Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se mafia në pushtet që qeveris Shqipërinë është rrezik edhe për SHBA. Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Berisha theksoi se Rama angazhoi McGonigal për të ndihmuar miqtë e tij, Vangjush Dakon, Tom Doshin.
“McGonigal u përdor gjithashtu edhe për afera korruptive të tjera, për licenca. Ai u shpërblye me qindra dhe miliona euro. Me 225 mijë dollarë thuhet në dokument, 500 mijë të tjera nga një bankë e Qipros, por edhe miliona të tjera, thuhet gjerësisht.
Ai u angazhua nga Edi Rama për të ndihmuar miqtë e tij të ngushtë, Vangjush Dakon, Tom Doshin dhe të tjerë të shpallur ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit. Gjithë këto zhvillime dëshmojnë se mafia në pushtet, mafia në pushtet përbën pushtetin më të rrezikshëm. Mafia në pushtet përbën një pushtet të rrezikshëm edhe për vetë SHBA-të. Mafia e Tiranës në pushtet është pra një rrezik madhor, jo vetëm për shqiptarët, por një rrezik madhor edhe për SHBA-në siç fakton rasti McGonigal, por ju garantoj ju se McGonigal, jo në atë nivel të inteligjencës, por në nivele të tjera, ka edhe të tjerë në Europë dhe SHBA”, tha Berisha.