Numërimi mbrapsht për kreun e sektit në qeveri ka filluar!

Nga Bujar LESKAJ

Kreu i sektit në qeveri ka vite të tëra që në raste skandalesh të qeverisë së tij dhe jo vetëm na tregon alibira, duke përdorur një retorikë arrogante në çdo dalje të tij.

Kreu i sektit, Kryeministri që na ka rënë për pjesë, ka vite që nuk pengon e nuk lejon hetim parlamentar për krimet ekonomike, politike e psikologjike, ndërkohë që kur bashkëpunëtorët më të ngushtë kapen në afera korruptive e krim deklaron paturpësisht që “…përgjegjësia është personale!”.

Një kryeministër që jo vetëm i shmanget Drejtësisë, por e manipulon dhe e kontrollon kur i duhet atij, pavarësisht se mbi të e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë rëndojnë me qindra akuza, denoncime, prova, raporte, analiza e hetime vendase dhe ndërkombëtare.

Një kryeministër që shkatërron Shqipërinë me paratë e pasuritë e keqpërdorura dhe vjedhura prej shqiptarëve vetëm e vetëm për të instaluar regjimin personal të tij.

Një kryeministër që ngriti në art politikat e fasadave dhe propagandës dhe ku ministri më i suksesshëm është ai, i cili nuk ka asnjë post ministror, por ndërton propagandën dhe manipulon opinionin publik, përmes demagogjisë gëbelsiane.

Një kryeministër i cili gjeneron provokime, konflikte, sharje e fyerje në Kuvend e nuk ndëshkohet për gjuhën e gjestet e përdorura.

Një kryeministër me sjellje të çoroditura, herë si “gruaja e Bilalit” e herë si mohues i Bilalit; herë si kampion i luftës kundër krimit, por faktikisht shërbëtor i tij; herë si adhurues i demokracisë, pastaj shkatërrues i idealeve demokratike të një populli të tërë.

Një kryeministër që lobon për shkatërrimin e opozitës dhe investon vendosjen e një regjimi autokratik personal.

Një kryeministër që korrupton edhe një ish-zyrtar të lartë të FBI kundër opozitës dëshmon se sa shumë ka investuar për shkatërrimin e demokracisë dhe tregon se sa të lehtë e ka ai qëndrimin kundër opozitës, sa të lehtë e ka ai korruptimin e gjithë ngrehinës mediatike, sociale e ekonomike në Shqipëri, segmenteve ndërkombëtare dhe kthimin e përdorimin e tyre kundër opozitës dhe mashtrimin e gjithë shqiptarëve.

Një kryeministër arrogant që shantazhon, shmang përgjegjësinë, transparencën, llogaridhënien; që blen votën e lirë e vret Demokracinë, si me maskaradën e zgjedhjeve të grabitura të 25 prillit 2021, vetëm në një Shqipëri si kjo e sotmja mund të ekzistojë.

Dhe kur një kryeministër sillet e vepron kështu, keqbërësit, kriminelët, abuzuesit e pasurisë publike do ti shmangen pa frikë drejtësisë, si deri më sot.

Një kryeministër që pretendon të jetë lider global, në vëllazëri me serbin Vuçiç, por që me politikat e tij, ashtu si babai i vet politik e shpirtëror, diktatori E.Hoxha për 45 vjet na zverdhi si kinezë, na skuqi si rusë e na nxiu dhe po na turpëron çdo ditë si shqiptarë!

Dikur pat thënë: “Nuk keni parë gjë akoma!”. Dhe vërtet dita- ditës po shikojmë të dalin në dritë skandalet dhe punët e nëndheshme të tij e të sektit të tij. Deri tani është shfaqur maja e ajsbergut korruptiv të sektit Rama.

Në një vend normal, për të mirën e Demokracisë, një kryeministër i tillë, së paku do ishte dorëhequr e do të ishte para gjyqit!

Numërimi mbrapsht për të ka filluar!

Kundër një kryeministri të tillë dhe regjimit të tij, opozita, të cilën ai e përçan, baltos dhe financon për ta shkatërruar, duhet të ngrihet në lartësinë e detyrimit që ka ndaj shoqërisë shqiptare për ta larguar këtë të ligë (sektin dhe KM Rama) nga pushteti, me qëllim që të ndalojë erozionin e vendit dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri!

About Redaksia

Check Also

Drejtësia e Re, Prindi 1 dhe 2

Nga Artan HOXHA Të enjten e kaluar, Kuvendi Rilindës, pas një zvarritjeje më shumë se …

Leave a Reply