Prej dekadash Franca ka synuar mbi centralet atomike për të prodhuar energji. Sot shumë reaktorë janë të vjetër e të dëmtuar dhe Parisi është i detyruar t’i kërkojë ndihmë Gjermanisë për furnizimin me elektricitet.
Më 10 shkurt 2022 presidenti Emmanuel Macron ka shkuar në Belfort, një qytet i vogël industrial në pjesën lindore të Francës, për të njoftuar një ngjarje me rëndësi historike: “Rilindjen e bërthamores franceze”. Macron ka pranuar se kohët e fundit bërthamorja ngjallte dyzime, por ka theksuar se tashmë nevojitej të “merrej në dorë fati jonë për sa i përket si politikës energjitike, ashtu edhe asaj industriale”. Franca, ka thënë ai, duhej të ndërtonte centrale bërthamorë të rinj: të paktën 6, ndoshta edhe 14. Teksa fliste, prapa shpatullave të tij ndriçonin disa rotorë të mëdhenj. Në radhët e para të publikut ishte i ulur Jean-Bernard Lévy: për të njoftimi ishte sigurisht një sukses. Prej 8 vitesh Lévy është në krye të Électricité de France (EDF), kompanisë që përfaqëson zemrën dhe trurin e industrisë bërthamore franceze, por gjatë mandatit të tij Lévy i është dashur të përballojë një pengesë pas tjetrës: mungesa të vazhdueshme në sigurinë e reaktorëve, investime katastrofike të huaja dhe kantiere jashtë kontrollit. Më së fundi në Belfort Macron i tregonte një të ardhme jo vetëm vendit, por edhe EDF. Kanë kaluar 8 muaj dhe këto fjalë kanë mbetur një letër e vdekur. Një Francë që po dridhet pret dimrin, ndërsa EDF regjistron prodhimin më të ulët të të gjitha kohërave, me shumë centrale bërthamore të ndaluara. Ndërkohë në Berlin Robert Habeck, ministër i Ekonomisë i të Gjelbërve, shpjegon se dy centralet bërthamore gjermane duhet të mbesin në funksionim për të shmangur problemet e fqinjëve. Situata është groteske: Franca, vendi bërthamor par excellance, është mangut në elektricitet dhe në ndihmë i vjen Gjermania.
Dimri tek dera
Franca dukej e mirëpajisur për ta përballuar krizën aktuale, duke parë se vetëm 15% e energjisë që vendi konsumon prodhohet duke përdorur gazin. Nga ana e tij, gazi vjen vetëm në pjesë minimale nga Rusia. Për këtë në Belfort Macron ishte shprehur besimplotë për autonominë energjitike të Francës në një moment ku po shfaqeshin dobësitë e sistemeve që “varen nga të tretët për prodhimin e energjisë”. Praktikisht Franca prodhon më shumë se gjysmën e energjisë që konsumon, sidomos falë industrisë bërthamore kombëtare, por pikërisht tani, në momentin më të keq të mundshëm, po shfaqen edhe dobësitë e modelit francez: varësia e saj nga Rusia nuk është e madhe, por ajo nga energjia bërthamore është e madhe, sidomos dimrit.
Në Francë rreth 1/3 e familjeve për t’u ngrohur përdorin energjinë elektrike. Komplesivisht, 2/3 e energjisë elektrike prodhohet nga centralet bërthamore. Pasoja është “një termondjeshmëri e theksuar e rrjetit elektrik francez”, shpjegon Mycle Schneider, konsulente e pavarur, njohëse e madhe e prodhimit energjitik francez dhe skeptike mbi bërthamoren. Sistemi është termo i ndjeshëm në kuptimin që sa më shumë bën ftohtë, aq më shumë rritet nevoja për elektricitet. Nëse temperaturat ulen me 1 gradë, vazhdon Schneider, nevojiten 2.4 gigavat më shumë, prodhimi i dy reaktorëve të mëdhenj. Impiantet ngrohëse të francezëve kanë shumë pak aftësi magazinimi: për këtë sistemi është jashtëzakonisht i prekshëm nga i ftohti. Franca nuk është kurrë autonome si Macron dhe të tjerë përpara tij do të donin të besohej. Kapaciteti i përgjithshëm i 56 reaktorëve (të shpërndarë në 18 centrale) që teorikisht mund të ishin në funksionim në vend është e barabartë me 61.4 gigavat, nëse punojnë të gjithë njëkohësisht dhe me maksimumin e kapacitetit të tyre, por në ditët më të ftohta mund të shërbejnë më shumë se 100 gigavat.
Kështu që në dimër Franca ka importuar gjithmonë elektricitet, sidomos nga Gjermania. Sot situata është përkeqësuar. 28 nga 56 reaktorët francezë janë ndaluar. Disa për shkak të mirëmbajtjeve periodike: parku bërthamor ësht mjaft i vjetër, 1/3 e reaktorëve është e lidhur me një rrjet prej 40 vjetëve i parashikuar në origjinë dhe sa më shumë impiantet plaken, aq më shumë komplikohen punët e mirëmbajtjes. Pastaj janë problemet e sigurisë, mjaft të rënda. Në dhjetorin e 2021 është zbuluar se disa tuba të sistemit të emergjencës të reaktorit në Civaux, në perëndim të vendit, qenë korroduar. Qysh atëhere për mirëmbajtje, janë shuar nja 10 reaktorë të tjerë, në mënyrë që mund të kryheshin kontrolle dhe më pas të procedohej në riparime eventuale. Fatkeqësisht, problemet kanë të bëjnë pikërisht me reaktorët më të rinjë dhe më të fuqishëm. Qasja e Francës këtë dimër do të varet kryesisht nga dy të panjohura: sa ftohtë do të bëjë dhe sa kohë do t’i duhet EDF të rivërë në funksionim numrin më të madh të mundur të reaktorëve.
Sulm i padëgjuar
Hipodromi i Longchamp është ndër vendet më ekskluzive të Parisit. Në një ditë fund gushti në tribunat e tij janë gjendur të gjithë ata që peshojnë në politikën dhe në ekonominë franceze. Qenë ftuar pikërisht nga MEDEF, shoqata që përfaqëson biznesmenët e vendit. Pavarësisht thatësirës së këtij viti, hipodromi ishte çuditërisht i gjelbër. Kryeministrja Élisabeth Borne u ka thënë industrialistëve se duhej të përgatiteshin për kohë të vështira: çdo shpërdorim i energjisë duhej shmangur dhe ishte themelore të riaktivizohej sa më parë të ishte e mundur reaktorët bërthamorë e shuar. Pastaj është mbajtur debati i titulluar “Të shmangen mbylljet. Energji me çdo kusht?”. Në tribunën kryesore ishte Jean-Bernard Lévy i EDF. Moderuesja e takimit e ka pyetur se pse ndërhyrjet e riparimit të reaktorëve zgjasnin kaq shumë. 67 vjeçari Lévy, fillimisht ka marrë frymë thellë, më pas ka dhënë goditjen. Kompania elektrike ka mbajtur në Paris 4 ditë konsultime me të gjitha ekspertët e vendit për të kuptuar sesi të riparoheshin dëmet ndaj reaktorëve të shkaktuara nga korrodimi. “Nuk na mungojnë kompetencat”, ka thënë ai, “por punëtorët e specializuar. Janë shumë pak”. “E pse mungojnë? Sepse na është thënë se do të duhej ta reduktonim parkun bërthamor. “Përgatituni t’i mbyllni reaktorët”, na përsërisnin deri pak kohë më parë. Askush nuk na ka thënë ndonjëherë se duhet të përgatitemi të ndërtojmë të rinj”.
Praktikisht, mbi të ardhmen e bërthamores, politika parisiane ka dërguar sinjale kundërshtuese: në 2015, 4 vjet pas incidentit të Fukushimës në Japoni, presidenti François Hollande vendosi ta reduktojë kuotën e bërthamores në miksturën energjitike kombëtare. Në atë kohë ministër Ekonomie ishte Macron, që më pas si president ka pasur qëndrime kontradiktore. Ndërsa mbyllte dy reaktorë bërthamëorë në Fessenheim të Alzacës, zgjaste ciklin jetësor e impianteve të tjera dhe në Belfort të këtij viti ka pohuar se mbyllja e centraleve bërthamore mund të jetë e justifikuar vetëm nga motive sigurie. Fakti që Lévy indirekt ja ka ngjitur fajin e problemeve aktuale Macron është gjithësesi i padëgjuar. Edhe pse nga 2005 është e kuotuar në bursë, EDF faktikisht është një kompani publike. Shteti posedon 84% të kuotave të saj dhe në qershor qeveria ka deklaruar se shpejt do ta kontrollojë atë në 100%. 8 vite më parë Macron ka qenë vendimtar për emërimin e Lévy në krye to kompanisë dhe për këtë i është përgjigjur sulmit të tij, duke thënë se “duke na akuzuar se nuk kemi marrë përgjegjësitë tona, përgjegjësit e reaktorëve bëjnë deklarime false dhe shpifje”.
Në vonesë mbi të rinovueshmet
Për Francën, bërthamorja ka qenë gjithmonë më shumë se një burim energjitik dhe EDF më shumë se një kompani. E krijuar pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, EDF duhej të forconte antuonominë e vendit të sapo çliruar. Më pas u bë selia qendrëre e programit bërthamor civil dhe, në vitet ’70, në mit në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në pak vite kompania publike ndërtoi dhjetëra raktorë bërthamorë dhe inxhinierët e saj u bënë simboli i guximit të kombit. Qysh atëhere EDF është një element kryesor i identitetit francez. Pikërisht për këtë gabimet e kryera në të kaluarën shkaktojnë kaq dhimbje. Centrali i fundit bërthamor u lidh me rrjetin në 1999 dhe sot paraqet dëmet e shkaktuara nga korrodimi. Në Flamanville të Normandisë EDF dëshiron të testojë një reaktor të ri bërthamor me ujë me presion (EPR): punimet kanë filluar 15 vite më parë, por impianti nuk është ende në funksionim.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Finlandë, ku janë në ndërtim disa EPR franceze, kantieret kanë pësuar vonesa të vazhdueshme duke i ngritur në qiell kostot. Nga pikë diamanti i industrisë kombëtare, EDF është shndërruar në një problem për Francën. Vetë kompania ka deklaruar se borxhi i saj shkon në 43 miliard euro. Shtetëzimi do të shërbejë edhe për ta shpëtuar nga falimentimi. Sulmi i Lévy ka rindezur polemikën mbi politikën energjitike franceze, që prej kohësh gëlon nën gërmadha. Mbështetësit e bërthamores do ta akuzojnë Macron se ka munguar shumë gjatë mbështetjen e tij ndaj sektorit. Si partia konservatore e Républicains, ashtu edhe komunistët kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që të sqarojë përgjegjësinë e presidentit në katastrofën aktuale. Sipas kundërshtarëve të energjisë bërthamore në fakt Macron dhe EDF kanë synuar shumë kohë vetëm për këtë.
Gérard Magnin, i emëruar në 2014 nga qeveria, ka qenë pjesë e këshillit mbikëqyrës të EDF për 2 vite. Emërimi i tij ka qenë mjafti i pazakontë, tregon në telefon, aq sa ka habitur edhe atë. Vite më parë 71 vjeçari Magnin kishte themeluar Energy Cities, një rrjet komunash europiane të impenjuara në ndjekjen e tranzicionit energjitik dhe qeveria ngarkonte pikërisht atë, të përfshirë në iniciativa lokale në favor të energjive të rinovueshme, të mbikëqyrte EDF. Në atë kohë i ishte dukur një rast i shkëlqyer për të korrigjuar një orientim tejet të njëanshëm të kompanisë drejt bërthamores. EDF kishte filluar të investonte edhe në energjinë diellore, eolike dhe sidomos hidroelektrike, por Magnin ka dalë i zhgënjyer nga përvoja në kompani: shumë këshilltarë flisnin për energjinë e rinovueshme “me një përzierje urrejtjeje dhe frike”; disa shmanginin deri ta shqiptonin fjalën të rinovueshme. Në sytë e tyre eolikja dhe fitovoltaikja nuk qenë një mundësi, por një kërcënim për biznesin e bërthamores. Mbi zhvillimin e të rinovueshmeve Franca është në vonesë: është vendi i vetëm i Bashkimit Europian që nuk ka arritur objektivat e caktuara. “Kultura, atmosfera, mentaliteti” i EDF dhe i pjesëve të mëdha të elitave franceze nuk lënë as dyshime, as alternativa ndaj bërthamore, thotë Magnin, që është dorëhequr nga këshilli mbikëqyrës i kompanisë në korrikun e 2016, më pak se 2 vjet nga emërimi i tij.
Të mbivlerësohesh
2 vite më parë mbi çështjen e falimentimit të EPR, Gjykata e Llogarive franceze ka botuar një studim me rezultate shkatërrimtare: vendimi për të ndërtuar reaktorin e Flamanville ka qenë i “ngutur dhe i gabuar”. Kompanitë e përfshira, EDF në krye, kanë nënvlerësuar pengesat teknike, ekonomike dhe logjistike, ndërsa institucionet nuk kanë qenë në lartësinë e detyrave të tyre mbikëqyrëse. “Sektori i bërthamores ka pasur shumë besim tek vetëvetja”. Po është mbivlerësuar. Duke pasur parasysh premisat, sa realiste ka qenë ndërtimi i centraleve të reja? Edhe sikur kjo të ecte si në vaj, për të lidhur reaktorin e parë me rrjetin do të duhej të pritur të paktën viti 2035, siç ka thënë vetë Macron. Qeveria e tij para pak kohësh ka paraqitur dy projektligje: njëri për të shkurtuar procedurën e autorizimit të centraleve bërthamore dhe tjetri për të përshpejtuar zhvillimin e energjive të rinovueshme. Ndërkohë dimri është tek dera. EDF ka një plan ambicioz: të riaktivizoj të gjithë reaktorët e ndalur brenda fundit të shkurtit të 2023. Do të arrijë ta vërë në zbatim? Në çdo rast, përgjegjësia nuk do të bjerë mbi Jean-Bernard Lévy: mandati i tij do të mbarojë në 2023, por ai ka njoftuar se do ta lërë detyrën përpara kohe. Në mënyrë konsensuale, thuhet.
(nga Die Zeit)
Përgatiti
ARMIN TIRANA