Lulzim Basha rezulton të jetë ende në krye të Partisë Demokratike ligjërisht, megjithëse ka dhënë dorëheqjen pak ditë pas humbjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Në dosjen e sekretarit ligjor të PD-së dërguar KQZ-së, ishte edhe një letër e firmosur nga Basha që autorizon Gazmend Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn të përfaqësojnë këtë forcë politike në procedurat e regjistrimit për zgjedhjet lokale.
Por ajo që bie në sy në letrën e firmosur nga Basha është pikërisht data e saj.
Siç shihet në dokumentin që po publikon Balkanëeb, rezulton se Basha e ka firmosur autorizimin fiks 353 ditë përpara se ai të përdorej sot.
Kryetari i PD-së e ka hedhur firmën mbi këtë letër në 18 mars 2022, ekzaktësisht 12 ditë pasi humbi në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit dhe vetëm 3 ditë përpara se të jepte dorëheqjen.
Në ato ditë plot zhvillime në PD, ku përveç këtyre ngjarjeve, ish kryeministri Berisha po përgatitej të rikthehej në parti, këshilltarët e Bashës duket se kanë qenë shumë të vëmendshëm për t’a këshilluar atë që të firmoste një autorizim që do të përdorej pas një viti në zgjedhjet lokale.