Rusia pezullon pjesëmarrjen në marrëveshjen për kontrollin e armëve bërthamore

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi vendet perëndimore për fillimin dhe mbështetjen e luftës në Ukrainë. Ai refuzoi çdo faj për Moskën pothuajse një vit pas nisjes së agresionit ndaj fqinjit të saj, që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima deri tani. Në fjalimin e tij vjetor për gjendjen e vendit, zoti Putin gjithashtu njoftoi se Rusia pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen për kontrollin e armëve bërthamore, START. Ky vendim u konsiderua si i papërgjegjshëm nga Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi të martën vendet perëndimore për gjithçka në lidhje me luftën Ukrainë, gjatë fjalimit vjetor në Moskë, një ditë pas vizitës së paparalajmëruar të presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev.

“Përgjegjësia për nxitjen e konfliktit ukrainas, për përshkallëzimin e tij dhe për numrin në rritje të viktimave i takon tërësisht elitave perëndimore. Sigurisht edhe regjimi aktual në Kiev, për të cilin populli ukrainas është në thelb një grup i të huajve”, tha udhëheqësi rus gjatë fjalimit të tij.

Presidenti Putin shtoi se ishte Rusia, jo Ukraina, që luftonte për ekzistencën e saj.

“Elitat perëndimore nuk i fshehin qëllimet e tyre për t’i sjellë Rusisë një humbje strategjike. Kjo nënkupton fundin tonë, një herë e përgjithmonë. Ne e kuptojmë pikërisht kështu. Ne do të reagojmë ndaj tij në përputhje me rrethanat pasi në këtë rast bëhet fjalë për vetë ekzistencën e vendit tonë”, tha më tej zoti Putin.

Udhëheqësi rus po ashtu njoftoi se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e armëve bërthamore, START.

“Ata duan të na shkaktojnë disfatë strategjike ndërsa futen fshehurazi në objektet tona strategjike bërthamore. Lidhur me këtë, më duhet të them se Rusia pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START. Më lejoni të përsëris: Rusia nuk e braktis traktatin, por pezullon pjesëmarrjen e saj”, tha udhëheqësi rus.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e quajti këtë vendim, “thellësisht fatkeq dhe të papërgjegjshëm”.

“Kur filloi punën administrata jonë, ne e zgjeruam START-in e ri, sepse ai ishte në interes të sigurisë të vendit tonë dhe në fakt në interes të sigurisë së Rusisë. Kjo vetëm nënvizon se çfarë veprimi i papërgjegjshëm është ky. Ne do të ndjekim me kujdes se çfarë do të bëjë në të vërtetë Rusia. Ne gjithashtu do të sigurohemi që në çdo rast të reagojmë me vendosmëri për sigurinë e vendit tonë dhe të aleatëve tanë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, i cili ndodhet për vizitë në Athinë.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë ta rishqytojë vendimin e saj.

“Më shumë armë bërthamore dhe më pak kontroll të tyre e bëjnë botën më të rrezikshme. Unë i bëj thirrje Rusisë të rishqyrtojë vendimin e saj.. Duhet të kujtojmë se kjo është një nga marrëveshjet e fundit të mëdha të kontrollit të armëve që kemi”, tha shefi i NATO-s. Stoltenberg.

Traktati START u nënshkrua në Pragë në vitin 2010 dhe hyri në fuqi një vit më pas. Në vitin 2021, pakti bërthamor START u zgjat për pesë vjet të tjera menjëherë pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden mori detyrën.

Shefi i NATO-s Stoltenberg hodhi poshtë pretendimet e presidentit rus që fajësoi perëndimin për luftën në Ukrainë, duke e quajtur atë një luftë perandorake të Putinit.

“Është presidenti Putin ai që filloi këtë luftë perandorake pushtuese dhe ai vazhdon ta përshkallëzojë atë. Ai mendonte se mund të shkatërronte Ukrainën dhe të na përçante, por ai nënvlerësoi vendosmërinë e popullit ukrainas për të mbrojtur atdheun e tij dhe nënvlerësoi unitetin tonë. Një vit që kur filloi pushtimin rus, ai e bëri të qartë sot se po përgatitet për më shumë luftë”, tha shefi i NATO-s, Stoltenberg.

Më 24 shkurt mbushet një vit nga fillimi i agresionit rus, që mesa duket shpresonte ta pushtonte me shpejtësi Kievin. Por rezistenca e fortë nga forcat ukrainase e mbështetur nga armët perëndimore i ktheu mbrapsht trupat e Moskës. Ukraina ka rimarrë shumë zona të pushtuara fillimisht nga Rusia, mirëpo të dy palët tani janë përfshirë në beteja në zona të tjera.

Rusia ndërkaq kryen sulme pothuajse të pandërprera ajrore. Të martën, sulmet ruse vranë të paktën gjashtë persona në rajonin e Khersonit, në lindje të Ukrainës.

About Redaksia

Check Also

Obama i kërkon Biden të tërhiqet

Ish-presidenti Barack Obama u ka shprehur demokratëve privatisht shqetësimin në lidhje me rikandidimin e Presidentit …

Leave a Reply