Nga Kim MEHMETI
Ke përshtypjen se në Shqipëri askënd nuk e intereson e vërteta. Mbase pse ajo qëmoti ka vdekur dhe pse nëpër media, e kudo tjetër, atë e përhapin vetëm dy ‘kishat’ e gënjeshtrave: Selia e kryeministrisë dhe ajo e Bashkisë së Tiranës.
Shqipëria i ngjanë një vendi ku krimi e kontrollon shtetin, ku askujt më nuk i pengon hajdutëria, mbase pse të gjithë e kanë kuptuar se në këtë vend, në burg shkon skamnori që ka vjedhur një bukë për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe i pushtetshmi që nuk ia trazon ujin Kryeministrit të vendit.
Në Shqipëri më të shpeshta janë vrasjet se sa dasmat, sepse në këtë vend pakësohet numri i të rinjve të arsimuar e të edukuar, të atyre që i ‘aborton’ vendi ku kanë lindur e janë rritur, e ku shtohet numri i atyre që ndjehem mirë duke u rritur mes ‘kopshteve’ më ‘frytëdhënëse’ e më fitimprurëse – atyre të kanabisit.
Shqipëria u afrohet zgjedhjeve vendore, por atje pakësohet numri i atyre që pyesin se cila nga partitë politike do i fitojë ato dhe shtohen ata që pyesin: deri kur do pësojë humbje Shqipëria?!
Që do të thotë se shumica tani më e ka kuptuar se ‘Rilindja’ nuk mposhtet lehtë nëpërmjet votës, se ajo është ndërthurje e të këqijave të sotme që e asgjësojnë Shqipërinë dhe që nuk e lejojnë atë të bëhet shtet ku do ketë lajme të rrejshme e gënjeshtra, por jo aq sa e vërteta të varroset te Selia e PS-së dhe e Bashkisë së Tiranës, ku do ketë edhe vrasje, por jo më shumë se sa fejesa dhe kremte të bukurive jetësore, ku do ketë edhe hajdutë votash, por ku një votues nuk do kushtojë njëzet euro e një gjel deti qindra euro.
Po pra, Shqipëria gjithnjë e më shumë i ngjanë një salloni për pritje, ku të rinjtë presin trenin e ardhmërisë së tyre të lumtur. Trenin që do i çojë sa më larg vendit ku kanë lindur, sa më larg këtij shteti që është parajsë për politikanët dhe kriminalët, e ferrë për popullin e vet. Dhe ku shpesh ndodh që të dihet emri i të vrarit, por jo edhe i vrasësit. E që rëndom ndodh në vende ku dihet edhe emri i hajdutit, edhe i kriminelit dhe i të pushtetshmit që i mbron ata, por ku ligji vlen vetëm për skamnorin, e jo edhe për të pushtetshmin dhe kriminelin e pasur.