Një grup aktivistesh dhe anëtare të Lidhjes Demokratike të Gruas kanë nisur protestën përpara Kryeministrisë për t’i dhënë zë, të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri.
Një nga pjesëmarrëset në protestë deklaroi se protesta do të zhvillohet para tri institucioneve kryesore: Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale përpara se të përmbyllet përpara selisë së Qeverisë.
“Vajzat dhe gratë shqiptare janë të jashtëzakonshme, çdo ditë krenohemi me arritjet e tyre, por sot nuk është ditë vetëm për të festuar” – tha njera prej organizatoreve.
“Është pikërisht kjo dita për të cilën ne jemi mbledhur këtu bashkë me Lidhjen e Gruas në një protestë paqësore për të përcjellë disa mesazhe, – tha një tjetër zonjë. – Kemi zgjedhur tri institucione, që janë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes Sociale për të dhënë mesazhet tona, të shtyra edhe nga ngjarja e rëndë që ndodhi disa ditë më parë kur janë vrarë tri gra dhe janë plagosur tri të tjera, sigurisht në mbështetje të tyre dhe për sensibilizim të politikave të këtyre institucioneve.
Këto institucione që ne kemi zgjedhur lidhen me gruan, lidhen me rënien e tyre, nuk janë më funksionale, nuk përkrahin; me pamjaftueshmërinë sociale për gratë, që janë më të varfra se vite më parë.
Të mos harrojmë se statistikat e mbështetura, të marra edhe nga INSTAT, që nga 2013-a dhe nuk dua ta bëj politikë, por kur ka qenë Partia Demokratike në pushtet ka qenë emigrimi rreth 4 mijë gra, kurse sot janë rritur shumë, janë shifra alarmante, kanë shkuar në 8-9 mijë dhe 11 gra që kërkojnë azil në vende të ndryshme të BE, pra do të thotë që këto institucione që ne i kemi votuar vetë, kanë rënë.
Unë ftoj gra vajza dhe burra, se nuk është reagim feminist ky, dua ta theksoj këtë, por më tepër njerëzor, se sot jo vetëm gratë e vuajnë varfërinë, por tërë shteti shqiptar kështu që unë do t’i ftoja të bashkohemi tek Kryeministria në një protestë që do të zgjasë rreth 1 orë. Secila grua mund të flasë për eksperiencën e saj mbi format e ndryshme të dhunës”.