Gian Piero Ventura: “Jam në paqe me vetëveten. Për kombëtaren nuk flas, edhe pse…”.
Ekziston edhe një Ventura futbollist, por është parahistori e vogël. “Kam shkuar deri në Serie C, por në moshën 28 vjeçare një herni e gjurit më ka nxjerrë jashtë loje. Në atë kohë operohej me machete dhe të hapej, gjerë e gjatë, kurrizi. Më shumë se përballimi i një operacioni invaziv dhe pa siguri, kam preferuar të nis një aktivitet të ri, falë Sampdoria, skuadrës së qytetit tim ku jam rritur dhe që më jepte mundësinë të stërvisja në sektorin rinor. Ka qenë një kalërim i jashtëzakonshëm dhe plot ne kënaqësi, përjashto disa momente negative dhe një dhimbje të madhe. Nëse më pyet se cilat prej skuadrave të mia të shumta kam mbetur më i lidhur, nuk vë përpara të gjithave një klub me emër, por Giarre, ku jam ndjerë gjithmonë si në shtëpinë time. Më kanë dhënë qytetarinë e nderit dhe, në distancën e më shumë se 30 viteve, ende më telefonojnë, më shkruajnë, për Krishtlindje më dërgojnë portokalle dhe, nëse jam në Siçili dhe nuk shkoj për t’i takuar, ndjehen të tradhëtuar”.
Tani që më së fundi është jashtë lojërave, Gian Piero Ventura rrëfen me sinqeritet dhe qartësi bukurinë e madhe të një karriere të pafundme, të përfunduar, siç shumë shpesh ndodh në jetë, me një ngatërrim fatal dhe një delegjitimim të padrejtë, deri mizor… “Kam mbetur shumë i lidhur edhe me Pisa, ku nuk kam fituar asgjë, por jemi dëfryer, duke praktikuar futbollin më të bukur e viteve të fundit. Pisa, e sapoardhura në Serie B, kishte si drejtor sportiv Gianluca Petrachi, që do ta rigjeja në po atë post në Torino, pasi ka qenë një lojtari im tek Venezia. Kujtoj Arena Garibaldi gjithmonë të stërmbushur dhe një entuziazëm që besoj se nuk është përsëritur kurrë. Gjysma e tribunës ishte e mbushur me specialistë, që vinin të shikonin të rinjtë, që si 19 vjeçari Alessio Cerci po e lançonim dhe llojin e futbollit që bënim e për të cilin akoma flitet”.
Tani jeton në Bari, ku zuto vendin e një farë Antonio Conte…
“Nga përvoja në Bari kujtoj pasionin, entuziazmin, gëzimin, dëshirën për të jetuar dhe fituar, që kishin qyteti dhe tifozët e tij. Dolëm të dhjetët dhe qe një përzierje e paharrueshme rezultatesh sportive dhe emocionesh njerëzore”.
Duke qëndruar tek Puglia, ai ka stërvitur edhe Lecce…
“Maurizio Zamparini më kishte propozuar dy vite kontratë me Venezia. Unë zgjodha të zbrisja në kategori, duke e pranuar ofertën e presidentit Giovanni Semeraro dhe sfidën e një projekti ambicioz, që më stimulonte. Kemi nisur nga 7 spektatorë me pagesë dhe në dy vjet arritëm në Serie A, me Stadio del Mare gjithmonë plot me entuziazëm. Në Cesena, në ditën e promovimit në Serie A, qenë 10000 tifozë, të ardhur me çdo mjet nga Lecce. Kjo apoteozë e do të ishte ndeshja ime e fundit në stolin salentin, pasi siç më ka ndodhur shumë herë përballë një kthese programatike që nuk e pranoja, megjithëse kisha ende dy vite kontratë, e kam lënë duke hequr dorë nga Serie A. Shkova të stërvisja në Cagliari, i saporënë në Serie B. Dy vite të shkëlqyera edhe aty. Vitin e parë jemë promovuar në Serie A dhe një vit më pas kemi prekur Europën, duke lançuar shumë lojtarë dhe duke sjellë në shtëpi, siç kishte ndodhur tashmë edhe në Lecce, plusvalence prej miliarda liretash”.
Plusvalenca të vërteta?
“Jo të vërteta, por shumë të vërteta, që më të vërteta nuk ka sesi bëhen”.
Rekordi i plusvalencave të fituara ka mbetur i pathyer pas Cagliari?
“Kudo ku kam shkuar, kam garantuar plusvalenca, por rekordin absolut prej mbi 200 milionësh e kam vendosur në Torino. “Plusvalentët” ua listoj, ashtu siç më vinë në mendje: Angelo Ogbonna i shitur tek Juventus, Alessio Cerci tek Atletico Madrid, Ciro Immobile tek Borussia Dortmund, Davide Zappacosta tek Chelsea, Kamil Glick tek Monaco. I mbetem idesë se, nëse nuk ka një pronësi të pasur dhe të qëndrueshme prapa krahëve, rruga e vetme është ajo e vetëmenaxhimit, që dëshiron të lidhë rezultatet sportive me ato ekonomike. Rezultatet sportive i siguron me organizimin e lojës dhe rritjen e futbollistëve. Ato ekonomike me vlerësimin e të rinjve. Për mua kështu ka qenë gjithmonë”.
Lidhur me Torino, ju keni qëndruar për 5 vjet në oborrin e Urbano Cairo, duke siguruar rezultate të rëndësishme, midis të cilëve pjesëmarrjen në Europa League. Megjithat me tifozët nuk ka qenë gjithmonë mjaltë e qumësht. Ju akuzojnë akoma sot për mendjemadhësi…
“Pesë vite me radhë në një ambient të komplikuar, që ishte në atë kohë ai i Torino, janë vërtet shumë. Kam thyer edhe rekordin e qëndrimit të një ikone si Gigi Radice. Për sa i përket mendjemadhësisë, njeri do të duhet edhe të mbrohet. Në ato vite kontestimi i Urbano Cairo ishte i vazhdueshëm dhe shpesh mizor. Unë isha akuzuar se isha bashkëpunëtor në zgjedhjet jopopullore dhe, pastaj, nuk kishte një valë mediatike të favorshme”.
Nga Torino tek kombëtarja hapi qe i shkurtër dhe në perspektivë i dhimbshëm…
“Për kombëtaren preferoj të mos flas. Një big, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, më kishte ofruar tre vite kontratë. Hoqa dorë për të shkuar aty ku më çonte zemra dhe ajo dashuri për uniformën kaltëroshe, që kishte qenë tipari i përbashkët, thuajse refreni i gjeneratës time. Si pjesë timen, i kujtoj të gjitha uljet dhe ngritjet, triumfet dhe zhgënjimet. Epopenë e Gigi Riva, golin e 4 me 3 të Gianni Rivera kundër Gjermanisë, por edhe, me hidhërim, domatet e hedhura në Marassi kundër Edmondo Fabbri, pas eliminimit ndaj Koresë së Veriut në Botërorin anglez të 1966. Kaltëroshja që kisha brenda meje dhe për këtë dashuri, i mbajtur shtrënguar fort qysh kur isha fëmijëë i ka ceduar këmbëngluljeve, më kanë tronditur dhe kam bërë një zgjedhje të gabuar, pasi nuk kërkohej një gjeni i llampës për të kuptuar se nuk qenë premisat për të bërë mirë”.
Shpjegohuni më mirë.
“Kush do ta kuptojë e kupton. Them vetëm se në katër vjet, në komentimin e dy kualifikimeve të munguara botërore, është kaluar nga tragjedia epokale e 2018 më incidentin e rrugëtimit të 2022. Besoj se edhe nga kjo diferencë abisale mund të nuhatet sesi qysh në momentin e pranimit të postit nuk ekzistonin premisat e nevojshme”.
Më 12 nëntor të 2021 ju keni komunikuar vendimin e braktisjes përgjithmonë të botës së futbollit, që ka qenë jeta juaj. Ju kishte ardhur t’ju mungonte çdo stimul i mbetur…
“Kisha dëshirë ta rimerrja atë jetë, që e kisha lënë menjanë për 40 vjet e më shumë. Prej 12 ditësh me pushime, me mendjen tashmë të projektuar në ditën e parë të mbëedhjes për vitet e kaluara, çast pas çasti, me vetëveten dhe me gruan që dashuron. Ajo që e ka lehtësuar çështjen ka qenë sigurisht një futboll, që nuk ishte më i imi dhe ku nuk e gjeja më veten. Jam ndaluar edhe pse futvolli ka ndryshuar në raportet me shoqëritë, me presidentët, me lojtarët, me tifozët, me shtypin dhe më të gjithë ekspertët. Fillimisht qenë raportet njerëzore dhe shtrëngimet e duarve. Sot është një gjë krejtësisht tjetër. Gjithçka është e ekzagjeruar. Në tre apo katër muaj Stefano Pioli ka kaluar nga trajneri më i mirë italian në më të keqin. Dikur kishte vlerësime më pak sipërfaqësore dhe të ngutura mbi produktivitetin e individëve. Sot, nëse ke mediat në favor mund t’i lejosh vetes të humbasësh shtatë ndeshje pa pasur frikë se gabon. Nëse i ke kundër, mjaftojnë tre humbje dhe shkon në shtëpi dhe, pastaj, la ndryshuar spektakli. Sot futbolli është i bukur për t’u parë vetëm kur luan mirë, si Napoli dhe me aspekte Lazio e Atalanta. Të gjitha skuadra ku qysh përpara se të vijë topi, duhet ta dish se ku ndodhet shoku të cilit do t’i pasosh. Gjithë pjesa tjetër, të paktën nga këndvështrimi im është një mërzi e madhe. Majmunizohet ajo që bëjnë të tjerët, pa një gjest apo një ide origjinale. Futbollin e shikoj, por nuk dëfrehem thuajse kurrë. Jam në paqe me vetëveten. Do të isha edhe mendjemadh, por futbollit i kam dhënë gjithçka kisha: kokë, zemër, pasion, ndershmëri, impenjim dhe vendosmëri”.
Në moshën 75 vjeçare Gian Piero Ventura ka zbuluar deri lumturinë?
“Po, jam i lumtur. Kam rigjetur Bari, që është bërë shumë i bukur dhe kam pasur fatin të takoj Luciana, gruan që më ka dhënë një dozë adrenaline në planin sentimental dhe mbi atë të jetës së përditshme. Ndjej detyrimin t’i rikthej diçka, pasi qysh nga 2021 i kam dhënë shumë më pak nga sa meritonte. Ajo që jam sot është gjithçka meritë e saj. Siç të gjithë mund ta shikojnë, më së fundi jam mirë. Në të gjitha aspektet”.
(nga Il Foglio)
Përgatiti
ARMIN TIRANA