në kohë të komunizmit, ishte një ditë te kryqëzimi i Komitetit Qendror – kryeministria e sotme – kur befas kalon Enver Hoxha me makinë.
– Ooo… si ke qenë, – i thotë Enveri, – eja për drekë, se Nexhos do t’i bëhet shumë qejfi. – E mirë, shkojnë për drekë. Për drekë Enveri “kishte fasule”. – O Enver, po mish nuk kemi t’i nxjerrim? – thotë Nexhmija.
– Edhe mish, njëherë në javë vëmë ne, – ia qan hallin Enveri të ftuarës…
Kthehet zonja në shtëpi dhe u thotë kështu e kështu njerëzve të vet. – Moj, je në vete? Si qenka tallur kështu Enveri me ty! – i thonë të vëllezërit! Se Enveri donte që kjo të mbushte me fjalë gjithë Tiranën që „ja, edhe shoku Enver bën një jetë të thjeshtë“, etj. etj. etj.

E shihje gjithmonë nën shoqërinë e së motrës, Nedos. Një tjetër detaj që më kujtohet, ishte se fliste për Sigurimin e Shtetit, që e mbante nën vëzhgim – akuzohej se dëgjonte „radiot e huaja“, një mëkat i pafalshëm në ato kohë të turbullta. Nga vetë goja e Sherif Delvinës kam dëgjuar historinë e mëposhtme: Fqinja e tyre donte t’i merrte dhomën familjes së Sherifit dhe i spiunonte atje ku i spiunonte. Sherifi, me humor, më tregoi sesi fqinja e tij ndër të tjera, e akuzonte se „dëgjon radiot e huaja“. „Ja, shihni“, thoshte Sherifi, „këto janë shpifje“. Radioja kishte nja pesë vjet që i qe prishur dhe ai e linte qëllimisht pa rregulluar, për ta demaskuar e për të mbyllur gojët e liga, sa herë ta lypte nevoja.

Më kujtohet një bisedë me humor, shumë vite më parë, kur Sherif Delvina bisedonte me një mikun e vet pranë banakut të Sallës Shkencore, në katin e dytë të Bibliotekës Kombëtare; kuptohet, isha i pranishëm edhe unë:

Sherifi: E njeh filanin?
Miku i Sherifit: E njof m*tin, më ka futë në burg!
Sherifi: E kam mik, është burrë shumë i mirë!
Miku i Sherifit: MË KA FUTË NË BURG!
Sh: Po filanin, e njeh? E kam shok të ngushtë. Burrë i mirë shumë, edhe ai.
Miku i Sherifit: O Sherif, ka qenë në gjyqin tim… etj. etj. etj.
Prapë nga bisedat me Sherifin: „Edion, nuk mund ta kuptosh dot historinë, pa kuptuar shërbimet sekrete“, fjalë të mençura. Flisnim për Paolo Preton dhe Vladimir Lamanskin. Më tregonte edhe për Shën Kozmanë, fermanet e sulltanit dhe lidhjet e tij me Orlovin, me anë të ish-pedagogut të tij Eugjen Vúlgari, i cili ishte i krahut prorus dhe peshkop në Rusi. Shën Kozmai, thoshte Sherifi, ishte njeriu i besuar i turqve, i rusëve, i grekëve dhe i austriakëve, në tokat e të cilëve donte të nxiste emigrimin e popullsive të Ballkanit. Me venedikasit e kishte punën keq. Veç të tjerash, këta paskëshin hequr qafe në Himarë të atin e Andrea Varfit, për punë rekrutimesh në ushtri. Diku nga viti 1770 a diçka…
Më 7 prill 2022, erdhi mesazhi të cilit i trembesha; kohët e fundit shëndeti i tij ishte përkeqësuar: “Sherif Delvina ka ndërruar jetë”. Në varrim merrnin pjesë të afërm e miq të shumtë.
Ky ishte miku im Sherif bej Delvina, „një thjeshtësi e ndërlikuar“ dhe mendje e rrallë, ndër njerëzit më eruditë që kam njohur, e për të cilin do të flas gjithmonë me nderim e respekt. Nuk u martua kurrë. Nusja e tij ishte Shqipëria.

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …

Leave a Reply