Ujë ka, por jo për të gjithë

Në rajonin kilian të Valparaíso thatësira shkakton racionime dhe probleme për banorët. Përgjegjësia është edhe e një sistemi që privilegjon kultivuesit e mëdhenj.

“Me leje”, thotë Verónica Vilches duke ecur në shtratin e lumit La Ligua, krejtësisht të tharë. Flet me lulet e egra që janë rritur falë shirave të këtij dimri. Nën diellin e zjarrtë dhe erës që nuk ndalet të Cabildo, një qytet i vogël në qendër të Kilit, Vilches ecën përgjatë një shtegu ku shumë vite më parë uji rridhte me forcë. Një vend ku gjatë verës familjet bënin banjë për t’u rifreskuar dhe turistët hapnin çadrat në breg. Tani është verë dhe nuk ka asnjë pikë ujë: ka vetëm gurë dhe ndonjë gjurmë të izoluar vegjetacioni. Ndërsa Cabildo thahet, kodrinat përreth shkëlqejnë nga e gjelbëra e plantacioneve të mëdha të avokados, të kultivuara kryesisht për eksport në Europë. “Nuk ka nevojë për të qenë ekspert për të folur për realitetin në të cilin jetojmë”, thotë gruaja. Jemi në epiqendrën e krizës ujore në Kili: provinca Petorca në rajonin Valparaíso.

Në 12 vitet e fundit Kili ka përjetuar një thatësirë të paprecedent, sidomos në zonat qendrore dhe jugore. Nga 2010 është regjistruar një rënie konstante e reshjeve. Temperaturat janë rritur dhe shkretëtira ka avancuar nga veriu drejt qendrës. 2019 dhe 2021 kanë qenë dy vite superthatësie. Sot rreth 6 milion njerëz kanë probleme furnizimi me ujë të pijshëm (sipas censimentit të 2017, në Kili jetojnë 17.5 milion banorë). Në 2019 World Resources Institute ka përcaktuar se në termat e stresit ujor vendi është i 18 në botë dhe i pari në kontinentin amerikan. Ekspertët nuk janë optimistë: në vitet e ardhshme Kili do të vazhdojë të ketë mangësi për ujë. Efektet e çfarëdo zgjidhjeje do të shikohen në perspektivë dhe ndërkohë do të rriten racionimet, ndërprerjet me furnizim dhe kamionët çisternë. Këto masa janë zbatuar tashmë në disa lokalitete të rajoni Valparaíso. Shtetit kilian i ka munguar ndjenja e urgjencës dhe tani është shumë vonë.

Kriza ujore nuk shpjegohet vetëm me ndryshimet klimaterike, por edhe me kërkesën më të madhe për ujë të sektorëve prodhues si silvikultura, bujqësia dhe industria minerare. Kësaj i shtohet një model i papërshtatshëm me kushtet kritike të vendit: në Kili e drejta e shfrytëzimit të ujit i përket privatëve. E përcakton kushtetuta e vitit 1980 dhe Kodi i Ujit i një viti më pas. Siç e shpjegon Pablo Jaeger, profesor i së Drejtës së Ujit i Universitetit të Kilit, kushtetuta kiliane parashikon se të drejtat e shfrytëzimit mund të anullohen – domethënë të shiten apo transferohen – nga pronarët e tyre (bujq, minatorë, kompani shëndetësore apo kushdo që e përdor ujin në aktivitete prodhuese) pa ndërhyrjen e shtetit. Të drejtat e shfrytëzimit e ujit të një lumi, të një burimi apo të një vendburimi nëntokësor, të dhëna falas nga Ministria e Punëve Publike nëpërmjet Drejtorisë së Pëgjithshme të Ujërave (DGA), janë të përjetshëm dhe të transferueshëm trashëgimtarëve. Në 2022 reforma e Kodit të Ujit ka përcaktuar se të drejtat vlejnë 30 vjet.

Pronarë tokash

Vilches ka lindur në Cabildo. Është rritur në fshat, në mes të natyrës, dhe qysh fëmijë e ka mbrojtur të drejtën e ujit. Sot është pjesë e lëvizjes Secas, defensoras de las aguas. Ajo dhe familja e saj jetojnë me 50 litra ujë në ditë që janë ekuivalent me rreth 10 minuta dush. Kërkon t’ia kalojë si mundet: bën pastrimet, zbardh shtëpitë apo mban në rregull ndonjë kishë. Në Cabildo dhe në zonat rurale përreth uji vjen me kamionë çisternë. Në të kaluarën shikoheshin pula, kuaj, lopë, dho dhe qingja të kullosnin nëpër kodrina, por praktikisht të gjitha kafshët kanë ngordhur nga etja. Përpara njerëzit kultivonin fruta dhe zarzavate, kurse tani, pa ujë, nuk kultivohen më asgjë. “Duhet vënë menjanë uji dhe të përdoret me maturi. Një ditë lanim rrobat, një tjetër bënim dush apo laheshim vetë për të shmangur shpërdorimet. Na mbetet vetën uji nëntokësor i lumit, pasi në sipërfaqe nuk ka më asgjë. Problemet kanë filluar në vitet ’90 me ardhjen e pronarëve të tokave. Midis shtëpive dhe dyqaneve të rrugës kryesore të Chincolco, në komunën Petorca, është një bar.

Pronarët Gerardo Castillo, Erika Figueroa dhe lideri i komunitetit vendor Gilberto Tapia janë ulur rreth një tavoline bosh. “Pronarët e tokave na kanë hequr vegjetacionin autokton për të mbjellë pemët e avokadove në anët e kodrave. Kanë tharë vendburimet ujore dhe ndërkohë shirat janë pakësuar. Me drenime dhe puse, merrnin edhe ujin që vinte nga lumi në dimër”, thotë 60 vjeçari Castillo. “Qysh kur kompanitë kanë filluar të blejnë terrene për plantacionet e tyre të avokados, pemët vendase që mbanin ekosistemin janë tharë”, thotë 72 vjeçari Tapia, që ishte pjesë e lëvizjes për Mbrojtjen e Ujit, Tokës dhe Mbrojtjen Mjedisore (Modatima). Castillo dhe Tapia flasin për “ethe të arit të gjelbër”: i referohen ardhjes së industrisë agroushqimore në provincën Petorca në fundvitet ‘90. Të tërhequr nga klima e ngrohtë e zonës, bujqit e mëdhenj blenë mijëra hektarë terren nëpër kodrina, u bënë pronarë të të drejtave të ujit dhe mbollëm avokado. Dhjetorin e kalua shkolla “Fernando García Oldini” në lokalitetin Hierro Viejo, ka ndërprerë leksionet për shkak të shkurtimeve të furnizimit me ujë. “Në Petorca jo vetëm shkelet e drejta njerëzore e ujit, por edhe në ato të arësimit. Kjo është e papranueshme. Problemi është strukturor”, i ka deklaruar drejtori i shkollës Nicolás Quiroz së përditshmes “Resumen”. “Qëniet njerëzore kanë akaparuar ujin”, pohon 52 vjeçari Figueroa, i ulur në anën tjetër të tavolinës. “Kemi humbur tashmë besimin tek autoritetet, duke parë se askush nuk është marrë me Petorca”, i bën jehonë Tapia.

Kili është vendi prodhues i tretë në botë për avokadon, prapa Meksikës dhe Perusë. Sipas censimentit të frutave 2020, në rajonin Valparaíso përqëndrohet më shumë se gjysma e plantacioneve kombëtare të avokados, 67.2% e të cilave është e destinuar për eksport. Në provincën Petorca, zona e dytë e prodhimit të avokados të Kilit, nga 8134 hektarë të përdorur për kultivim, 5078 janë të destinuar për këtë frut, lexohet në censiment. Megjithatë të dhënat e dhëna nga Komiteti Kilian për Avokadon, një shoqatë e pavarur që përfaqëson kultivuesit dhe tregëtarët, tregojnë se në provincë sot ka 2539 hektarë me pemë avokadoje, domethënë 8.7% e totalit kombëtar. Për shkak të thatësirës sipërfaqja e mbjellë në Petorca është reduktuar me të paktën 50% në 3 vitet e fundit.

“Në këtë provincë resurset ujore vijnë vetëm nga reshjet”, pohon komiteti në një email. “Në 40 vitet e fundit reshjet janë më shumë se përgjysmuar, por kriza ujore varet edhe nga moskujdesi i shtetit. Uji për konsum njerëzor do të ishte, ama problemi është se mungesa e infrastrukturave ujore publike për t’i garantuar komunitetit aksesin tek uji. Bujqit kanë investuar në infrastrukturat e nevojshme për kultivimet, duke u bërë autonomë nga shërbimet shëndetësore rurale (SSR), ndërsa shteti nuk i ka bërë këto investime. Politika publike për ujin e pijshëm në zonat rurale ka dështuar përballë thatësirës”. SSR janë sistemet komunitare e ujit të pijshëm, nga e cila varet 9% e popullsisë kiliane dhe që menaxhohen nga kush i përdor. Shteti u jep familjeve një pus, një pompë për ta nxjerrë ujin dhe infrastrukturën e nevojshme për ta bërë të pijshëm, pastaj janë vetë banorët që garantojnë se të gjithë kanë akses tek uji dhe paguajnë për shfrytëzimin e tij. Por në shumë zona puset janë të thara dhe banorët duhet të blejnë ujin nga kamionët. Ajo që ndodh në Petorca përsëritet në shkallë të vogël edhe në pjesën tjetër të vendit. Derikur zhvillimi ekonomik do të jetë më i rëndësishmi i njerëzve, çdo zonë – bujqësore, pyllore apo minerare – mund të ketë të njëjtin fat. Është vetëm çështje kohe, shpjegon María Christina Fragkou, hulumtuese mjedisore në Universitetin e Kilit.

Pak kontrolle

“Dëgjo”, thotë Vilches, “janë ujëra nëntokësore dhe ky është një pus i paligjshëm. Disa puse janë të thellë më shumë se 100 metra. Uji ecën shpejt, por këtu nuk shënohet asgjë”, pohon duke treguar kontatorin që duhet të regjistrojë sasinë e ujit që kalon. Puset e tjera të paligjshme janë në mes të lumit dhe askush nuk thotë asgjë. I gjithë uji përfundon në kodrinë, ku gjenden pemët e avokados. Ujë ka, problemi është se e vjedhin. Prej vitesh Vilches denoncon vjedhjen e ujit në provincën Petorca e sidomos në Cabildo. Ajo që thotë është e njohur, ka folur edhe presidenti Gabriel Boric: “Në Kili kemi një problem thatësire dhe një vjedhjeje. Shpërndarja nuk funksionon, ka aktivitete prodhuese që i përdorin keq resurset ujore, në kurrit të të tjerave”. Ignacio Villalobos, kryebashkiak i Petorca, pohon: “Sot ka rreth 1200 puse të regjistruar. Pastaj ka shumë të tjerë që nuk janë as të regjistruar, as të rregulluar. Nga ana tjetër, të drejtat e shfrytëzimit të ujit nuk korresondojnë me numrin e hektarëve të poseduar nga disa kompani bujqësore. Po jap një shembull: nëse kam 400 hektarë kultivime dhe vetëm 100 litra ujë, atëhere janë 300 hektarë që nuk mund t’i ujis. Në fakt i ujis. Nga e marr ujin? Është një vjedhje, shteti nuk më ka autorizuar ta përdor këtë resurs. Po e marr ujin që i përket një përdoruesi tjetër, një shërbim sanitar apo nga banorët e zonës. Mungojnë kontrollet”, thotë Villalobos.

Rodrigo Mundaca, një prej themeluesve të lëvizjes Modatima dhe sot guvernator i rajonit Valparaíso, prej vitesh thekson se Petorca është “epiqendra e shkeljes të së drejtës njerëzore të ujit”. Mundaca e ka denoncuar vjedhjen e ujit në provincë dhe ka marrë kërcënime me vdekje. “Si guvernator nuk kam pushtete vigjilence mbi fushën, por po vëmë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujërave të gjitha denoncimet e përdorimit të parregullt që vijnë nga terrirotiri, ku numri i mbikëqyrësve është rritur nga 4 në 7”. Edhe Vilches është kërcënuar: “Jam quajtur terroriste dhe trafikante droge. Më ka ndodhur gjithçka”, rrëfen ajo. Në muret e zyrës së komitetit për ujin e pijshëm të fshatit San José dhe nëpër rrugët e Cabildo janë shfaqur shkrime si “Vdekje Verónica Vilches”. Më pas, në 2021, dikush i ka vënë zjarrin makinës së nënës së saj dhe derës së shtëpisë. Këto ngjarje e vënë në gjendjeagjitimi çdo herë që i duhet të dalë.

Një betejë e humbur

“Është një sfilatë kamionësh, cili ju pëlqen më shumë?”, pyet Vilches duke ecur nëpër rrugët e Cabildo. Në kulmin e dimrit – sezoni i shirave në Kili – janë ende kamionët e ujit. Këto mjete mbledhin, transportojnë dhe shpërndajnë ujin e pijshëm dhe tashmë janë pjesë e peizazhit urban, edhe pse duhet të jetë një “masë zbutëse”, jo një politikë publike permanente. Aktualisht 400000 familje përdorin kamionët çisternë. Sipas një studimi të kryer nga gjeografët e Universitetot të Kilit, në provinëcn Petorca kamionë çisternë menaxhohen nga bujqit vendorë. Kështu shteti vlen ujin nga kompanitë private për t’ua dorëzuar më pas shtëpive. “Nuk mungon uji në terma absolute, por është i keqshpërndarë”, pohon María Christina Fragkou, autore e një kërkkmi mbi masat e adoptuara nga Kili gjatë thatësirës. Komitet për Avokadon kilian mbrohet: “Situata nuk ka të bëjë aspak me industrinë që përfaqësojmë. Asnjë prodhues avokadoje i shoqëruar me komitetit ua shet ujin kamionëve çisternë. Shitja e ujit e zgjat krizën ujore, që duhet të përballohet me investime publike në përfitim të drejtëpërdrejtë të komuniteteve. Me një pjesë të vogël të asaj që shpenzohet për kamionët mund të sigurojë zgjidhje të qëndrueshme për t’ua çuar ujin të gjithëve”.

Spas guvernatorit Mundaca, “disa pronarë tokash jo vetë që kanë ujin e nevojshëm për prodhimin e tyre bujqësor, por deri ia avancon që të mund të fitojnë. Kjo demonstron sesa pervers është modeli privat i menaxhimit të ujit dhe mungesa e politikave publike për ta bërë një të mirë të përgjithshme të aksesueshëm për të gjithë: një e drejtë njerëzore themelore”. “Bëjnë të gjithë afera me ujin. Kanë puse të thella dhe ujë për të shitur: është një biznes i përkryer”, thotë Gerardo Castillo. “Personave të caktuar thatësira u vjen për mbarë. Për disa është një e mirë që nuk bie shi, pasi kështu gërmohen puse gjithnjë e më të thella nga ku nxirret uji. Këto puse gjenden në vende strategjike: janë afër lumenjve apo shtresave ujëmbajtëse nëntokësore. Qytetarit të thjeshtë i jepet uji vetëm kur duan të fuqishmit, jo kur u duhej atyre. Kush ka para mund të nxjerrë më shumë. Pyjet e Petorca janë tharë. Popullsia e konsideron një betejë të humbur: uji i përket biznesmenëve të mëdhenj”. Radiot lokale të provincës Petorca japin këshilla për të kursyer ujin dhe nëpër shkolla mbahen leksione sesi të menaxhohet ky resurs. Në komunat Cabildo, Petorca dhe La Ligua, tre më të goditurat nga kriza ujore, të gjithë janë të vetëdijshëm për problemin.

“Situata është kritike”, thotë 23 vjeçarja Lilian Cortés, pronare e një furri buke në Cabildo. “Kemi frikë të qëndrojmë pa ujë. Im vëlla donte të investonte në zonë, më pas ka ndryshuar ide. Unë kam një çisternë me të cilën mbledh ujin për emergjencat. Janë klientë të moshuar që vijnë duke qarë pasi nuk kanë asgjë për t’u dhënë për të ngrënë kafshëve të tyre dhe duhet t’i vrasin. Tani shumë kanë të kënaqur sepse në 2022 ka rënë shi më shumë, bari është rritur dhe kafshëve ju është shuar uria. Njerëzit nuk duan të dorëzohen”. “Në verë shpesh uji nuk vjen dhe, kur vjen, presioni është në minimum”, thotë nga ana tjetër e bankës shitja e një dyqani të Cabildo. “As nuk mund të lajmë rrobaz, as të mbushim pishinat, do të ishte jo e qëndrueshme. Veç kësaj, uji është shumë i keq, plot me gëlqere dhe duhet ta ziesh përpara se ta pishë”.

Aktiviteti minerar

Banorët e Melón, pak më shumë se 80 kilometra në jug të Petorca, jetojnë në një situatë të ngjashme, por sipas tyre përgjegjësia është sidomos e minierave. Në nëntorin e 2019 Movimiento Popular Pusi 9 zuri njërin prej 16 puseve të kompanisë minerare Anglo American. “Nuk është thatësi, Anglo po e privon Melón nga uji”, lexonte një prej posterave të shumtë të manifestuesve. Pushtimi, i shënuar nga dëbime dhe arrestime, ka përfunduar në shkurtin e 2020 me një marrëveshje që dukej si zgjidhje: janë realizuar 2 bypass, njëri nga pusi 9 në sistemin e ujit të pijshëm dhe tjetri nga pusi 4. Të dy janë pronësi e kompanisë minerare, që operon në zonë nga 2002 dhe konsumon 109 litra në sekondë. “Nuk kishim ujë në shtëpitë tona dhe, kur vinte, presioni ishte i ulët”, shpjegon Karen White, zëdhënëse e lëvizjes. “Duhej të lanim në 4 të mëngjesit pasi ishte momenti i vetëm kur kishte pak presion. Nuk dinin si të ujitnim fushat dhe sektori bujqësor po i paguante pasojat. Pastaj kemi kuptuar se problemi i mangësisë së ujit na përkiste vetëm ne, domethënë njerëzve të thjeshtë. Kompania, që ndot zonën prej vitesh, nuk kishte asnjë problem”.

Zgjidhja e gjetur në 2020 pra nuk i ka zgjidhur gjërat. Në shkurtin e 2022 komuna Nogales (ku ndodhet El Melón) ka paraqitur një racionim të përditshëm të ujit për shkak të nivelit të ulët të puseve. Për t zbutur pasojat e racionimit, bashkë me Anglo American komuna ka filluar ta shpërndajë ujin me autobote. Në mars Gonzalo Jaramillo, drejtor i programit “Agua Rural” të Anglo American, ka deklaruar: “Midis faktorëve që e bëjnë më kritike mungesën ujore janë problemet e sistemit komunal të ujit të pijshëm: humbjet, lidhjet e parregullta dhe çështje të tjera, që po i analizojmë bashkë me komunën. Për ta kompensuar këtë deficit ujor administrata ka futur kamionët çisterna dhe disa përmirësime teknologjike në menaxhimin operativ. Objektivi është të reduktohen sa më shumë të jetë e mundur humbjet e sistemit ujor”.

Në distanë prej disa muajsh, kamionët çisternë vazhdojnë të vijnë dhe të dorëzojnë 100 litra në ditë. Bypass midis dy puseve janë akoma në funksioni. Militanti mjedisor Andrés Marín, ish zëdhënës i Movimiento Popular Pusi 9, pohon: “Është shumë e rëndë se për të plotësuar të drejtën e ujit duhet të varesh nga një shumëkombëshe që e ka tharë El Melón”. Këtë mëngjes Vilches përgatit vezë të rrahura dhe bukë të thekur. Teksa pret 50 litrat e ujit të përditshme, i mban pjatat në një kontenitor me ujin e një dite më parë. Mbi tavolinë ka një broke plot. Jashtë, në makinë, janë ngjitur 3 adezivë me shkrimin “Mjaft vjedhjes së ujit”. “Ja”, thotë duke hapur rubinetin. Pa humbur kohë, rrëmben ngrohësin dhe e mbush. Duhet të vendosë në se të lajë ose t’u japë qenëve të pijnë ujë.

(nga Gattopardo, Meksikë)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …

Leave a Reply