Sindikata e pedagogëve ka paralajmëruar për protestë kombëtarë më datë 22 shkurt për shkak të mos plitësimit të kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi ka deklaruar se qeveria ka patur mjaftueshëm kohë për të shqyrtuar kërkesa e tyre dhe për tu dhënë zgjidhje, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur ende. Sipas Kovaçit baza e protestës janë kërkesat e peticionit të firmosur nga pedagogët, të cilat nuk janë plotësuar ende.
“Në vijimësi të përmbushjes së misionit tonë akademik si dhe të zotimit që të gjithë bashkë kemi bërë “për një arsim cilësor dhe në shërbim të shoqërisë”, përgjatë këtyre muajve kemi ndjekur shqyrtimin, nga ana e autoriteteve publike, të kërkesave të peticionit tonë. Ju informojmë se SPUSH i është drejtuar zyrtarisht dhe publikisht institucioneve përkatëse për trajtimin e kërkesave legjitime të stafeve akademike, ndihmës-akademike dhe administrative, me besimin se këto institucione njohin, vlerësojnë, pra dhe do duhet të mbështesnin organizimet publike dhe vullnetare të stafeve akademike dhe zërin e këtij grupimi intelektual, që më shumë se kushdo tjetër besojnë se një shoqëri demokratike funksionon si e tillë për aq kohë, sa qytetarëve të saj iu mundësohet cilësia e arsimit. Mungesa apo shkëputja e urave të komunikimit dhe informimit ndërmjet qeverisë dhe profesoratit është shembulli më i keq për të treguar hegjemoninë e makinerisë së pushtetit ndaj grupimeve më genuine të shoqërisë.
Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe të ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë. Jo pa indinjatë po sjellim përsëri në vëmendjen tuaj kërkesat e peticionit dhe heshtjen provokuese ndaj tyre, por edhe qëndrimin tonë unanim ndaj prepotencës së kabinetit qeverisës në disa ndërhyrje në vendime ndaj IAL: – Mbetet ende pa përgjigje kërkesa jonë për shtesën e pagës për vjetërsinë në punë, shtesë e cila duhet të kishte filluar të zbatohej që në janar 2023; – Vazhdon të mbetet pa përgjigje kërkesa për njohjen dhe kompensimin për dëmshmërinë në punë të stafit ndihmës akademik dhe administrativ; Ndërkohë që kjo kategori nuk ka marrë as shtesën prej 8%, pasi u la jashtë VKM-së së datës 5 tetor 2022; Në kushtet e një mosrregullimi të këtij problemi, një zgjidhje do të ishte rritja me një kategori në listën e klasifikimit të pagave.
– Ende nuk ka marrë formë kërkesa për rivlerësimin e orës mësimore; – Tërheqim vëmendjen dhe ngremë fort zërin se ndryshimet e propozuara për VKM 112/2018, “Për përcaktimin e kritereve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe të standardeve shtetërore për fitimin e Titujve akademikë “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”, do duhet të bëhen për të mundësuar në çdo rast, promovimin akademik dhe karrierën për stafin akademik, duke rritur mbështetjen financiare për punën dhe veprimtarinë shkencore e kjo gjithmonë në funksion të nxitjes dhe rritjes akademike të stafeve për punë dhe veprimtari shkencore mbi të gjitha me ndikim dhe në shërbim të shoqërisë shqiptare. – Në vijim të misionit tonë akademik, shprehim refuzimin tonë në lidhje me VKM 741, datë 23.11.2023, e cila vë në praktikë kreun 12, të ligjit Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i kundërshtuar nga ekspertë të huaj dhe vendas, qysh në kohën e miratimit të tij në vitin 2015. Kjo VKM do sjellë asgjësimin përfundimisht të themeleve dhe shtyllave bazë mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë universitetet publike. Ligji, me anë të aplikimit të këtij kreu, paralizon misionin e universitetit si një e mirë publike, duke e shndërruar dhe trajtuar atë si një pronë private dhe si burim fitimesh!!!
Zbatimi i kësaj VKM-je, do të sjellë po ashtu mbylljen shumë shpejt të disa nga universitetet e rretheve, gjë që shumë shpejt do të sjellë dhe shpopullimin dhe varfërimin e këtyre qendrave nga elitat intelektuale që tradicionalisht janë zhvilluar në këto universitete. Përqendrimi i të gjitha programeve të studimit në Tiranë, duke mbyllur ato të rretheve, është një tjetër shqetësim i punonjësve të universiteteve publike. SPUSH vazhdon të mbetet ofrues i bashkëpunimit, dialogut dhe transparencës në të gjitha iniciativat e synuara, për të normalizuar, por edhe përmirësuar cilësinë e punës në IAL-të publike. Përfaqësuesit e qeverisë apo dhe kuvendit, si nën të njëjtën komandë, kanë shfaqur mungesë totale të ndjeshmërisë në vlerësimin dhe angazhimin e tyre për të dialoguar dhe bashkëpunuar, që ashtu së bashku ta mbrojmë këtë hallkë të rëndësishme të tempullit të dijes. Secili prej kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, nënshkrues të peticionit, e dimë se ekziston gjithmonë një zgjidhje për çdo problem njerëzor. Nëse do të kishte një vullnet të mirë kërkesat do të ishin miratuar. Qëllimi është që sudentët tanë të bëhen të sukseshëm mnë rrugët e jetës, qeveria mesa duket nuk i do studentët. Sindtika ka vendosur thirrjen e një proteste të mërkurën në orën 12:00 përpara korpusit në universiteti teknik dhe studentëve”, tha Kovaçi.
Cilat janë kërkesat e pedagogëve?
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.