Nga Bujar LESKAJ
Sot, sëbashku me deputetin e sapo mandatuar z.Gëzim Ademaj, me Kryetarin e Partisë Demokratike Vlorë z.Atird Hoxha, me Sekretarin Politik të Degës z.Klodian Xhyheri, me nënkryetaren e Partisë Demokratike Vlorë znj.Nada Daullja, me kryetaren e LDG Vlorë znj. Alta Haluci, me anëtarët e Kryesisë së Degës Vlorë, zhvilluam takim pune/mbledhje e zgjeruar e Kryesisë së Partisë Demokratike Vlorë, ku të pranishëm ishin Sekretarët Funksional të degës dhe disa prej kryetarëve të Grupseksioneve.
Në thelb të mbledhjes ishte organizimi që Partia Demokratike Vlorë do të ketë për Protestën e 11 Shkurtit, si një moment i rëndësishem politik për demokracinë, pluralizmin dhe votën e lirë, për të gjithë shqiptarët.
Protesta e datës 11 shkurt, duhet dhe do të jetë njëra prej protestave të vazhdueshme deri në rrëzimin e këtij sekti arrogant !
Në mbledhje theksuam se secili prej nesh do të protestojë kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes galopante të çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; do të protestojë kundër sektit, që në dhjetë vjet largoi 30% të shqiptarëve dhe mburret për këtë; do të protestojë kundër korrupsionit në çdo qelizë të pushtetit, kundër krimit e drogës në apoteozë, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…
Në 11 Shkurt, vlonjatët dhe të gjithë shqiptarët do të protestojnë kundër kreut të sektit gllabërues të Shqipërisë, kundër sulltanit autokrat dhe Vrasësit të Demokracisë, sepse nuk mund ta quash ndryshe një njeri, një kryeministër të një vendi dhe kryetar të një force politike, i cili lobon për të vrarë e shkatërruar opozitën. Dhe lobimi për shkatërrimin e opozitës është VRASJE E DEMOKRACISË, është vrasje e aspiratave europiane e progresiste të një populli të tërë.
Kjo mbledhje pune, me Kryesinë e Zgjeruar të Partisë Demokratike Vlorë, kishte në thelb organizimin masiv që demokratët dhe qytetarët e Vlorës do të ndërmarrin për protestën e 11 Shkurtit, si manifestim i madh popullor, deri në largimin përfundimtar të sektit Rama, me gjithë zullumet që e mbulojnë çdo ditë që kalon, nga mëngjesi në darkë, në kurriz të të gjithë shqiptarëve.
Në fjalën e tyre Kryetari i Partisë Demokratike Vlorë z.Atird Hoxha, sëbashku me Sekretarin Politik të Degës z.Klodian Xhyheri shprehën angazhimin maksimal të të gjithë mbarëvajtjes për menaxhimin e organizimit për protestën e 11 Shkurtit. Gjithashtu deputeti i sapo mandatuar z.Gëzim Ademaj shprehu gatishmëri të plotë mbështetëse dhe organizative për 11 Shkurtin.
Në fjalën e tyre gjatë mbledhjes anëtarja e kryesisë znj.Antonela Agaj, sekretari funksional z.Ardi Stefa dhe kryetari i grupseksionit z.Renato Xhindoli theksuan rëndësinë e angazhimit maksimal që secili duhet të ketë për mbarëvajtjen e organizimit të Protestës së 11 Shkurtit, si ditë e shënuar për të gjithë ne.
Demokratët dinë të fitojnë ndaj së keqes dhe nuk do ta lejojnë fyerjen, nëpërkëmbjen.
Arrogancës së regjimit antishqiptar i përgjigjemi me protesta demokratike deri në përmbysje e largimin e tij me turp!
Krahas mbledhjes së punës me kryesinë e zgjeruar të degës, sëbashku me kryetarin e Partisë Demokratike Vlorë zhvilluam një takim me banorët e lagjes Karabash, ku shprehën shqetësimet e tyre, ku theksuan infrastrukturën e munguar këto vite, ujin e pijshëm me orar, kanalizimet e munguara. Banorët vunë theksin te mungesa totale e vëmendjes nga ana e qeverisjes vendore dhe asaj qendrore.
Shprehën angazhimin e marrjes pjesë ne protestën e 11 Shkurtit !